A është më mirë të kesh tension të ulët apo të lartë të...

A është më mirë të kesh tension të ulët apo të lartë të gjakut?

[align=justify:1g98ob48]
Mjekët thonë se në përgjithësi, është më mirë të kesh tension të ulët sesa tension të lartë të gjakut. Megjithatë, një studim i ri tregon se ka një moment në të cilin është më mirë që njerëzit të cilët pësojnë infarkt të kenë tension të lartë, dhe ky është momenti kur ata arrijnë në spital. Në Rubrikën Mjekësi dhe Shkencë do të flasim edhe për tubat e vegjël që vendosen në zemër për të parandaluar atakun. Shumica e këtyre tubave vishen me ilaçe të ndryshme, por të dhëna të reja tregojnë se tubat e veshur me ilaçe paraqesin mjaft rrezik.

Doktor Mihai Georgiade dhe studiues të tjerë analizuan të dhënat e rreth 50 mijë pacientëve amerikanë që kanë pësuar infarkt. Infarkti ndodh kur zemra nuk arrin të shpërndajë gjak të mjaftueshëm në të gjitha organet e tjera të trupit.

Sipas një studimi të publikuar në Gazetën e Shoqatës Amerikane të Mjekësisë, ekspertët analizuan tensionin sistolik të gjakut – që është presioni që ushtrohet kur zemra kontraktohet. Ata zbuluan se një njeri që vjen në spital me infarkt dhe të cilit zemra i pompon ende mjaft gjak për të pasur tension të lartë, ka më shumë mundësi për të jetuar sesa një njeri me tension të ulët. “Gjatë kohës që pacienti arrin në spital, duket se është më mirë që ai të ketë tension të lartë të paktën për disa orë, sepse kjo tregon se zemra është më e fortë”, thotë mjeku Mihai Georgiade.

Kur kontraktimet janë më të dobëta, kjo mund të tregojë se pacienti ka sëmundje më të avancuar dhe mundësi më të pakta për të jetuar. Mihai Georgiadei shpjegon: “Pra, tensioni i lartë në vetvete nuk është gjë e mirë, por është një masë treguese për forcën e zemrës.” Studiuesit thonë se duke ditur nëse pacienti ka ardhur në spital me tension të ulët apo të lartë, kjo jep informacion të vlefshëm për mënyrën se si duhet trajtuar.

Për të parandaluar atakun në zemër ka mjete të ndryshme. I tillë është tubi zgjerues që i ngjan një rrjete të vogël, zakonisht prej metali, i cili vendoset brenda një arterieje për të bërë të mundur qarkullimin e një sasie më të madhe gjaku. Për t’i veshur këta tuba përdoren ilaçe të ndryshme, si për shembull antibiotikë. Rreth 6 milionë njerëz në të gjithë botën kanë tuba të veshur me ilaçe të vendosur në arteriet e tyre. Disa kardiologët thonë tani se tubat e veshur me antibiotikë mund të shkaktojnë mpiksje gjaku. Dr. Michael Lincoff shpjegon: “Në tub formohen mpiksje të cilat e bllokojnë atë dhe ndalojnë gjakun që rrjedh në arterie. Në këtë rast, kjo pjesë e muskulit të zemrës pëson një atak.” Disa studiues mendojnë se tubat e veshur me antibiotikë mund të kenë shkaktuar çdo vit rreth 6 mijë atake në zemër në Shtetet e Bashkuara. Doktor Craig Smith thotë: “Pavarësisht se debatet për këtë çështje vazhdojnë, rreziku duket se është më i madh se ç’është menduar më parë.” Dr. Lincoff thotë se është shumë e rëndësishme që pacientët që kanë tuba të veshur me ilaçe të vazhdojnë të marrin mjekime për hollimin e gjakut për të mos lejuar mpiksjet. Tani, shkencëtarët po testojnë një lloj tubi që mund të thithet nga muret e arteries pasi të ketë kryer funksionin e tij.

NGA VOA[/align:1g98ob48]