A fshihet jeta në një nga këta planetë?

NASA ka publikuar një fotografi grupore të 1.235 planetëve, të cilët i ka zbuluar Kepleri, ndër të cilat ka më shumë se dhjetëra kandidatë për ekzistim të jetës.
Në fotografinë e kombinuar të teleskopit hapësinor shihen yjet amë me rrathë të cilat paraqesin hijet e planetëve në transit – kalimin në mes yjeve dhe kamerës.
Autori i fotografive, anëtari i ekipit të Keplerit, Jason Rowe, thotë që yjet dhe transitet janë të paraqitur në proporcione reale. Në anën e djathtë, nën rendin e parë gjendet edhe fotografia e diellit tonë me transitet e Jupiterit dhe Tokës.
Ylli më i madh në këtë fotografi grupore është 6,1 herë më i madh se Dielli, ndërsa rrezja është më së paku rreth 0,3 e rrezes së yllit tonë. Në faqen e vet në Flickr, Rowe thotë që yjet janë të treguara në ngjyrën të cilën do ta kishim parë nëpërmjet atmosferës të ngjashme me tokën. “Yjet janë me hijezim të rregullt, ndërsa planetët e tyre janë të errësuar në përputhje me proporcionet e vërteta. Disa yje janë paraqitur nga më shumë planetë”, ka shkruar Rowe.
Ekspertët e NASA-s theksojnë që në mes planetëve të shfaqur për jetë veçanërisht janë të përshtatshme 54, dimensionet e të cilëve janë të ngjashme me tokën, ndërsa gjenden në të ashtuquajturën zonë të artë, në distancën në të cilën nuk është as shumë ftohtë, e as shumë ngrohtë për ekzistimin e ujit në gjendje të lëngshme.
Vrojtuesi i NASA-s, Kepler, është lansuar në maj të vitit 2009, ndërsa misioni do duhej të zgjaste së paku tre vjet e gjysmë. Me spektrometrin e vet, teleskopi në mënyrë të pandërprerë mat shkëlqimin e rreth 145.000 yjeve në të katërqindtën pjesë të qiellit.
Ndryshimet në intensitetin e shkëlqimit të yjeve tregojnë mundësinë që rreth tyre sillen planetët të cilët gjatë transitit pengojnë udhën e rrezeve të dritës. Nga maji në shtator të vitit 2009 Kepleri ka gjetur 1.235 planetë, ne mes së cilëve 68 të madhësisë së tokës dhe 54 në zonën e banueshme. Duke u bazuar në rezultatet vlerësohet që rreth gjashtë për qind të yjeve kanë planetë të madhësisë së Tokës, ndërsa rreth 19 për qind të tyre kanë më shumë planetë.
Shkencëtarët konsiderojnë që në të gjithë gjithësinë, në të cilën ka rreth 100 miliardë galaksi, mund të jenë rreth 5x1021 planetë dhe rreth 5x1019 (50.000.000.000.000.000.000) planetë në zonën e banueshme.
Meqenëse errësimi i yjeve mund të nxisë edhe disa dukuri të tjera, dhe jo vetëm transite, duhen të priten edhe disa vjet (aq sa planetëve u duhen për të bërë edhe dy rrotullime rreth yjeve amë, respektivisht edhe për dy transite) që Kepler t’i vërtetojë këto rezultate.