Ajri i Tiranës, 2 vite jetë më pak për çdo banor

Cilësia e ajrit që thithin banorët e kryeqytetit kalon normat e parashikuara nga BE-ja, duke ulur deri në dy vjet jetëgjatësinë e qytetarëve të Tiranës.
Smogu i automjeteve, pluhuri dhe djegia e mbeturinave, janë tre nga faktorët më të rëndësishëm që bëhen shkak për ndotjen mjedisore.

Ekspertët që kanë kryer hulumtimin për ndotjen e ajrit në Tiranë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë në kryeqytet do jetë 1-2 vjet për banor.

Të dhënat tronditëse mbi pasojat negative që shkakton ndotja e ajrit lidhen direkt edhe me vdekshmërinë e përvitshme. Duke iu referuar statistikave të OBSH-së, rreth 200 vdekje në vit në Shqipëri janë të lidhura vetëm me ndotjen e ajrit, duke u bërë kështu shkak për prishjen e cilësisë së jetës.

Studimi i Institutit të Shëndetit Publik tregon se, rreth 1400 raste të reja me kancer që shfaqen çdo vit ndodhin për shkak të faktorëve të ndotjes së ambientit. Kanceret, sipas studimit, janë të llojeve të ndryshme, ku ato të mushkërive dhe lëkurës që vijnë direkt nga mjedisi, janë faktorët kryesorë.