Aplikacionet për iPad tani edhe në Evropë

Apple ka filluar të hapë dyqanin e vet online App Store për përdoruesit e iPad jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pa marrë parasysh që iPad nuk ka filluar të arrij zyrtarisht në duart e blerësve të këtyre shteteve.

Shumë iPad të shitur në SHBA e kanë gjetur rrugën e vet drejt shteteve tjera. Bëhet fjalë për importimin privat dhe si të tillë këta iPad nuk e kanë të mundur qasjen në shkarkimin e aplikacioneve nga Apple App Store.

Prej sot, e enjte, Apple fillon ta hapë dyqanin e vet të aplikacioneve edhe në shtetet tjera. Përdoruesit në disa shtete evropiane qysh tani mund të shkarkojnë dhe blejnë aplikacionet e tyre të dëshiruara për iPad.

Pas raporteve se disa shtete evropiane kanë filluar të kanë qasje në shkarkimin e aplikacioneve për iPad, janë lajmëruar edhe përdoruesit nga Australia të cilët gjithashtu kanë lajmëruar se mund të shkarkojnë aplikacionet për pajisjet e tyre.

Kompjuteri tablet iPad do të duhej të filloj shitjen në Evropë në fund të majit.