Arrestohet Alban Rexha

Ish-futbollisti Alban Rexha i vetëquajtur “ujku”, i njohur ndryshe edhe si një nga personazhet e ish-programit reality shoë “Kafazi i Artë” në televizionin “Neës 24”, u arrestua mesditën e djeshme në korridorin e përbashkët të Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet dhe institucionit të akuzës, ku në zbatim të urdhrit të prokurorit të çështjes, Behar Dibra, efektivët e sigurisë fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve brenda këtyre ambienteve të sipërcituara i vendosen prangat Rexhës.

Ka qenë vetë i kërkuari Rexha, i cili nën shoqërimin e avokates së tij mbrojtëse, Alberta Gega, është paraqitur pranë institucionit të akuzës, duke pretenduar se kishte ardhur të dorëzohet. Por, në pamundësi të takimit me prokurorin e çështjes në atë moment, Rexha bashkë me avokaten e tij Gega kanë hyrë brenda sallës së gjyqit për të vazhduar një seancë gjyqësore ndaj disa të pandehurve që kanë si mbrojtëse ligjore avokaten Gega. Kjo seancë gjyqësore nuk ka zgjatur më shumë se 15 minuta dhe me të dalë nga salla e gjyqit, i kërkuari Rexha është shoqëruar brenda një dhome të kësaj ndërtese, duke ia vendosur prangat nga efektivët e ruajtjes fizike të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pak minuta më pas, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda pranë ambienteve të kësaj gjykate kanë ardhur disa efektivë të Patrullës së Përgjithshme, të cilët e kanë shoqëruar Rexhën për në qelitë e Drejtorisë së Policisë në kryeqytet. Mësohet se vetë Rexha i veshur me kostum serioz dhe me kollare nuk ka kundërshtuar efektivët e policisë gjatë prangosjes, duke u shprehur se “kam ardhur të dorëzohem”. Edhe avokatja mbrojtëse, Alberta Gega, po të njëjtin pretendim e ka ngritur para oficerëve të policisë gjatë shoqërimit për në Drejtori të Policisë. Sipas prokurorisë, i arrestuari i djeshëm, Alban Rexha, në bashkëpunim me shtetasin Pajtim Serjani, Shamet Mejdani dhe Enea Gega, ky i fundit ish-i fejuari i këngëtares Ingrid Gjoni, kanë qëlluar në drejtim të Patrullës së Policisë me automatik natën e 29 dhjetorit 2009-të.

Sipas prokurorisë, makina e tipit “Benz” me targa “BOT QA997”, brenda të cilit ndodheshin katër të arrestuarit nuk ka pranuar të ndalet në postbllokun e policisë në rrugën “Irfan Tomini”, duke u larguar me shpejtësi. 200 metra nga postblloku, mësohet se të katër të arrestuarit kanë dalë nga makina duke qëlluar në drejtim të policisë dhe më pas kanë ikur me vrap. Por, pak minuta më pas policia ka arrestuar Serjanin, Mejdanin dhe Gegën, ndërsa Rexhën e patën shpallur në kërkim. Ndërkohë, sipas pretendimit të avokates Gega, e njohur edhe si nëna e të arrestuarit Enea Gega, çuni i saj dhe “shokët” e çunit nuk kanë kryer veprën penale të “vrasjes së policëve të mbetur në tentativë”, por vetëm atë të “prishjes së qetësisë publike”.
Gjithashtu, avokatja ka pretenduar në gjykatë se policia ndaj të arrestuarve ka ushtruar dhunë fizike, e cila është konstatuar edhe nga Avokati i Popullit që ka kërkuar me anë të një rekomandimi nga Prokuroria e kryeqytetit të fillojë hetimet ndaj dy efektive të policisë së Komisariatit nr. 2 në Tiranë, inspektor Alfons Gjoni (me precedent penal) dhe Klodian Basha.