TIRANE - Arrestim i bujshem. Njeriu me i perfolur gjate kesaj vere rreth skandalit ne Banken e Shqiperise, drejtuesi i institucionit më të lartë financiar në vend, Guvernatori Ardian Fullani është vënë mbrëmjen e kësaj të Premteje në prangat e Policisë, nën akuzën se nuk ka ushtruar kompetencat e tij duke i krijuar kështu kushtet e favorshme vjedhjes së 713 milionë lekëve të rinj nga thesari i shtetit. Njëherësh me Fullanin, por disa minuta më vonë është ndaluar dhe Inspektorja e Pergjithshme e Bankes se Shqiperise Elivar Golemi. Ajo është paraqitur vetë në polici, ndërkohë që në muajin gusht gazeta “Shqiptarja.com” denoncoi e para shkeljet e rënda të inspektores Elivar Golemi, gjithashtu e përfolur së fundi në media për refuzimin e njëpasnjëshëm që i bëri Kuvendit për të dhënë shpjegime në lidhje me këtë skandal.
Në një deklaratë për mediat, Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi zyrtarisht arrestimet duke radhitur dhe shkeljet e konstatuara nga hetimet që bëjnë përgjegjës Fullanin dhe Golemin.
Sipas Prokurorise, Ardian Fullani ka shkelur detyrën e tij të guvernatorit të paktën në 5 pika konkrete, duke lënë terren për abuzime që sollën deri në vjedhjen e shumës prej 713 milion dollarëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Hetimi ka provuar se një rregullore e Departamentit te Emisioni nuk ka ekzistuar për një kohë të gjatë. Ndërkohë që për sa i përket inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, kjo e fundit nuk ka ushtruar asnjë audit konform ligjit të Bankës së Shqipërisë, s’ka kryer kontrolle periodike dhe ska bërë verifikime për vitin 2012, 2013 dhe 2014.
Fullani ka zgjedhur një mbrojtje të fortë duke marrë avokat, kreun e Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhinë, i cili është takuar me Guvernatorin në ambjentet e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë. Duke e vlerësuar të paligjshëm arrestimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Haxhia tha se do të kundërshtojë këtë vendim të Gjykatës
Arrestime të tjera mësohet të jenë bërë gjatë kësaj dite, por ende nuk bëhen të ditur emrat e personave të vënë në pranga.Sakaq, të Shtunën, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani do të dalë para Gjykatës për t’iu komunikuar masa e sigurisë e dhënë në mungesë ndaj tij.
Me arrestimin e dy njerëzive kryesorë të Bankës, Ardian Fullanin dhe Elivar Golemin, numri i të ndaluarve për këtë çështje ka shkuar në 19 persona.
Fullani arrestohet me vendim gjykate ne zyren e tij, reziton: “Me lini se shkoj vete ne Prokurori”…Golemi vedorezohet ne polici
Ka qenë ora 19:45 kur Ardian Fullani ka dalë nga zyra e tij e Bankës së Shqipërisë që ndodhet tek sheshi “Avni Rustemi” dhe menjëherë është ndaluar nga forcat policore.
Atij i kanë komunikuar urdhrin e arrestimit të lëshuar nga njësia hetimore Task-Forcë, e cila kishte marrë spunto nga një vendim i gjykatës së Tiranës që caktonte masën e “arrestit në burg” ndaj Fullanit. Fillimisht Fullani ka kundërshtuar të shoqërohet nga forcat policore, duke pretenduar se ishte i gatshëm dhe në dispozicion të prokurorisë dhe se do paraqitej vetë në këtë institucion. Por ky pretendim nuk është miratuar nga punonjësit e policisë të cilët e kanë transportuar në drejtim të dhomave të shoqërimit në drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Kërkesa për arrestimin e guvernatorit Fullani, është dorëzuar në orën 16:00, ndërsa arrestimi i tij është bërë në orën 19:45. Ndërkaq, kryeinspektorja Golemi është vetëdorëzuar gjatë orëve të mbrëmjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Ardian Fullani dhe Elivar Golemi ndodhen ne drejtorine e policise, ne dy biruca te veçanta. Mesohet se te arrestuarit s’kanë pasur kërkesa te veçanta, vetëm Fullani ka kërkuar ilaçet e tensionit.
Teksa në gjykatën e Tiranës zhvillohej masa e sigurisë ku Ardian Fullani dhe Elivar Golemi të mbylleshin në burg, Fullani ndodhej në zyrën e tij ndërsa Golemi sipas dëshmitarëve ndodhej në kafene. Vendimi i gjykatës, është dërguar nga prokuroria në policinë e kryeqytetit, duke kërkuar arrestimin e menjëhershëm të Golemit dhe guvernatorit Fullani.
Foto eksluzive A1 REPORT: Arrestimi i guvernatorit Fullani
Gjyqtarja Blerina Muca dha vendimin e arrestit për Fullanin e Golemin
Pas një urdhri arresti të kërkuar nga prokurori Ramadan Troci dhe të lëshuar në fshehtësi të plotë nga gjykatësja Blerina Muça në Gjykatën e Tiranës rreth orës 19:45 skuadra e operacioneve speciale e policisë së Tiranës ka arrestuar në zyrën e tij në sheshin “Avni Rustemi” në Tiranë, Guvernatorin e Tiranës, Ardian Fullani.
Në foto gjykatësja Blerina Muca. qe dha vendimin e arrestit me burg per Guvernatorin Fullani dhe Kryeinspektoren Golemi)
Urdhër arrestet dy muaj nga nisja e hetimeve per vjedhjen e thesarit…pas deshmise se 2 anetareve te Keshillit Mikeqyres
Pas dy muashj nga nisja e hetimit për skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, njësia hetimore Task-Forcë dje në mbrëmje ka konkretizuar hetimet, duke arrestuar dy njerëzit kryesorë të Bankës, Ardian Fullanin dhe Elivar Golemin. Arrestimi i tyre vjen pikërisht në ditën kur dy anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të BSH-së Ermelinda Meksi dhe Ela Golemi si dhe ish-inspektorja e Përgjithshme Teuta Baleta dëshmuan në prokurori.
Pas përfundimit të dëshmisë së tyre, siç duket grupi hetimor i përbërë nga kryeprokurori Petrit Fusha, prokurori Ramadan Troci dhe oficeri Elidon Hysenaj, ka arritur në konkluzionin që të kërkonin menjëherë arrestimin e Fullanit dhe Golemit, pasi këta të fundit kishin shkelur një sërë rregulloresh njëherësh dhe ligjin për funksionimin dhe organizimin e BSH. Kërkesa për caktimin e masës së “arrestit në burg” për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, është depozituar dje në gjykatën e Tiranës, ku gjyqtarja Blerina Muça, ka miratuar kërkesën e akuzës duke vendosur të caktojë masën e “arrestit në burg” për Fullanin dhe Elivar Golemin.
Zbulohen shkeljet e Fullanit. Prokuroria: Nuk propozoi zv/guvernatorin. S’miratoi rregullohet e Emisionit, caktoi dy herë të njëjtin person për inventarizimet…dhe nuk interesohej për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës
Në një deklaratë për mediat, Këshilltarja e Prokurorit Fjorida Ballauri, tha se nga hetimet e filluara nga korriku 2014 për vjedhjen e BSh, Prokuroria ka arritur në përfundimin se për shkak të mosveprimit të tyre Fullanit dhe Golemit, janë siguruar kushtet që të cenohet siguria e parave në thesar.
Sipas organit të akuzës, fakti që Fullani nuk i ka propozuar Këshillit Mbikëqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, ka krijuar mangësi në mbikëqyrjen e përdorimit të mjeteve financiare. Fullani gjithashtu, sipas Prokurorisë, si kryetar i Këshillit Mbikëqyrës nuk ka propozuar dhe miratuar rregulloren e Departamentit të Emisioni, duke sjellë kështu cënimin e parave. Po ashtu, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, Fullani nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës.
Por sipas hetimeve të Prokurorisë, guvernatori Fullani duket se nuk ka kryer as funksionin elementar në krye të këtij institucioni, “mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë”. Hetimet e deritanishme kanë evidentuar gjithashtu faktin se Fullani në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.
Deklarata e Prokurorisë së Përgjithshme
Me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, gjykata ka vendosur masën e “arrestit me burg” për shtetasin Adrian Fullani, me detyrë Guvernator i Bankës së Shqipërisë, si edhe për shtetasen Elivar Golemi, me funksion Inspektor i Përgjithshëm në Bankën e Shqipërisë, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Vendimi i gjykatës është ekzekutuar nga forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë pasditen e së Premtes, dt. 05.09.2014.
Në vijim të hetimeve për vjedhjen e një shumë të konsiderueshme parash në Bankën e Shqipërisë, të filluar në muajin Korrik 2014, Prokuroria e Tiranës ka arritur në përfundimin se dy zyrtarët e lartë të këtij institucioni, për shkak të mosveprime të tyre, kanë krijuar kushtet që të cënohet siguria e parave në administrim të Bankës së Shqipërisë.
Në mënyrë të përmbledhur, nga hetimet e deritanishme, rezulton se, shtetasi Adrian Fullani, në cilësinë e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikqyrës dhe Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i saj, ka shkelur ligjin si më poshtë:
Së pari: Nuk i ka propozuar Këshillit Mbikqyrës, zëvendësguvernatorin e dytë të Bankës së Shqipërisë, duke krijuar një boshllëk në përmbushjen e detyrimeve të këtij funksioni. Duhet theksuar se ky funksion i munguar duhet të trajtonte drejtëpërdrejtë administrimin, mbikqyrjen dhe zbatimin e akteve proceduriale për përdorimin e mjeteve financiare.
Së dyti: Në cilësinë e kryetarit të Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ushtruar kompetencat e tij për propozimin e nismave juridike të funksionimit të Bankës së Shqipërisë, si detyrim që buron nga vendimi i Këshillit Mbikqyrës Nr.13 datë 22.02.2006. Pra me nisjen e funksionimit të departamentit të Emisionit, ku ka ndodhur edhe vjedhja, Këshilli Mbikqyrës duhej të propozonte e miratonte rregulloret përkatëse për funksionimin e këtij departamenti. Nga hetimi ka rezultuar se këto rregullore nuk kanë ekzistuar për një kohë shumë të gjatë, gjë e cila ka sjellë cënimin e parave.
Së treti: Në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm ekzekutiv të Bankës së Shqipërisë, nuk ka marrë masat e nevojshme ligjore për zbatimin e vendimeve dhe rregulloreve të Këshillit Mbikqyrës. Ndër to, mund të përmendet zbatimi i politikave të miratuara nga Këshilli Mbikqyrës, për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme për administrimin e procedurave ekzekutive, si dhe për qeverisjen e punëve administrative të veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë.
Së katërti: Guvernatori është i ngarkuar me mbarëvajtjen e veprimtarisë së përditshme të Bankës së Shqipërisë, përgjegjësi të cilën nga analiza e hetimit në kuadër të procedimit penal, rezulton që nuk e ka ushtruar.
Së pesti: Në kundërshtim me nenin 8 të rregullores “Mbi inventarizimin e vlerave materiale e monetare në Bankën e Shqipërisë”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, në komisionet e ngritura për kryerjen e inventarizimit të detyrueshëm periodik të vlerave monetare në Bankën e Shqipërisë ka caktuar dy herë të njëjtin person. Ky person, aktualisht është person në hetim për “shpërdorim detyre” në kuadër të këtij procedimi penal.
vazhdon…