Austria do t’i prodhojë pasaportat biometrikë për Kosovën

pasprtksvsasf.jpg

Ankesa e kompanisë sllovene CETIS, e eliminuar nga gara për prodhimin e pasaportave elektronike, me gjithë çmimin më të lirë, është hedhur poshtë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Anëtarët e këtij organi kanë vendosur që Ministria e Punëve të Brendshme të ecë me procedura dhe tenderin 14-milionësh për prodhimin e pasaportave biometrike t’ia japë kompanisë austriake Oesterreichische Staatsdruckerei GmbH.

Ky vendim është marrë të premten dhe do të publikohet sot (e hënë). Hysni Hoxha, kryetar i panelit shqyrtues, të dielën tha se ankesa e kompanisë sllovene ka qenë e pabazuar, ndonëse kompania e lartcekur thotë një të vërtetë tjetër duke ofruar dëshmitë.

“Është hedhur poshtë ajo ankesë. Paneli ka vlerësuar se ankesa ka qenë e pabazuar dhe ne u kemi dhënë të drejtë autoriteteve kontraktuese për dhënie të kontratës për aktivitetin e prokurimit për ‘Furnizim me pasaporta elektronike’”, tha Hoxha.

Kompania e eliminuar sllovene CETIS, që ishte më e lirë për rreth 600 mijë euro, ka qenë në garë për prodhimin e pasaportave në Slloveni, ku edhe prodhon pasaporta biometrike për këtë vend të Bashkimit Evropian.

Në garë për prodhimin e pasaportave elektronike ka qenë edhe kompania gjermane “Giesecke & Devrient”, ndaj së cilës mediet gjermane raportojnë se autoritetet e atjeshme janë duke zhvilluar hetime në lidhje me dhënie të ryshfetit. Por për Organin Shqyrtues kjo kompani ka qenë e përgjegjshme ndaj kanë vlerësuar se tri nga katër kompanitë konkurruese kanë qenë të përgjegjshme dhe tenderi nuk duhet anuluar në tërësi.

Të kualifikuara për fazën e dytë në këtë tender kanë qenë gjashtë kompani, ndërsa katër prej tyre i kanë dorëzuar ofertat e tyre.

Kompania sllovene për prodhimin e pasaportave elektronike është eliminuar nga gara edhe pse ishte më e lira.

“Ne kemi ofruar 7 makina me kapacitet prodhimi prej 40 sekondash për personalizimin e një pasaporte, kjo do të thotë 90 pasaporta në orë. Kapaciteti i prodhimit i 7 makinave është 5.040 copë të pasaportave për 8 orë. Kapaciteti i ofruar i prodhimit nga ne është shumë më i lartë sesa kapacitetet e prodhimit prej 3.500 copë pasaportash i kërkuar në dokumentacionin e tenderit”, thuhet në letrën e kompanisë CETIS, por që është vlerësuar si e pabazë nga OBSH-ja.

“Ne jemi të bindur se oferta jonë e dorëzuar i plotëson kërkesat në dokumentacionin teknik, dhe me mirësi kërkojmë që ju të shikoni argumentet tona të shkruara më lart”, thuhet në kërkesën e CETIS të dorëzuar edhe në ministri.

Departamenti i Prokurimit i Ministrisë së Punëve të Brendshme kishte falënderuar ditë më parë pjesëmarrjen në procedurën e prokurimit të lartpërmendur kompaninë sllovene dhe me keqardhje i kishte njoftuar se janë eliminuar nga gara, sepse oferta që ata kishin dorëzuar, sipas ministrisë, nuk është pranuar për disa arsye.

“Ju jeni eliminuar për këto arsye: nuk keni përmbushur kërkesën e specifikimeve të detyrueshme teknike në dosjen e tenderit, sepse ju keni ofruar prodhimin e 100 pasaportave për 100 minuta, me 7 makina prodhuese. Nëse llogaritet sasia e prodhimit për orë, shohim se kapaciteti i prodhimit është 3.360 copë, kurse numri minimal i pasaportave që duhet të prodhohen brenda 8 orëve është 3.500”, thuhej në shkresën e Ministrisë drejtuar kompanisë konkurruese.

Kjo arsye ishte hedhur poshtë kategorikisht nga ofertuesi slloven, që ishte ankuar menjëherë në Organin Shqyrtues ku kishte ofruar të dhëna shtesë për dosjen e tenderit dhe kapacitetin e tyre prodhues që, sipas tyre, kalon kufirin e përcaktuar duke prodhuar 1.500 copë pasaporta më shumë. Të hënën ata do të marrin vesh edhe zyrtarisht se ankesa e tyre nuk është marrë për bazë as nga Organi Shqyrtues edhe pse ishin më të lirët në konkurrencën e prodhimit të pasaportave që janë pjesë e kushteve për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian (Më gjerësisht sot në “Kohën Ditore”. //koha//