Autoportreti i Warholit shitet për 12,7 milionë euro

Londër, 18 shkurt - Autoportreti i Andy Warhol i realizuar në vitin 1967 është shitur në një ankand për 12,7 milionë euro. Vepra është njëra prej 11 autoportreteve, të cilat artisti me nam i ka realizuar atë vit.
Piktura dyngjyrëshe, bardhë e kuq, 1,8 metrash, ka qenë pronë private që nga viti 1974. Fillimisht ishte parashikuar që kjo vepër, në ankandin e mbajtur në Londër, nuk do të arrijë të shitet as për pesë milionë dollarë. Kur qe realizuar vepra - e cila me çmimin e shitjes befasoi kritikët e artit - Warhol ka qenë në kulmin e karrierës. Për herë të parë u ekspozua në një ekspozitë në Montreal më 1967. Warhol, njëri prej përfaqësuese të pop-artit, ka vdekur më 1987 në moshën 59-vjeçare.
Një grafikë e Warholit, “Patinazhisti”, ruhet edhe në Galerinë e Arteve të Kosovës.