Bangladeshi, bordelloja që vuan urie

[b]Fshatra të tëra janë shndërruar në shtëpi publike

Jeta mes foshnjave të paligjshme e meshkujve të panjohur të 150 mijë punonjëseve të seksit

Duke arritur në Portin e Goa-s përgjatë Gatit është e vështirë të imagjinosh që do të vizitosh një bordello, e cila frekuentohet çdo ditë rregullisht nga 3 mijë burra. Qyteti është i pluhurosur, me radhë të gjatë kamionësh, dyqanet me çati prej llamarine të valëzuar janë në një plan me rrugën kryesore. Burra, djem dhe ndonjë dhi vërdallisen nëpër rrugët e qytetit.

Mjafton të bësh disa hapa përgjatë rrugës anësore, për të hyrë më pas në një botë krejtësisht ndryshe: Daulatdia, bordellon më të madhe të Bangladeshit. Është një vendbanim shumë i madh, i cili mund të konsiderohet si një fshat dhe pikërisht në këtë vend 1600 gra dhe vajza jetojnë dhe shesin seks.

Bordelloja, e cila është hapur prej njëzet vjetësh, është më e madhja e 14 të tillave më të njohura në vend. Ndodhet në kryqëzimin e dy lumenjve të mëdhenj, Jamuna dhe Gang (këtu e quajnë Padma) dhe është një vend transit për të marrë tragetet.

Pyetje në rritje

Kamionë që transportojnë oriz, jutë, kallame sheqeri dhe peshq nga perëndimi dhe jugperëndimi i vendit, presin në radhë dy apo tri ditë për të përshkuar lumin dhe për të arritur në qendrën e vendit. Ndodhesha në Bangladesh për disa punë të BBC-së, me qëllim që të vëzhgoja efektet e ndryshimeve klimatike në vend. Duke lundruar me një barkë që na e kishte dhënë hua agjencia radiotelevizive britanike, zbulova se një pasojë e paparashikuar e ngritjes së nivelit të ujit është rritja e pyetjes për prostitucionin.

Ndër të tjera, erozioni i digave të lumit i ka bërë të papërdorshme disa nga vendqëndrimet e trageteve. Burrat duhet të presin gjatë për të kaluar lumin. Kështu, për të mos ta ndjerë pritjen, shumë prej tyre e kalojnë kohën me gratë e Daulatdia-s. Bordelloja i ngjan një tregu fruta-perimesh. Ka parcela me zarzavate dhe fruta, kioska çaji, madje edhe një teknik që riparon televizorë.

Ndryshimi i vetëm që të bie në sy mes kësaj dhe qytetareve të tjera që kam vizituar në Bangladesh është prania e shumë grave që shfaqen në publik. Në këto rrugica ka 2300 dhoma me çati llamarine dhe mure prej stofi.

Çmimet më të larta

Bangladeshi nuk është vendi i vetëm me fshatra të tërë ku praktikohet prostitucioni. Në Kamboxhia është fshati i famshëm Svay Pak, ndërsa në Indonezi, disa fshatra presin 600 prostituta në kohë. Por Daulatdia veçohet për dy gjëra: përmasat dhe atmosferën jashtëzakonisht të lirë.

Në një rrugicë të ngushtë, përfundoj poshtë një çarçafi, i cili fsheh pas një tjetër dhe kështu papritur gjendem në mes të një dhome. Pas marrëdhënies, një klient po tymos një cigare. Duke më parë, zbret nga krevati dhe ikën. Në dhomë ka një televizor, një aparat dvd-je, një freskuese dhe një dollap të vogël me pasqyrë. Kjo është një nga dhomat më të mira.

Në dhomën ngjitur takoj Parveen, e cila është e gatshme të më udhëzojë. Mbi krevatin martesor është shtruar një mbulesë e madhe me luledielli. Për të krijuar një efekt dekorativ, Parveen ka prerë qindra lule të vogla nga copa e kuqe, e cila është vendosur si mur për të ndarë një dhomë nga tjetra. Ajo pohon se nuk është aspak e vështirë të gjesh klientë: “Gjithçka shkon mirë, pasi unë kujdesem shumë për fizikun tim. Zakonisht më duhen dy orë për t‘u bërë gati, më pas pres jashtë. Nëse dua të fitoj njëqind taka (monedha vendase, e cila është pak më shumë se një euro), duhet të shpenzoj të paktën 40 të tilla për fytyrën dhe veshjet”, tregon ajo. Me njëqind taka mund të blesh dy shishe të mëdha “Coca-Cola”. Parveen është më shumë se 20 vjeçe, prandaj tarifat e saj janë më të ulëta se ato të minoreneve, të cilat mund të fitojnë 10 herë më shumë.

Si prostitutë e pavarur, Parveen mund t‘i mbajë për vete paratë që i teprojnë, pasi të ketë paguar faturat e energjisë, qiranë dhe personat që kujdesen për fëmijët e saj në një zonë të fshatit: “I kam fshehur aty, sepse nuk dua që të rriten në këtë ambient”. Më shumë se 300 fëmijë jetojnë në bordello me nënat e tyre. Kur vjen ndonjë klient qëndrojnë poshtë krevatit, ose jashtë në rrugicë. Gratë me të cilat bisedoj më tregojnë se kur janë shtatzëna, shpresojnë që të sjellin në jetë një vajzë, sepse mund të punojë me to sapo të rritet pak.

Prostitutat me detyrim, “chucki” janë ato që nuk kanë shumë liri. Futen në bordello rreth moshës 14 vjeçe. Zakonisht janë rrëmbyer nga banda, janë shitur nga njerkat, apo janë sjellë këtu nga të fejuarit me premtimin se do të kenë një punë të mirë. Takoj një prej tyre, që ka veshur një sari (veshje tradicionale indiane) të kuq. Më thotë se duhet të presë tre ose katër klientë gjatë ditës dhe një në mbrëmje: “Kam ardhur këtu 10 vite më parë, pasi isha rrëmbyer dhe shitur. Jam nga Chittagong, një port shumë i largët prej këtu”. Bën një pushim më pas shton: “Nuk jam e lumtur”. Pas një farë kohe prostitutat me detyrim mund të blejnë lirinë. Ajo shpreson që ta arrijë pas një ose dy vitesh. Kur të mos jetë më një skllave, mund të largohet nga ky vend. Por edhe pse është rrëmbyer, familjarët nuk do ta pranojnë në shtëpi, sepse puna që bën nuk është e ndershme. Për këtë arsye ka të ngjarë që të qëndrojë këtu dhe të bëhet një prostitutë e pavarur.

Në hierarkinë e bordellos, skllavet janë ato që kanë më pak liri. Por edhe ato që kanë zgjedhur të vijnë këtu nuk kanë pasur shumë alternativa. Në një kërkim të bërë në vitin 2005, një organizatë humanitare shpjegonte se arsyet kryesore për futjen në bordello janë varfëria, mashtrimi, abuzimi dhe forca. Parveen ka ardhur këtu dhjetë vite më parë, për t‘i shpëtuar bashkëshortit të saj agresiv: “Isha e martuar, por burri im më dhunonte aq shpesh sa më në fund u detyrova t‘ia mbathja dhe erdha këtu”.

Edhe pse Islami e ndalon seksin jashtë martese, në Bangladesh ka njëqindmijë prostituta dhe klientët nuk heqin dorë nga zakoni i tyre. Nuk janë të frikësuar as nga bereta ime e shkruar BBC dhe as nga mikrofoni im. “Jam një biznesmen”, thotë njëri prej tyre, “prandaj fle këtu në port dhe nisem për rrugë mëngjesin tjetër. Shkoj gjithmonë tek e njëjta prostitutë”. Ndërkohë përfitoj nga rasti për t‘i bërë disa pyetje: "Ju jeni i martuar? Gruaja juaj është në dijeni që ju vini këtu? Qesh dhe më thotë: “Oh, jo! Sigurisht që nuk e di”. Përveç padronëve të shtëpisë dhe tutorëve, bordelloja u sjell përfitime edhe dyqaneve të ushqimeve, rrobaqepësve dhe tregtarëve të fruta-primeve, pasi brenda në Daulatdia produktet shiten me çmim më të lartë.

Kurse informimi

Për gratë e Daulatdia-s është shumë e vështirë që t‘i lejojnë vetes gjëra të rëndomta. Për këtë arsye, shumë prej tyre marrin pjesë në laboratorët për një seks të sigurt, të cilat zhvillohen pasdite. Qëndrojnë ulur në një divan-kënd elegant me ngjyrë të kuqe, verdhë dhe portokalli, ndërkohë që në dorë u jepet nga një penis plastik për të mësuar se si vendoset prezervativi.

Laboratorët mbi seksin e sigurt drejtohen nga shoqata “Bangladesh woman‘s health coalition” (Koalicioni për shëndetin e grave të Bangladeshit). Gratë kanë mesatarisht 19 klientë në javë dhe 60% thotë se klienti i tyre i fundit nuk ka përdorur masa mbrojtëse. Ndër të tjera përqindja zyrtare e SIDA-s mes prostitutave është e ulët, vetëm 1%. Është formuar një grup prostitutash për t‘u dhënë mësime grave të tjera, por mesa duket këto të fundit janë të mirinformuara për seksin e sigurt. Ato i këshillojnë se nëse klienti nuk pranon të vendosë prezervativin, nuk duhet të kryejnë marrëdhënie. Më të rrezikuara janë prostitutat me detyrim, sepse shpesh tutorët u premtojnë klientëve se kur të kryejnë marrëdhënie nuk do të përdorin prezervativ. Dhe kjo ndodh pasi ato kanë paguar shumë para.

Ka një grup klientësh që për traditë nuk përdorin masa mbrojtëse. Janë të dashurit e grave, të ashtuquajturit “babu”, që shpesh herë drejtojnë një biznes brenda bordellos. Gratë më shpjegojnë se i njohin prej kohësh: “Me to mund të kryejmë marrëdhënie pa masa mbrojtëse. I duam dhe kemi besim tek ato”. Por shumë prej “babu”-ve janë të martuar dhe mund të përhapin sëmundje ngjitëse brenda dhe jashtë bordellos. Disa “babu” më tregojnë se i vlerësojnë shumë mësimet që marrin burrat mbi marrëdhënien e mbrojtur. Të gjithë thonë se do të përdorin masa mbrojtëse para marrëdhënies.

Rruga kryesore të nxjerr në një fushë ku kullosin disa dhi. Për të parën herë arrij të shoh qiellin dhe të dëgjoj cicërimën e zogjve. Ky është vendi ku do të varrosen disa nga gratë. Edhe në vitin 2000, Gjykata e Lartë e Bangladeshit deklaroi se prostitucioni nuk është i jashtëligjshëm. Ky profesion mbetet një tabu dhe gratë që e praktikojnë nuk kanë të drejtë të varrosen në këtë vend. Kështu kjo tokë e qetë pas bordellos është bërë varreza e tyre.

Asnjëra nga këto gra nuk ka ndërmend ta kalojë pjesën e mbetur të jetës në këtë vend. Çdo njëra prej tyre ka ndërmend të largohet por jo tani. “Ndoshta do të qëndroj këtu për dy ose tri vjet. Do të dëshiroja të largohesha nga qyteti, por nuk e di se çfarë të bëj dhe ku të shkoj”, thotë njëra prej tyre. Këto gra e dinë që për to nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë shumë e vështirë që gjithçka ta nisin nga fillimi, duke parë edhe gjykimin e pjesës tjetër të shoqërisë - e njëjta prej nga vijnë edhe tremijë burrat, që i frekuentojnë çdo ditë në bordello. Për të duruar turpin që ndiejnë, shpeshherë gratë ua japin paratë që fitojnë lypësve që vërdallosen rrugicave të bordellos.

Njëra prej tyre tregon se prej 10 vjetësh mendon të zhduket nga ky ferr, për të ndërtuar një shtëpi për veten dhe fëmijët. Megjithatë, një punonjëse e shoqatës “Bangladesh woman‘s health coalition” (Koalicioni për shëndetin e grave të Bangladeshit) është skeptike për mundësitë e tyre për të nisur një jetë të re jashtë Daulatdia-s: “Ndonjë herë ikin, por pas pak kohësh kthehen sërish. Jashtë prej këtu nuk arrijnë të gjejnë një punë tjetër. Mësohen me këtë profesion dhe ambientin. Këtu gjejnë vetveten”.

Më pas pyes një grua nëse ka pasur ndonjë gjë të bukur në jetën e saj dhe ndoshta do të më përgjigjet se ndoshta jo gjithçka është e mjerë dhe e zezë. Ndoshta mund të më përgjigjet se ka një shoqëri të madhe. Por jo, më sheh me sytë e zbehtë dhe thotë: “Çfarë mund të jetë e bukur? Jam këtu vetëm për të mbijetuar. Nëse do të isha jashtë, do të kisha një burrë dhe familje, por këtu brenda duhet të pres gjithmonë klientë të ndryshëm. Doni ta dini se si është jeta këtu? Ne nuk kemi jetë”.

  1. Në Bangladesh prostitucioni është i ligjshëm për femrat që deklarojnë se janë mbi 18 vjeçe dhe e ushtrojnë këtë profesion në mënyrë vullnetare.

  2. Sipas statistikave, numri i prostitutave është 150 mijë. Por sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë ato janë 35 mijë dhe klientët shtatëqind mijë.

  3. Bordellot e ligjshme janë katërmbëdhjetë.

  4. Sipas organizatës “Terre des hommes”, numri i minoreneve që detyrohen të prostituojnë është dhjetëmijë

  5. Sipas Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Grave në Bangladesh, 60% e klientëve nuk përdorin masa mbrojtëse

Më shumë se 300 fëmijë jetojnë në bordello me nënat e tyre. Kur vjen ndonjë klient qëndrojnë poshtë krevatit, ose jashtë në rrugicë

Jam këtu vetëm për të mbijetuar. Nëse do të isha jashtë, do të kisha një burrë dhe familje. Doni ta dini se si është jeta këtu? Ne nuk kemi jetë

Mjafton të bësh disa hapa, më pas hyn në një botë krejt ndryshe: Daulatdia, bordelloja më e madhe e Bangladeshit. Këtu 1600 gra dhe vajza jetojnë dhe shesin seks

“Nuk jam e lumtur”. Pas një farë kohe prostitutat me detyrim mund të blejnë lirinë. Ajo shpreson që ta arrijë pas një ose dy vitesh. Kur të mos jetë më një skllave, mund të largohet nga ky vend. Por edhe pse është rrëmbyer, familjarët nuk do ta pranojnë në shtëpi, sepse puna që bën nuk është e ndershme[/b]