Barça-Mançester është finalja e ëndrrave…

     [b]Formacionet, pikat e forta dhe të dobëta te ekipet që synojnë “kurorën” europiane[/b]

Barcelona, kampione e Spanjës, do të ndeshjet me Mançester Junajtid, kampion i Anglisë, sonte në “Olimpiko”, për finalen e Ligës së Kampioneve. Barça synon të bëhet skuadra e parë në historinë e futbollit spanjoll, që fiton të tre veprimtaritë në harkun e një sezoni, ndërsa “djajtë” mund të bëhen ekipi i parë, që e fiton Championsin dy vjet rradhazi, që nga viti 1992, kur kjo veprimtari ndryshoi formatin dhe “braktisi” emrin e vjetër Kupa e Kampioneve.

FORMACIONET

Do të jetë habi e madhe nëse ndonjë prej trajnerëve heq dorë nga vendosja taktike, që kanë përdorur gjatë gjithë këtij sezoni. Barcelona e Guardiolës ka luajtur gjithmonë me skemën 4-3-3, ndërsa në ndeshjet e mëdha, Mançesteri i Aleks Fergusonit aplikon vendosjen 4-4-2 me Parkun dhe Gigsin në krahët e mesfushës.

PIKAT E FORTA

Barcelona e ka armën më të fuqishme te treshja sulmuese, e mbështetur nga fantazia e Injestës dhe krijimtaria e Ksavit. Eto, Mesi dhe Henri kanë shënuar sëbashku 71 gola në këtë sezon. Barça është e favorizuar nga teknika e lartë, që zotërojnë pjesa më e madhe e futbollistëve në formacion.
Pavarësisht se ka emra të tilla si Runi apo Kristiano Ronaldo dhe shënon në të gjitha mënyrat, mbrojtja është arma më e fortë e Mançesterit. Anglezët kanë nga ana e tyre edhe eksperiencën e trajnerit Ferguson, njeriun e “1000 betejave”, i cili i injekton ekipit vendosmëri dhe besim.

PIKAT E DOBETA

Barcelona ka pasur disa probleme në mbrojtje, të cilat janë thelluar në finale me mungesën e tre titullarëve, Erik Abidal, Dani Alvesh dhe Rafael Markez.
Duke menduar se Mesi dhe Injesta nuk mbrojnë aq sa duhet, atëherë Guardiola duhet të ketë kujdes nga lëvizjet e takticienit Aleks Ferguson, mjaft i aftë në shfrytëzimin e pikave të dobëta të kundërshtarit. Nga ana e tij, Mançesteri ka treguar shumë pak dobësi gjatë këtij sezoni, por duhet thënë se mesfushorët e “djajve” nuk janë krijues si ata të Barcelonës.

MBROJTJA

Guardiolës i duhet të eksperimentojë në mbrojtje për shkak dëmtimesh dhe pezullimesh. Mbrojtësit anësorë Dani Alvesh dhe Erik Abidal janë të skualifikuar, ndërsa qendërmbrojtësit Rafael Markez dhe Gabi Milito janë të dëmtuar. Kapiteni Karles Pujol do të luajë në të djathtë, Pike në qendër përkrah të “improvizuarit” Jaja Ture. Në të majtë të prapavijës mund të luajë veterani Silvinjo ose mesfushori Seidu Keita.
Te Mançesteri, Rio Ferdinand është riaftësuar nga dëmtimi në brinjë dhe do të luajë si titullar përkrah Nemanja Vidiçit dhe Patris Evrasë. Janë mbrojtësit më të mirë të botës, për të ndalur sulmin e Barçës, që ka shënuar 156 gola në këtë sezon. Portierët e të dy ekipave janë Viktor Valdes (Barcelona) dhe Edvin Van der Sar (Mançester).

MESFUSHA

Barcelona do të luajë me tri katalanas në mesfushë, futbollistë të rritur në sistemet zinxhir “blaugrana”. Injesta, Ksavi dhe Buskets do të jenë “policët e trafikut” te një ekip që falë tyre e qarkullon topin me një shpejtësi marramendëse. Injesta shënoi golin vendimtar ndaj Çelsit, Ksavi është lojtari më me shumë “asist” në Champions, ndërsa 20-vjeçari Serxhio Buskets konsiderohet si zbulimi i trajnerit Guardiola.
Përballë do të jenë Majkëll Kerrik dhe braziliani Anderson. Forcë, cilësi dhe mbi të gjitha 90 minuta vrap pas topit. Në krahun e djathtë do të luajë koreani Park, ndërsa Rajan Gigs është favorit për të zëvendësuar të skualifikuarin Fletçer, për të luajtur finalen e tij të tretë në Champions. Keita dhe Skols mund të jenë suprizat e minutës së fundit.

SULMI

Këtu preken majat… më të mirët e mundshëm. Mesi, Eto dhe Henri nga njëra anë, Kristiano Ronaldo dhe Runi nga ana tjetër. Të pesë këta futbollistë kanë bërë një sezon të mrekullueshëm dhe ndërmjet tyre do të ndajnë podiumin e “Topit të Artë”.
Ekipi i Barcelonës ka shënuar deri tani 156 gola në të gjitha veprimtaritë, nga të cilët mbi gjysmën “tredhëmbëshi” i sulmit, ndërsa Ronaldo dhe Runi mund të realizojnë në çdo moment të ndeshjes, nga çdo pozicion. Pastaj, të dy ekipet kanë sulmues cilësorë edhe në stol. Barça mund të bazohet te talenti i Bojan Kërkiçit, ndërsa Dimitar Berbatov dhe Karlos Tevez janë “kartat luksoze” të Fergusonit.

BARCELONA (4 3 3): Valdes, Pujol, Ture, Pike, Silvinjo (Keita), Ksavi,

Buskets (Keita), Injesta, Mesi, Eto, Henri.
Në stol: Pinto, Kaseres, V.Sançez, Gudjohnsen, Hleb, Kërkiç
Trajner: Guardiola

MANÇESTER U (4 4 2): Van der Sar, O’Shi, Ferdinand, Vidiç, Evra, Park,

Kerrik, Gigs (Skols), Anderson, Runi, Ronaldo.
Në stol: Foster, Nevil, Ivans, Skols (Gigs), Nani, Berbatov, Tevez. Trajner: A.Ferguson

Shifra dhe fakte

  • Finalja e sotme do të jetë e 54-a për këtë veprimtari që filloi në sezonin 1955/56.
  • Barcelona luan për herë të pestë në një finale dhe e ka fituar dy herë Championsin në vitet 1992 dhe 2006.
  • Mançesteri luan për herë të katërt në finale dhe i ka fituar të tri takimet e mëparshme në vitet 1968, 1999 dhe 2008.
  • Barcelona ka fituar katër herë Kupën e Kupave dhe tri herë Kupën UEFA, ndërsa Mançesteri ka fituar një herë Kupën e Kupave dhe asnjëherë Kupën UEFA.
  • Ky është edicioni i pestë rradhazi ku një skuadër angleze luan në finalen e Ligës së Kampioneve.
  • Mançesteri synon të bëhet ekipi i parë që e fiton Championsin dy vjet rradhazi, që nga viti 1992, kur kjo veprimtari ndryshoi formatin dhe emrin. Ndërkohë, Milani, Ajaksi dhe Juventusi kanë arritur dy herë rradhazi në finale, por janë mundur në të dytën.
  • Mançesteri nuk humbet prej 25 ndeshjesh në Ligën e Kampioneve. Humbja e fundit ka qenë ajo ndaj Milanit në gjysmëfinalen e vitit 2007.
  • Roma, kryeqyteti i Italisë, do ta presë finalen e Ligës së Kampioneve për herë të katërt pas viteve 1977, 1984 dhe 1996. Në dy nga këto raste ka fituar Liverpuli. Rekordin e mban stadiumi “Uembli” i Londrës, që ka pritur pesë finale. E gjashta do të jetë në vitin 2011.
  • Vitin e kaluar, Aleks Ferguson u bë trajneri i 16-të në historinë e Kupave të Europës që e fiton dy herë Championsin.
  • Ferguson, 67-vjeçar mund të bëhet trajneri i dytë më i vjetër në moshë që fiton Ligën e Kampioneve. Rekordin e mban belgu Rajmon Getals, që i dha titullin Marsejës kur ishte 71 vjeç.
  • Guardiola do të bëhej trajneri më i ri që fiton Ligën e Kampioneve në 49 vitet e fundit, nëse Barça mund Mançesterin. Pep 38-vjeçar është vetëm tetë ditë më i madh se rekordmeni i të gjitha kohërave, Munjoz, trajneri i Realit në vitin 1960.
  • Guardiola mund të bëhet i gjashti që e fiton Championsin si trajner dhe si futbollist, por vetëm i treti që e bën diçka të tillë me të njëjtin klub. Më parë këtë sukses e kanë arritur Munjoz me Realin e Ançeloti me Milanin.
  • Henri ka shënuar në stadiumin “Olimpiko” golin e tij të parë në Ligën e Kampioneve, në nëntor në vitit 2002 kur luante me Arsenalin.
  • Van der Sar ka qenë portieri i Ajaksit që u mund nga Juventusi me 11-metërsha në finalen e “Olimpiko”-s në vitin 1996.
  • Henri, Evra, Berbatov dhe Hleb janë lojtarët që e kanë humbur një finale të Championsit gjatë karrierës së tyre.

Rruga drejt Romës…

Barcelona

Faza me grupe
Barcelona shënoi 18 gola në fazën me grupe dhe nuk e vuri për asnjë moment në diskutim kualifikimin si vendi i parë i grupit C, pavarësisht nga humbja me Shakhjtorin në ndeshjen e fundit. Sportingu dhe Bazeli ishin rivalët e tjerë.

1/8-t e finaleve
BARÇA-LION (5-2) (1-1)

Një goditje dënimi e kapitenit Zhuninjo i dha Lionit barazimin në ndeshjen e parë ndaj Barcelonës, por të besuarit e Guardiolës bënë diferencën në “Kamp Nou”, ku fituan pa probleme, 5-2.

Çerekfinalet
BARÇA-BAJERN (4-0) (1-1)

Katër gola në 45 minutat e para të ndeshjes së parë mbyllën “çështjen” ndaj Bajernit. Pjesa tjetër e sfidës, përfshi 90-të minutëshin në Mynih, u luajt sa për statistikë.
Gjysmëfinalet
BARÇA-ÇELSI (0-0) (1-1)

Pas barazimit 0-0 në “Kamp Nou” dhe golit të Esienit në fillim të ndeshjes së kthimit, Barcelona po shkonte drejt eleminimit, por në minutën e 93-të Injesta shënoi golin kualifikues të barazimit.

Mançesteri
Faza me grupe

Mançesteri ishte në një grup relativisht të lehtë me Sëlltikun, Alborgun dhe Vilarealin, ku i mjaftuan dy fitore për të marrë vendin e parë. Të dyja ndeshjet me spanjollët e Vilarealit u mbyllën në barazim pa gola.
1/8-t e finaleve

MAN.UTD-INTER 2-0 (0-0)

Mançesteri i Fergusonit u hakmorr ndaj Mourinjos, duke eleminuar Interin. Pas barazimit pa gola në Milano, “djajtë” kishin një marsh më shumë në ndeshjen e kthimit.

Çerekfinalet
MAN.UTD - PORTO 2-2 (1-0)

Barazimi 2-2 në “Old Trafford” i futi dridhma kampionëve, por “magjia” e Kristiano Ronaldos në ndeshjen e kthimit largoi të gjitha “fantazmat”.

Gjysmëfinalet

MAN.UTD - ARSENAL 1-0 (3-1)

Mançesteri eleminoi Arsenalin në gjysmëfinale me dy fitore dhe rezultatin e përgjithshëm 4-1. Të besuarit e Fergusonit ishin një shkallë më lart se “topçinjtë” në të gjitha drejtimet.