Bariç jep dorëheqjen pas humbjes së turpshme

[b]Rumania luan tenis me kuqezinjtë, fiton 6-1

Humbja e turpshme 6-1 e Kombëtares shqiptare në Bukuresht ka shtyrë trajnerin Bariç të japë dorëheqjen nga posti i trajnerit të kuqezinjve. Vendimi është marrë pak minuta pas përfundimit të ndeshjes që dënoi Kombëtaren shqiptare me vendin e pestë në Grupin G. Kanë mjaftuar dy humbjet në katër ditë që situata e Bariç të ndryshojë krejtësisht dhe ai ka deklaruar se nuk do të ulet më në stolin e përfaqësueses shqiptare. “Jam i lodhur, jam 75 vjeç tashmë. Nuk mund të drejtoj më Kombëtaren shqiptare. Jap dorëheqjen e parevokueshme”, ishin fjalët e tij pas takimit me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Në fakt, ndeshja e djeshme ka vërtetuar se diçka nuk shkon te kuqezinjtë, që janë dorëzuar pa kushte në një takim ku duhej medoemos një rezultat pozitiv për të ruajtur pozitat në grup.

Në fillimin e takimit të djeshëm, Shqipëria ishte rreshtuar më e kujdesshme në mbrojtje, duke lënë vetëm Bogdanin në sulm. Por prapavija kuqezi nuk funksionon, sidomos krahu i majtë, ku aktivizohet Vangjeli. Si rrjedhojë, vjen dhe goli i parë i Rumanisë në minutën e 22-të, kur Koçish pason në qendër për Dikën që falënderon duke e dërguar topin në rrjetë. Shqipëria përpiqet të reagojë, por dy herë radhazi Skela humb mundësi të mira për të shënuar. Kovaçiç vendos të ndryshojë diçka, dhe largon pikërisht Vangjelin për të aktivizuar Kapllanin, por kjo çorganizon krejtësisht skemën kuqezi, me pasojat që shihen pak minuta para fillimit të pjesës së dytë. Tamash dyfishon shifrat me ekzekutimin e një goditjeje dënimi në minutën e 54-t, ndërsa pak minuta më vonë Curri ndëshkohet me karton të kuq dhe lë para kohe fushën e lojës. Në minutën e 62-të vjen edhe goli i tretë rumun, këtë radhë me Nikulae, që shfrytëzon shpërqendrimin e kuqezinjve. Kapllani shkurton diferencën vetëm dy minuta më vonë, por gëzimi i kuqezinjve zgjat pak sekonda, pasi me rifillimin e lojës është Nikulae që shënon përsëri. Për të kurorëzuar paraqitjen katastrofike të mbrojtjes, Lila dhe Dede shkaktojnë dy 11-metërsha brenda tre minutash, të cilët transformohen në gol nga Marica dhe Dika. Për më tepër, Dede merr kartonin e dytë të verdhë dhe largohet edhe ai nga fusha me karton të kuq, duke lënë Shqipërinë me 9 lojtarë. Stafi kuqezi çudit të gjithë, duke aktivizuar Hykën e Bakajn, ndonëse në fushë nuk kishte asnjë qendërmbrojtës, ndërsa në stol ishte Rrustemaj. Por kjo thjesht vulos natën e shëmtuar të Kombëtares që e përfundon grupin eliminator në vendin e 5-të, vetëm falë dhuratës së Bullgarisë që fitoi në Slloveni. Pas hedhjes së shortit të Botërorit, pritet një mbledhje në FSHF, ku do të përcaktohen fajtorët e kësaj jave katastrofike për futbollin shqiptar, si dhe do të fillojë kërkimi për trajnerin e ri të kuqezinjve.

Bariç, fundi i karrierës si kuqezi

Oto Bariç u emërua në stolin e përfaqësueses shqiptare në fillimin e korrikut të vitit 2006. Pasi nënshkroi kontratën me FSHF-në, ai bëri të ditur se gjatë këtij edicioni do të mundohej të rinovonte skuadrën, ndërsa do të përpiqej të ngjiste një vazo më lart Kombëtaren. Gjatë qëndrimit të tij në vendin tonë, ai arriti të afronte disa futbollistë të rinj që debutuan me Kombëtaren, si Kastrati, Vangjeli, Berisha, Bulku, Hyka, Lila dhe Bakaj. Në të njëjtën kohë ai largoi disa prej “veteranëve” të Kombëtares, si Tare, Hasi, Aliaj dhe Murati. Por pikërisht idetë e tij mbi trajtimin e të gjithë lojtarëve si të barabartë dhe kritikat ndaj emrave të njohur bënë që ai të humbte mbështetjen e grupit të futbollistëve. Në dy ndeshjet e fundit, në mënyrë të pashpjegueshme të njëjtët lojtarë që morën dy barazimet ndaj Bullgarisë dhe luajtën në mënyrë të shkëlqyer ndaj Holandës, zhgënjyen me rezultate katastrofike.[/b]

Baric per mua tranjeri me i mire qe ka pasur Shqiperia.

eshte me se e ditur qe kombetares i intereson vetem leku, per ata nuk ka rendesi rezultati dhe vlerat, shume keq