Berisha takon Berluskonin:Marrëveshje 2.6 miliardë euro me I

[b]Tiranë (start)-Në fjalën e rastit kryeministri Sali Berisha tha se sot është një ditë e madhe për ne, ndërsa e konsideroi Berluskonin si një mik të madh të shqiptarëve. Berisha theksoi se me kryeministrin Berluskoni janë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme me vlerë 2.6 miliardë eurosh.

Kryeministri shqiptar ka premtuar lehtësira për biznesin italian në vendin tonë, duke përmendur këtu taksat më të ulëta që Shqipëria ka në Evropë. Kreu i qeverisë shqiptare tha më tej, se ishte diskutuar edhe për marrëveshje në fushën e turizmin, ku është firmosur për ndërtimin e parqeve të para turistike në bregdetin shqiptar, kryesisht në zonën e Vlorës, ku biznesi italian do të jetë financues.

Disa nga marrëveshjet më të rëndësishme kanë qenë ato në fushën e energjisë, ku Berisha theksoi se Shqipëria do të shndërrohej në një nga zonat energjetike më të mëdha në Ballkan, ku Shqipëria, siç vlerësoi kryeministri i vendit tonë, ka resurse të mëdha. Në temë tjetër e diskutimeve ka qenë edhe në fushën e luftës ndaj krimit të organizuar.

Ndërsa kryeministri italian Berluskoni tha se Shqipëria ka vuajtur nga diktatura komuniste, teksa ka afruar mbështetje të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Te qeveria dhe autoritetet shqiptare, investitorët italianë do të gjejnë një mundësi për thjeshtimin e burokracive dhe jo ashtu siç ndodh shpesh, dhe të gjithë jemi dëshmitarë për atë që u ndodh firmave të ndryshme italiane kur operojnë dhe veprojnë jashtë shtetit”, u shpreh Kryeministri Berlusconi.

Duke u ndalur te aspirata euroatlantike e Shqipërisë, Kryeministri Berlusconi vlerësoi sukseset e arritura deri tani nga pala shqiptare. “Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të mbështesë Shqipërinë në momentin që ju do të vendosni të paraqesni kërkesën për statusin e vendit kandidat në BE”, tha Kryeministri italian.

Në këtë kuadër, ai shprehu bindjen se “të gjitha konfliktet e sotme në Ballkan do të marrin fund përgjithmonë vetëm me hyrjen e vendeve ballkanike në familjen e vendeve europiane”.

Në përfundim, Kryeministri Berlusconi i bëri një ftesë publike Kreut të Qeverisë shqiptare që të marrë pjesë në kursin një javor i cili do të organizohet në muajin mars të vitit të ardhshëm në Itali. “Besoj se do të jetë një kënaqësi e vërtetë të dëgjojmë leksionin e tij për të kuptuar se si një popull mund të kalojë nga diktatura e plotë drejt një demokracie të plotë”, tha në përfundim, Kryeministri italian.

Përfundon takimi Berluskoni Berisha

ora 13:08 (start)-Ka përfunduar takimi midis kryeministrit italian Silvio Berluskoni dhe homologut të tij shqiptar Sali Berisha. Pas takimit kokë më kokë, të dy kryeministrat kanë dhënë një konferencë për shtyp. Fillimisht është nënshkruar një marrëveshje për Kodin e punës, midis ministrit shqiptarë të Punës Çështjeve Sociale Anastas Duro dhe ambasadorit italian në Tiranë D’Elia. Një tjetër marrëveshje e rëndësishme është nënshkruar për ndërtimin e një impianti gazi në Fier, marrëveshje për ndërtimin e një fabrike çimentoje në Balldre, ndërtimin e një parku energjetik në Vlorë, etj.

Gazeta start[/b]