BOKS

[b]Luan Krasniqi kundër Aleksander Dimitrenko për titullin evropian

Luan Krasniqi do t’i rikthehet ringut për të kërkuar të bëjë të vetin edhe një herë titullin e më të mirit të Evropës. Megjithëse një gjë e tillë akoma nuk është zyrtarizuar, ka shumë gjasa që në fillim të vitit të ardhshëm boksieri shqiptar nga Kosova të luftojë kundër ukrainasit Aleksander Dimitrenko për brezin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Lajmi është bërë i ditur nga Klaus-Peter Kohl, drejtuesi i “Universum Box Promotion” i cili menaxhon karrierën e të dy boksierëve.

36-vjeçari Krasniqi më parë kishte arritur që të fitojë dy herë titullin e kampionit të Evropës në kategorinë e rëndë. Së pari më më 5 janar 2002 pasi kishte mposhtur gjermanin Rene Monse, por pas vetëm gjashtë muajsh e humbet titullin përballë polakut Przemyslaw Saleta. Pas kësaj Krasniqit do t’i duhen edhe dy vite të tjera për të rikthyer titullin evropian duke mposhtur turkun Sinan Samil Sam, ndërsa e mbron edhe dy herë këtë brez, për ta lënë atë vakant në vitin 2005 kur edhe filloi aventurën për të bërë të vetin titullin e kampionit të botës.

Sigurisht që rikthimi në “skenën evropiane” është një hap mbrapa për Krasniqin, por rikthimi duhet të fillojë prej kësaj pike pas humbjes së fundit nga Tony Thompson në korrik të këtij viti, humbje kjo që nuk e lejoi të sfidojë edhe një herë titullin botëror.

Ndërkohë kundërshtari i mundshëm i Krasniqit, Aleksander Dimitrenko konsiderohet si një nga boksierët e së ardhmes në ringun profesionist. Ukrainasi 25-vjeçar renditet një nga 15 boksierët më të mirë të botës dhe aktualisht mban titullin “WBO Inter-Continental”. Në karrierën e tij si profesionist ka zhvilluar 27 ndeshje dhe të gjitha i ka fituar (17 prej tyre me “knockout”).[/b]

[b]E Shtune, 05 Janar 2008

Luan Krasniqi përsëri në ring për titullin evropian

Është konfirmuar përballja e Luan Krasniqit me ukrainasin Alxander Dimitrenko për titullin e kampionit të Evropës dhe atë Interkontinental në versionin WBO për peshat e rënda. 36-vjeçari i lindur në Junik të Kosovës do të ngjitet në ring më 8 mars të këtij viti në Shtutgart. Përballja e fundit e Luan Krasniqit ishte ajo e zhvilluar në korrik të vitit të kaluar kur ishte mposhtur nga amerikani Tony Thompson në një duel eliminator për titullin e kampionit të botës. Tashmë për Krasniqin që ka 30 fitore të shënuara në 34 duelet e tij në ringun profesionist dhe që ka qenë dy herë kampion evropian, përballja me të pamposhturin Alxander Dimitrenko është shansi i fundit për një luftë të ardhshme për titullin e kampionit të botës. Më 28 shtator të 2005-tës Krasniqi kishte provuar të rrëmbente titullin e kampionit të botës, por ishte ndalur nga amerikani Lamon Brewster, që kishte shënuar fitore me “knockout”.

Alexander Dimitrenko në anën tjetër është i pamposhtur në karrierën e tij si profesionist duke shënuar fitore në 27 duelet e tij, së fundmi duke mposhtur gjermanin Timo Hoffmann, kundër të cilit Luan Krasniqi kishte shënuar barazimin e vetëm në karrierën e tij.
[/b]

[b]E Diele, 24 Shkurt 2008

Luan Krasniqi kundër Ruslan Chagaev për titulin botëror WBA

Luan Krasniqi do të ketë mundësinë që të luftojë për titullin e kampionit të botës shumë më shpejt seqë ishte menduar. Sipas mediave gjermane 36-vjeçari i lindur në Junik të Kosovës do të jetë sfiduesi i kampionit aktual në versionin WBA, uzbekut Ruslan Chagaev. Një kontratë për këtë duel akoma nuk është nënshkruar, por vetë kampioni Chagaev ka konfirmuar duelin e tij me shqiptarin Krasniqi. Në një intervistë për të përditshmen gjermane “Die Welt” Chagaev ka folur për Krasniqin si kundërshtarin e tij të radhës. “E njoh shumë mirë Luanin. E di çfarë ka pikë të fortë dhe të dobët. E kam shumë të qartë sesi duhet të boksoj kundër tij”, ka thënë Chagaev.

Tashmë është rezervuar edhe palestra “Porsche Arena” në Shtutgart dhe dueli mendohet të zhvillohet në muajin maj. Mbetet të pritet vetëm konfirmimi nga ana e federatës WBA (World Boxing Association), nëse do ta pranojë si sfidues Luan Krasniqin për titullin botëror. Aktualisht Krasniqi renditet në pozitën e 15-të në listën e boksierëve më të mirë të kategorisë së rëndë në versionin WBA.

29-vjeçari Ruslan Chagaev kishte fituar titullin duke mposhtur gjigandin rus Nikolai Valuev (213 cm/146 kg) në prill të vitit të kaluar, ndërsa në fillim të këtij viti ka mbrojtur titullin përballë anglezit Matt Skelton.

Në anën tjetër Luan Krasniqi ka dështuar një herë të fitojë titullin botëror WBO pasi ishte mposhtur në shtator të vitit 2005 nga amerikani Lamon Breëster. Edhe humbja e fundit nga Tony Thompson i kishte kushtuar Krasniqit me humbjen e mundësisë për të sfiduar përsëri titullin e kampionit të botës në versionin WBO.
[/b]