BT dhe Nokia nisin kërkimet për brezin e ri të internetit 5G

Dy gjigantët e teknologjisë BT dhe Nokia kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për nisjen e hulumtimeve për zhvillimin dhe testimin e brezit të ri të internetit, 5G.

Pavarësisht që teknologjia 4G e internetit në mobil ende nuk është përhapur në gjithë botën, BT dhe Nokia kanë nisur kërkimet për një brez të ri, më të shpejtë të internetit në mobil 5G.

Si hap i parë i këtij bashkëpunimi, Nokia ka nisur testimin e pajisjeve të saj të gatshme që e mbështesin 5G-në në laboratorët e kompanisë britanike të telekomunikimeve BT.

Gjenerata e re e internetit, 5G pritet të ketë avantazhe të shumta ndaj gjeneratave ekzistuese.

Me këtë brez, videot në YouTube do të hapen shpejtë dhe pandërprerje edhe kur jeni duke udhëtuar. Po ashtu do të mundësohet komunikimi me njëra tjetrën i veturave elektrike, shfletimi i përmbajtjeve me rezolucion të lartë, realitetit virtual dhe pamjeve 360 gradë, shkruan Coventry Telegraph.

Bota nuk është ende gati për këtë rrjet, gjë që nënkupton se kompanive teknologjike do t’u duhet kohë t’i përshtatin dhe avancojnë pajisjet e tyre me frekuenca të reja.

Në anën tjetër, në vendin tonë rrjeti 4G është sjellë së pari nga operatori IPKO në vitin 2014, për t’u përcjellë pastaj nga Vala në vitin 2015.

IPKO llogaritet që mban 60% të tregut vendor të internetit në mobil, ndërsa operatorët kanë thënë se mbulojnë 80% të popullsisë me rrjet 3G/4G. /Telegrafi/