Bufon kërkon një “e-mail” nga Obama

Bufon kërkon një “e-mail” nga Obama

Me rastin e 31-vjetorit, portieri përuron adresën e re në internet, duke shfaqur një dëshirë

Tashmë 31 vjeç dhe një ëndërr në sirtar: të marrë një “e-mail” nga Barak Obama. Xhianluixhi Bufon në ditëlindjen e tij (dje), i dhuroi vetes një adresë të re në internet: “Një faqe e shpejtë, e gjallë dhe bashkëkohore”, - e ka përcaktuar portieri i Juventusit, duke shtuar që ëndrra e tij, është të marrë një “e-mail” nga presidenti i ri amerikan me një mesazh stimulues, ndoshta me këto fjalë:

“Hi Buffon, yuo are my favourite goalkeeeper in the world” (”Përshëndetje Bufon, ju jeni portieri im i parapëlqyer në botë”). “E kam pasur një adresë interneti prej vitesh, - rrëfen Xhixhi, - por kujdesesha pak, ishte pak e lodhshme dhe për këto 6-7 vitet e fundit të shkëlqyera të karrierës sime, doja t’i dhuroja vetes për ditëlindje një adresë të re, një faqe të shpejtë, që sipas meje, do t’u pëlqejë shumë tifozëve dhe njerëzve”.

Dhe ja pra atëherë versioni i ri i “ëëë.gianluigibuffon.com”. “Me internetin nuk është se kam ndonjë marrëdhënie direkte, por ndonjë gjë ulem dhe e shikoj, sepse është i thjeshtë, i shpejtë, i lehtë. Pastaj nuk dua të qëndroj shumë prapa me kohën”, - qesh Bufon. Pastaj, siç është e zakonshme të bëjë, numri 1 bardhezi zbulon:

“Mund t’u pëlqejë ose jo të tjerëve, varet pak edhe nga shijet, por në linjë maksimale, besoj se jam jam shumë pozitiv si personazh, ndonëse luaj te Juventusi. Besoj se, ndoshta edhe tifozeritë e tjera, ose dashamirësit e sportit në përgjithësi, kanë një mendim të mirë për mua”. Në fund për pyetjen se nga cili dëshiron të marrë një “e-mail”, i jep një përgjigje të papritur:

“Mund ta teproj, ose jam pak modest nëse them që do të më pëlqente ta merrja nga Obama? Përshëndetje Bufon… Uroj që të më flasë kështu: “Ti je portieri im i parapëlqyer në botë”. Kjo do të më pëlqente për të mundur të nisja një dialog, një marrëdhënie me të”.
5 shkrimet e fundit nga Erion Abule

Milani: Paguajmë që Bekhami të qëndrojë

Administratori i deleguar, Galiani do të takohet me menaxherët e anglezit sot. Në “San Siro” pritet edhe Kapelo

Devid Bekham kërkon Milanin dhe Milani kërkon Devid Bekhamin edhe pas datës 9 mars, kur është dhe afati i skadencës së huazimit të tij. Adriano Galiani është realist mbi mundësinë e mbajtjes së mesfushorit anglez në Milano: “Nëse klubi i Galaksisë do të vendosë të mos e shesë, ata nuk do ta shesin”.

Por në të njëjtën kohë administratori i deleguar kuqezi, hap një rreze drite: “Nëse Devidi do të bjerë dakord me klubin e Los Anxhelesit, Milani është i gatshëm të paguajë për ta pasur. Sot do të jenë në Milano menaxherët e tij për të biseduar. Ne do të flasim me ta dhe ata do të flasin me drejtuesit e skuadrës amerikane.

Të gjithë e dinë se Milani është gati ta blejë përfundimisht kartonin e Devidit. Nuk e njoh kontratën që e lidh me Galaksinë, nuk e di as rrogën e tij, nuk jam në dijeni as për ekzistencën e një klauzole për zgjidhjen e kontratës, por në çdo rast, Milani ka një marrëveshje nderi me të gjithë dhe është ajo që na pengon të merremi me kluzolat mbi zgjidhjen e kontratave”.

Trajneri i skuadrës amerikane Brus Arena është i qartë: “Kemi fiksuar kushtet dhe pranuar huazimin, e dimë që i kemi bërë gjërat në mënyrën më të mirë të etikës. Jemi të lidhur me marrëveshjen e huazimit”. Administratori i deleguar kuqezi nuk e fsheh pra dëshirën për të mbajtur anglezin, por kjo pa arritur te një takim me klubin amerikan:

“Nuk mund dhe nuk duam të bëhemi hileqarë me një klub që me ne është sjellë shumë mirë dhe që i falënderoj, pra, më 9 mars do ta zgjidhim kontratën me Bekhamin. Pastaj nëse ai do të flasë me klubin e tij dhe do të gjejë një marrëveshje për t’u çliruar, atëherë ne do ta presim me krahë hapur”.

Pra, e ardhmja e Beksit është në duart e tij dhe është për të vënë bast që ai do të bëjë gjithçka, sepse kjo e ardhme i ka ngjyrat kuqezi. I pyetur mbi këtë temë për të disatën herë, ka folur edhe trajneri kuqezi Karlo Ançeloti, i cili kërkon të heqë çdo akuzë nga ana e klubit të Los Anxhelesit se Milanin po punon “nën rrogoz” për ta bindur futbollistin të qëndrojë:

“Brus Arena flet pa fakte. Për atë që Devidi ka bërë, ne jemi të kënaqur nëse do të qëndrojë me ne, por vendimin nuk na përket ne dhe ne nuk duam të ndikojmë me qëndrimin tonë, as unë e as klubi, sepse Milani është një skuadër serioze”.

Ndërkohë edhe shtypi anglez beson te qëndrimi me fanellën kuqezi të mesfushorit. E përditshmja “Times” shkruan: “Devidi do të vendosë brenda 15 ditësh, por duhet bindur Viktoria”. Po, sepse gruaja e 34-vjeçarit parapëlqen të qëndrojë më shumë në SHBA sesa në Europë, vitet e fundit.

Pastaj edhe fëmijët janë në shkollë dhe janë përshtatur me mjedisin vendës. Po ashtu, Bekhami sot do të ketë një vizitor më shumë në “San Siro” për ndeshjen ndaj Xhenoas: Fabio Kapelon, trajneri i kombëtares angleze, i cili ka filluar ta vlerësojë paraqitjen e lojtarit me Milanin, për t’i hapur kështu rrugën një rikthimi me “luanët”.

Flet mjeku

Nesta e Borrielo, drejt riaftësimit

Kalvari i vuajtjeve të Alesandro Nestës duket se ka mbërritur në fund. I këtij mendimi është mjeku social i Milanit, Masimo Manara: “Mendoj se Nesta mund të luajë shumë shpejt. Po vrapon, i duhen akoma edhe disa ditë të tjera punë fizike dhe pastaj të shohim.

Nëse do t’i kalojë testet, mendoj se mund të bashkohet me skuadrën për 15 ditë.” Pranë rikthimit është edhe Marko Borrielo: “Duhet të ribashkohet me skuadrës të premten pas testit në Milan Lab”, - përfundoi Manara.