Capello: Beckham të penzionohet

Përzgjedhësi i Anglisë, Fabio Capello, ka bërë të ditur se do të organizojë një ndeshje lamtumirëse për David Beckham, kur ky i fundit të riaftësohet, pasi që italiani mendon se Becks nuk ka më se çfarë të japë për Anglinë.

“Shpresoj se kur David të jetë në rregull, ai do ta luajë ndeshjen e tij të fundit këtu në Wembley, në një miqësore për t’u thënë lamtumirë dhe faleminderit tifozëve. Unë nuk do ta ftoj më për ndeshje të mëdha. David është lojtar fantastik, ai ishte vërtet i rëndësishëm, por ne duhet të shohim lojtarët e ri për të ardhmen, sepse mosha është me rëndësi për shumë njerëz, jo vetëm për Beckhamin”.

“A e kam telefonuar para se ta bëja këtë deklarat? Jo. Mendoj se do të flas me të. Por, mendoj se David e di se nuk ka të ardhme me kombëtaren angleze, sepse ne duhet të ndryshojmë. Ne tentuam të flasim me të”, deklaroi Capello.

Pohimet e Capellos shpejtë i hodhi poshtë agjenti i David Beckham, duke thënë se Becks nuk e ka ndërmend t’i varrë këpucët.

“Sa për informatë, nuk ka pasur diskutime për penzionim. Ai do të jetë gjithnjë i gatshëm për këtë vend, kur të jetë në gjendje dhe nëse do të jetë i nevojshëm”, theksoi agjenti.