Çelsi zyrtarizon trajnerin Hidink

Holandezi nuk firmos kontratë, por do të drejtojë “blutë” deri në qershor: S’ka nevojë të firmos për Abramoviçin

Çelsi ka konfirmuar se trajneri i Rusisë, Gus Hidink, do të drejtojë klubin anglez deri në fund të sezonit. Klubi i Premier Ligës i është drejtuar trajnerit holandez, 62 vjeç, pas shkarkimit të Luiz Felipe Skolarit. Hidinku do të kombinojë dy detyrat e tij, ashtu siç ka vepruar në të kaluarën me Australinë dhe PSV Eindovenin. Çelsi është aktualisht shtatë pikë pas Mançester Junajtedit, por ka edhe një ndeshje më shumë se kryesuesit. Nuk dihet nëse Hidinku do të qëndrojë te Çelsi edhe pas fundit të këtij sezoni, por pritet që ai do t’i qëndrojë besnik angazhimit me Rusinë. Çelsi ka konfirmuar se kishte marrë leje për të biseduar me trajnerin e Rusisë. Lidhjet e ngushta të tij me pronarin e Çelsit, Roman Abramoviç, kanë bërë që ai të pranojë këtë ofertë. Hidink nuk ka drejtuar ndonjëherë ndonjë skuadër angleze më parë dhe nuk ka drejtuar madje asnjë klub që prej largimit nga PSV ja për të marrë Australinë në vitin 2006. Deklarata e lëshuar nga Çelsi në faqen e tyre zyrtare në internet thoshte: “FC Çelsi konfirmon me kënaqësi se Gus Hidink do të jetë trajneri ynë i përkohshëm deri në fund të sezonit. Ai do të takohet me lojtarët këtë javë. Klubi dëshiron të falënderojë Federatën Ruse të Futbollit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre.” Hidink ndodhet në Turqi aktualisht në krye të përfaqësueses ruse, por pritet të udhëtojë drejt Londrës sot, para set ë marrë detyrën nesër. “Nuk është kurrë mjaftueshme që ta përgatitësh skuadrën brenda javës, por kjo është një situatë e veçantë. Çelsi ka lojtarë të mirë, të cilët janë në formë të shkëlqyer dhe kjo do të ma lehtësojë punën”, ka thënë Hidink, i cili planifikon të jetë në krye të Çelsit për ndeshjen kundër Uotfordit të shtunën. Holandezi ka thënë se do të takojë edhe Luiz Felipe Skolarin për të biseduar për skuadrën. Skolari u shkarkua nga detyra të hënën. “Nuk jemi takuar ende, por do të bisedoj me të në telefon nesër ose pasnesër”, ka thënë holandezi Hidink, i cili nuk ka nënshkruar ende një kontratë me Çelsin dhe nuk kishte në plan të nënshkruante. “Nuk kam përse të nënshkruaj. Nuk është çështje parash”, ka pohuar Hidink, që gëzon marrëdhënie të mira me pronarin rus të Çelsit. Hidinku kishte treguar më herët, para konfirmimit nga klubi anglez, se po bëhej gati të merrte detyrën e trajnerit të Çelsit për tre mua deri në fund të këtij sezoni dhe ndërkohë synonte të vazhdonte si trajner i Rusisë. I pyetur në lidhje me ndihmësit që mund të merrte me vete në Stamford Bridge, Hidink është përgjigjur: “Jo tani. Më duhet të shoh njëherë situatën në skuadër përpara se të bëj ndonjë ndryshim, nëse ka nevojë”, ka përfunduar trajneri i ri i Çelsit.

Piter Kenion, e ardhmja në dyshim
Sipas gazetës angleze The Daily Mail, Çelsi ka emëruar si trajner të ri holandezin Gus Hidink. Kjo gazetë konfirmon faktin se mes klubit anglez dhe trajnerit 62 vjeçar është arritur marrëveshja dhe ai do të jetë edhe në krye të përfaqësueses ruse njëkohësisht. Pronari rus i Çelsit i ka mbikëqyrur personalisht negociatat dhe së shpejti mund të ketë nevojë të emërojë edhe një shef të ri ekzekutiv, pasi pozicioni i Piter Kenionit është në dyshim tani. Kenion, drejtori sportiv më i paguar në Angli, ndodhej me pushime në Karaibe kur Abramoviçi shkarkoi Skolarin dhe përfshirja gjithnjë e më e madhe e Abramoviçit në punët e klubit është një sinjal alarmi. Normalisht i takon shefit ekzekutiv të shkarkojë nëpunësit dhe Kenion ishte përgjegjës për angazhimin dhe shkarkimin e Avram Grantit, Hoze Murinjos dhe Klaudio Ranierit. Por vendimi i Abramoviçit për t’i bërë vetë ndryshimet fundit në klub ka ngritur dyshime për të ardhmen e Kenionit.

10 milionë euro dëmshpërblim për Skolarin
Çelsi ka rënë dakord për shumën e kompensimit që do të marrë Skolari, ish trajneri i shkarkuar i Çelsit, dhe ndihmësit e tij. Klubi anglez e ka konfirmuar këtë fakt, por nuk ka dhënë detaje financiare. Por mediat angleze kanë sugjeruar se Skolari do të largohet duke marrë me vete 7.5 milionë sterlina (10 milionë euro). “Çelsi konfirmon se kemi rënë dakord për shumën e kompensimit për Skolarin, në pajtim me kontratën e tij”, thuhet në deklaratën e klubit anglez, e publikuar në internet. “Marrëveshja është arritur edhe për sa i përket ndihmësve të tij: Flavio Teikseiras, Darlan Shneiderit dhe Karlos Praçidelit, të cilët i falënderojmë për punën e tyre te Çelsi.” Skolari, fitues i Kupës së Botës me Brazilin, u shkarkua të hënën pas shatë muajsh në krye të Çelsit.

Burimi:Sporti Shqiptare

Trajneri i sapozgjedhur i Çelsit, Gus Hidink, ka pasur dje kontaktin e parë me futbollistët, që do t’i stërvitë deri në përfundim të sezonit. Tekniku holandez, që ka marrë postin e brazilianit Felipe Skolari, ka mbërritur në qendrën stërvitore Cobham, ku është pritur nga drejtori i përgjithshëm Piter Kenion. Hidink ka ndjekur nga afër stërvitjen e drejtuar nga zëvendëstrajneri Rei Uilkins, e fundit në prag të ndeshjes së Kupës së Anglisë me Uatfordin. Të hënën skuadra do të kalojë në duart e Hidinkut.

Mbërrin Abramoviç- Hidinku është takuar më pas në stërvitje me pronarin Abramoviç. Holandezi është afruar si trajneri i Çelsit për të shpëtur sezonin. Çelsi renditet i katërti në Premier Ligë, por gjithashtu është në garë në Ligën e Kampionëve dhe në Kupën e Anglisë.