Dalin ne pah fotografitë e para të tabletit webOS

Kanë rrjedhur fotografitë e para konkrete të kompjuterit të radhës së HP-së me sistemin operativ webOS.

Në internet kanë rrjedhur ‘fotografitë’ e para, respektivisht fotografi të përpunuara, të tabletit të ardhshëm të HP-së me webOS. Emri kodues i tabletit është Topaz, derisa ai vjen me ekran 9-inçësh.

Sipas asaj që shihet, tableti është i dizajnuar bukur mirë, shtëpiza e tij e zezë do t’u pëlqejë shumë njerëzve. Po ashtu, nga fotografia shihet se pajisja do të ketë kamerë të përparme për video-thirrje, si dhe qasje micro USB. Ani pse nuk është konfirmuar, është pothuajse e sigurt se ai do të vjen me ndonjërin prej procesorëve ARM.

HP ka paralajmëruar një konferencë për 9 shkurt kur, me gjasë, do të marrim vesh më shumë për pajisjet. Supozohet se prodhimi fillon gjatë kësaj vere, derisa kompjuterët tablet do të mund të gjendeshin në shitje gjatë tremujorit të tretë të këtij viti.