Dashuria nuk njeh kufij!

Dashuria nuk ka kufij, nuk njeh gjuhë e madje as kromozome. Nisi, një kampion bote në not nga Danimarka i lindur me sindromën “down”, është dashuruar me Medinën nga Kosova, e cila po ashtu sfidon veten në këtë sport. Ata janë dashuruar me shikim të parë, në një kampionat për garues me këtë sindromë, në Itali.

Nuk e flasin gjuhën e njëri-tjetrit, por as kjo dhe as largësia nuk u bënë pengesë, që lidhja e tyre trevjeçare të mbijetojë.

“Është vërtet e vështirë të shpjegohet, sepse nuk është diçka që i thuhet njëri-tjetrit. E gjitha është dashuri. Sa herë që jam afër Dinës, kënaqem të jem me të, jam i lumtur. Ajo është shumë e bukur dhe e ëmbël. Ndonjëherë nuk është nevoja të flasësh, nëse duheni me njëri-tjetrin”, tha Nis Heide Pinnerup.

Kur Medinës i mungon Nisi, ajo i shkruan në rrjete sociale me anglishten e saj modeste.

“Kur e kam parë për herë të parë më është dukur si unë, sepse ne jemi me ‘sindromin down’. Unë e dua shumë Nisin, kam simpati për edhe sepse është notar. Komunikoj anglisht me Nisin në rrjete sociale. I them ‘I love you’, ‘Thank you very much’, ‘You’re very good’, ‘I miss you’”, thotë Medina Surdulli.

Nisi erdhi në Prishtinë për herë të dytë, por kësaj here me një qëllim.

“Dua të martohem me Dinën, sepse e dua shumë. Ende nuk e di nëse do të jetojmë në Danimarkë, apo në Kosovë, por dëshiroj që edhe familjet tona të jenë bashkë”, tha Nis Heide Pinnerup.

Menaxherja e Medinës është e lumtur që historia e rrallë e dashurisë, e cila filloi në mesin e mbi 1.500 garuesve, po kurorëzohet, ndërsa rrëfen se kjo lidhje është shtysa më e madhe për sukseset e notares Medina.

“Një prej arsyeve, pse ne kemi dëshirë të jemi pjesë e këtyre garave, është edhe lidhja mes tyre”, tha Arjeta Gashi, menaxhere e Medinës.

Ashtu siç kanë kaluar shumë sfida në jetë, Medina dhe Nisi gjejnë forcën për t’u stërvitur e për të fituar, duke pritur takimin e ardhshëm pas 3 muajsh në garat e notit në Firence.

/ Top Channel