Del në shitje vetura e vjetër e Hillary Clinton (foto)

Mike Lawn, ish-kopshtar i Shtëpisë së Bardhë nga Gettysburg, Pennsylvania, ka vënë në shitje veturën e Hillary Clintonit “Oldsmobile Cutlass” e vitit 1986, të cilën vajza e tij e ka përshkruar si një “veturë e zonjës së vjetër”.

Lawn, që ka punuar si kopshtar në Shtëpinë e Bardhë për rreth tre dekada, e kishte blerë në ankandin që Shtëpia e Bardhë e kishte organizuar për stafin e vet në vitin 2000, shkruan “The Evening Sun”, transmeton Koha.net. Fillimisht ai kishte menduar t’ia dhuronte veturën vajzës së tij kur ajo i kishte mbushur vjetët për të vozitur, por ajo e kishte refuzuar atë.

“Ajo tha se dukej si një veturë e një plake”, ka thënë Lawn. “Ajo s’e dinte pse vetura kishte doreza në dritare”.

Vetura është përdorur shumë rrallë në 16 vjetët e fundit. Ai thotë se vetura kishte pak më shumë se 29 mijë milje kur e kishte blerë, ndërsa tani ka rreth 30 mijë.

Lawn beson se vetura, e cila ka targa të Arkanzasit dhe një shenjë të vitit 1990 ku shkruan “Clinton për Guvernatore”, ka qenë e fundit që Hillary Clinton, e cila aktualisht është 68 vjeçe, e ka ngarë. Ish-zonja e parë ka pranuar në vitin 2014 se hera e fundit që ka ngarë një makinë ka qenë viti 1996.

Ai thotë se në veturë ka gjetur disa gjësende, përfshi një palë syze të Clintonit.

Lawn thotë se tani që Clinton është pretendentja kryesore për të marrë postin e presidentit në SHBA, është momenti i duhur për ta shitur atë.

Çmimi i një modeli të tillë të veturës është 8,700 dollarë, por duhet pasur parasysh që këtë veturë e ka ngarë Hillary Clinton dhe çmimi i saj do të shkojë shumë lartë.

© KOHA