Dielli

Dielli është një rruzull i gaztë prushërues me temperatura të jashtëzakonshme. Ai është një reaktor i madh bërthamor: Në brendësi të tij përftohet energji përmes shkrirjes së hidrogjenit në helium në temperatura rreth 15 milionë gradëve.

Dielli është një prej yjeve të shumtë të galaktikës sonë dhe nuk është aspak i veçantë: Por për ne është trupi qiellor më i rëndësishëm.

“Dielli mban gjallë tërë jetën në Tokë, ai na ndriçon, ngroh tokën, detin, atmosferën, nget klimën, na sjell thatësira dhe epoka akullnajash, shtyn erën, e cila fryn nëpër Tokë dhe vendos mbi motin. Stuhitë e tij trazojnë lidhjet përmes radios, shkaktojnë shkarkesa elektrike dhe bile shënjojnë rrathët e pemëve me radioaktivitet”, shkruan Herbert Friedmann në librin e tij mbi diellin.
Edhe grekët e lashtë e dinin që atëherë rëndësinë e diellit. Filozofi Poseidon (Poseidonius 135 - 51 p.e.s.) ka shkruar: “Dielli ndriçon krejt botën pothuajse të pafundmë. Përmes plotnisë së fuqisë së tij ai i hukat Tokës jetë…” Por ndonëse ia njihnin atij domethënien e jashtëzakonshme për botën, filozofët grekë e mbanin Diellin të ishte, si pasqyrim i përpiktë i asaj që shihnin, një trup i vogël. Për një kohë të gjatë Dielli mbahej të ishte më i vogël se Toka. Toka qëndronte në qendër të botës, e rrethuar nga trupa në qiell, që quheshin planetë. Ptolemeu (Claudius Ptolemeus rreth 75 - rreth 160 ) ishte përpjekur, të formulonte lëvizjen e planetëve në një teori të ndërlikuar. Kështu kishte shtatë planetë - Dielli dhe Hëna numëroheshin gjithashtu si të tillë - të cilët silleshin rreth Tokës. Toka “qëndronte e palëvizur” dhe Dielli endej gjatë një viti përqark kubesë së yjeve të palëvizshëm. Të gjithë yjet e palëvizshëm duken si të mbërthyer pikërisht në këtë kube, e cila një herë në ditë sillej rreth e qark Tokës. Ptolemeu zhvilloi një teori akoma më të ndërlikuar “Teorinë e Epiciklit”, sipas të cilës planetët endeshin sipas qarqesh dhe epiciklash pothuajse të përpikta…
Ky lloj përfytyrimi i Botës njihet si Sistemi Dheqendror (Gjeocentrik). Ai është mbajtur si i vërtetë deri në shekullin e 16-të, pra deri në kohën e Nikolaus Kopernikus (shqip. Nikollë Kopernikut).

Koperniku (1493-1543) e zhvendosi Diellin duke e sjellur atë në mes. Ai hodhi dyshime mbi botëkuptimin dheqendror dhe e ktheu mbrapsh: Sipas mendimit të tij ishte Toka ajo që rrotullohej rreth Diellit dhe jo e kundërta. Një teori e guximshme të cilën e bëri të ditur më 1543.
Që kjo qëndronte me të vërtetë mund ta vërtetonte pak kohë më vonë Johannes Kepler (1571-1630): në bazë të vëzhgimeve që i kishte bërë Marsit ai provoi që planetët lëviznin përgjatë shtigjesh eliptike rreth Diellit.
Një ligj tjetër i Keplerit thotë se lëvizja shtegore e Tokës rreth Diellit nuk është e pandryshueshme. Ajo është më e shpejtë kur largësia midis Diellit dhe Tokës është më e vogël. Dhe ajo bëhet më e ngadalshme kur kjo largësi zmadhohet.
Kjo ndikon mbi stinët: Ato nuk janë njësoj të gjata. Në fillim të Janarit largësia midis Tokës dhe Diellit është më e vogla, në Korrik Toka është më së largëti Diellit. Kështu koha midis vjeshtës dhe fillimit të pranverës është prej 179 ditësh dhe koha prej pranverës deri në fillim të vjeshtës prej 186 ditësh. Kështu vera është shtatë ditë më e gjatë se dimri.
Pra ishte një rrugë e gjatë derisa njerëzimit iu bë e qartë se Toka nuk ishte në qendër të Botës, bile as Dielli. Dielli është qendra e Sistemit Tonë Diellor, që prapëseprapë është vetëm një ndër shumë sistemet e galaktikës tonë, Udhës Qumështore. Ndërsa Udha Qumështore nga ana e saj është vetëm një galaktikë ndër shumë të tilla në largësitë e pafundme të Gjithësisë.
Përbrenda galaktikës sonë ka përafërsisht 100 miliardë yje, e cila ka një formë të sheshtë të ngjashme me një disk. Struktura e Udhës Qumështore është formë spiraleje, masa përqendrohet në qendër dhe e gjithë qendra rrotullohet. Kjo do të thotë se vetë galaktika sillet rrotull. Edhe sistemi ynë diellor, që ndodhet larg nga qendra e galaktikës sonë, i bie përqark kësaj qendre. Për këtë merr ca kohë… Një qark të plotë rreth qendrës së udhës Qumështore Dielli ynë e kryen për plot 240 milionë vjet.

Dielli ynë nuk është as më i shndritshëm se diejt e tjerë ndërsa madhësia e tij aspak e pazakonshme. Fuqia ndriçuese e yllit më të shndritshëm është 10 000 herë më e madhe se e diellit tonë, kurse e atij më të zbehtit është 10 000 më pak. Kështu dielli ynë është mesatar. Po ashtu edhe për sa i përket temperaturës së sipërfaqes së Diellit. Yjet më të nxehtë kanë një temperaturë prej afërsisht 30 000 Kelvin, ndërsa më të ftohtit prej 3 000K. Në sipërfaqen e diellit tonë mbizotërojnë temperatura prej rreth 6 000 K (rreth 5 500 gradë). Diametri i diellit tonë është gjithashtu mesatar. Ka yje gjigandë që kanë një rreze 500 herë më të madhe, dhe të veckël me një rreze 100 herë më të vogël se të diellit tonë.

Faleminderit kuklla, material interesant :slight_smile:

Kuklla faleminderit shume per informacionin.

Shum flm kuklla per informacionin e dhënë.

faleminderit

duhet per gjografin flm

Flm per keto informacionne

faleminderit me te vertete material interesant.!