Disa prej episodeve më të çuditshme në histori te Sportit

Disa prej episodeve më të çuditshme në histori, ku mes protagonistëve figuron edhe Altin Rraklli

Sporti nuk shërben vetëm si një urë lidhëse mes popujve me kombësi të ndryshme, apo për të ulur tensionet e shumta që ekzistojnë në botë. Ai shndërrohet edhe në katalizator për situata të dhunshme, momente gazmore dhe “dhuron” episode nga më të çuditshmet. Kjo është një përmbledhje e shkurtër me ngjarje që mbahen mend, radhitjen e të cilave (për fat të keq) do ta fillojmë me dhunë. Në një prej situatave, protagonist ishte edhe ish-sulmuesi i njohur shqiptar, Altin Rraklli.

Gjermani - shtator ‘98

Ndeshje e Bundesligës II, ndërmjet Unterhashing dhe Energie Kotbus: menjëherë pas fërshëllimës finale të takimit (ku vendasit fituan 1-0), lojtari i Kotbus, Labak hedh “K.O.” kundërshtarin e tij direkt, Zimerman. Kjo solli një sherr masiv në fushën e lojës, ndërmjet lojtarëve të të dyja ekipeve. Për të evituar që situata të degjeneronte më tej, është dashur edhe ndërhyrja e trajnerit të Unterhashing. Një prej sportistëve më aktivë në këtë sherr ka qenë sulmuesi shqiptar, Altin Rraklli. Kavajasi, që në dhjetë vjet aktivizim me kombëtaren kuqezi (1995-2005) ka shënuar 11 gola në 63 ndeshje të luajtura, i është vërsulur portierit të ekipit mik, Tomislav Piplica. Arsyeja? Me formën e jashtëzakonshme që “gardiani” i Kotbus tregoi në këtë sfidë, i kishte mohuar disa herë golin.

Bangladesh

Një sherr i përmasave të frikshme ndërmjet tifozerive të kundërta gjatë një ndeshjeje futbolli. Bilanci ishte mjaft tragjik: në stadium nuk munguan as të shtënat e pistoletës, që në fund shkaktuan 2 të vdekur dhe 40 të plagosur rëndë. Për të qetësuar situatën ishte e nevojshme ndërhyrja e ushtrisë…

Angli

Paolo Di Kanio është etiketuar për një kohë të gjatë si “djali i keq” i futbollit. Nofka iu vendos në sfidën ku Shefilld Uenzdei priti në fushën e saj Arsenalin. I pakënaqur për një vendim të gjyqtarit Pol Ankok, sulmuesi italian e shtyu në mënyrë të dhunshme, duke e rrëzuar në tokë. Pas këtij veprimi dhe dënimit të rëndë nga Federata Angleze, Di Kanio deklaroi publikisht se do të tërhiqej. Gjithsesi, ai vazhdon të luajë me amatorët e Çisko Roma. Gjatë kësaj periudhe, lojtari rifitoi respektin e opinionit sportiv në Britaninë e Madhe. Në vitin 2001 fitoi çmimin “FIFA Fair Play”, pasi në dhjetor 2000, në takimin me Evertonin, ai nuk shfrytëzoi një rast të pastër goli. Portieri kundërshtar qëndronte në tokë i dëmtuar dhe vetëm pak metra larg portës, Di Kanio merr topin në dorë, duke refuzuar ta dërgonte në rrjetë. stadiumi e duartrokiti gjestin për shumë minuta, gjyqtari i takimit nuk e ndëshkoi me karton, por i shtrëngoi dorën, ndërsa FIFA e cilësoi si “një sjellje speciale të një sportisti të mirë”.

Shumë të butë për të qenë boksierë

Boksi njihet botërisht si sport burrëror, por sportistët janë njerëz dhe si të tillë kanë ndjenja. Në shkurt të vitit 1997, zhvillohej dueli i peshave të rënda ndërmjet MekKoll dhe Ljuis. Gjatë sfidës, MekKoll kapet nga një krizë nervore, qan dhe skualifikohet, pasi u cilësua nga arbitrit “i paaftë për të mbrojtur titullin e kampionit”, brez që fitohet nga Ljuis. Në qershor të po atij viti, kampioni i ri mbron titullin përballë bashkëkombësit anglez, Akinuande. Ai skualifikohet në raundin e pestë, sepse në vend që të duelonte, mbahej te kundërshtari, duke “e përqafuar” fort. “Fillova t‘i bërtisja”, kujton Mark Ratner, shefi i komisionit sportiv në shtetin e Nevadës. Në atë periudhë, zyrtari i lartë i boksit ishte mjaft i zënë me punë, pasi vetëm pak kohë më parë kishte skualifikuar Majk Tajson për kafshimin e famshëm në veshin e Hollifild.

Pengu, në liri falë një goli

Forcat speciale të përzgjedhura nga policia kolumbiane liruan një biznesmen që prej 140 ditësh mbahej peng nga një grup keqbërësish. Aksioni u zhvillua gjatë ndeshjes së futbollit Kolumbi-Venezuelë. Operacioni ishte i suksesshëm edhe falë pasionit të pengmarrësve për lojën e top-këmbës: policia veproi në mënyrë surprizë, duke thyer derën në momentin ekzakt kur Kolumbia shënoi. Ai gol i dhuroi skuadrës kualifikimin në Botërorin 1998.

Futboll dhe besim

Prifti i qytezës holandeze, De Lute, ka gjetur një mënyrë origjinale për të bashkuar pasionin për futbollin me interesimin e tij për “delet e humbura”. Gjatë ndeshjeve që skuadra luante në shtëpi në shtator ‘97, ai i bënte publicitet kishës me një tabelë dy metra të gjatë. aty shkruhej: “Çdo të diel pasdite vini në ndeshje, në rregull. Po në mëngjes ku ishit? Nga prifti juaj”. Pol Tervort (ky është emri i priftit) deklaronte se për njerëzit, pjesëmarrja në mesha mund të ishte po aq e këndshme sa edhe një ndeshje futbolli.

Vlera e kartonit, dy tonë çimento

Verë ‘98. Lista e transferimeve në kategorinë e dytë rumune: Robert Nita, kalon nga Hunedora te Fieni. Për të siguruar shërbimet e futbollistit 21-vjeçar, klubi i ri pagoi… dy tonë çimento! Në shtëpinë e të varfërve të Evropës (kështu njihet Rumania), shkëmbimi i mallrave në vend të parave është diçka më se normale. Gjithmonë duke qëndruar në kampionatin inferior të këtij vendi, një lojtar nuk u pagua në kontratën me klubin e ri, por përfitoi një sasi të papërcaktuar mishi derri.

Doping vampiresk

Atletja indoneziane, Ruvijati, ka zbuluar një mënyrë të veçantë dopingu. Fituesja e maratonës së Lojërave të Juglindjes Aziatike, deklaroi se sekreti i suksesit është… gjaku i trajnerit të saj! Gjatë një interviste për “Indonesian Observer”, atletja rrëfeu se, përpara çdo gare, e ka zakon të pijë pak gjak nga gishti i Alvi Mugijanto (trajneri). “Nuk e di përse”, tha Ruvijati, “por pasi shijoj gjakun e tij ndihem në formë të jashtëzakonshme”.

Sport dhe seks, kuriozitet

  • Alfredo Binda, një nga çiklistët më të mëdhenj, e thoshte vazhdimisht se sekreti i suksesit të tij ishte kryerja e një marrëdhënieje seksuale në vit.

  • Ben Johnson, para kompeticioneve, u kërkonte vazhdimisht organizatorëve, që t‘i vinin në dispozicion dy vajza të bukura sa për të bërë… nxehmjen e duhur.

  • Sipas studimeve, femrat që bëjnë seks pak para kompeticioneve sportive, arrijnë të zhvillojnë paraqitje më të mira.

  • Gjatë Olimpiadës së Sidneit një firmë prodhuese ilaçesh u dhuroi prezervativë 11.000 atletëve dhe trajnerëve të seksit mashkull. Kur duheshin vetëm tri ditë nga përfundimi i aktivitetit, atletët bënë një kërkesë për një “donacion” prej 20.000 prezervativësh të tjerë.

  • I vetmi rast në të cilin, sigurisht, nuk duhet të praktikohet seksi nga ana e atletëve të seksit mashkull është vetëm pak kohë para garës, pasi është e sigurt që humbet 10/12% të eficensës.

  • Shumë studime zbulojnë se personat aktivë kanë një jetë seksuale më të gjallë në krahasim me dembelët.

Situata të çmendura

Incidente të pabesueshme jashtë fushës së futbollit me lojtarë profesionistë

  • Charles Akonnor, i cili luan në Bundesligën gjermane, e ka futur antenën e telefonit brenda hundës, duke i shkaktuar vetes një hemorragji të madhe.

  • Kanizares, portierit të kombëtares spanjolle, i shpëton nga dora një shishe parfumi, të cilën ai e godet me këmbë pa rënë në tokë, duke dëmtuar kështu rëndë këmbën.

  • Robie Kin (ish i Totenhemit, tani i Liverpulit) ka këputur ligamentin e gjurit të tij pas një hedhjeje të dhunshme në poltron mbi telekomandën e televizorit të tij.

  • 1998: Darren Bernard i FC Barnslit rrëshqet në dyshemenë e kuzhinës së tij, ku kishte bërë “pipin” qeni i tij. Ai nuk mundi të luante për pesë muaj.

  • Dirk van der Ven ka prerë disa gishta të dorës së tij në tentativën për të ndezur motorin që korr barin.

  • Vidar Riseth (1860 Mynih) ka qenë viktimë i një makine që përdorej për masazh: makina i ka rënë nga dora dhe u ka shkaktuar një dëmtim serioz në “tendinën e Akilit”.

  • Peter Nielsen (Mynshengladbah) ka thyer një krah, ndërsa, - sipas tij, - po ulej në poltronin përballë televizorit.

  • Ende për t‘u sqaruar: Mikael Bletel (Saarbryken) i është këputur një nerv i këmbës, ndërsa gjendej… i shtrirë në krevat.

  • Devid Beti (Lids Jujantid) është përplasur me motorin e vogël të të birit, duke dëmtuar rëndë “tendinën e Akilit”. Të paktën i biri doli i padëmtuar nga incidenti.

  • Braziliani Ramalho ndiente dhimbje dhëmbësh; i japin një kurë me suposto dhe ai çfarë bën? I pi!!! Detyrohet të qëndrojë tri ditë shtrirë pas helmimit.


Koincidenca të futbollit

Topi është i rrumbullakët dhe shkon nga e çojnë…

Bolonja, e cila në vitin 2005 bie në Serinë B pas një humbjeje kundër Parmës në “Playout”, kthehet në 2008 në Serinë A, ndërsa emilianët (Parma) bien në kategorinë inferiore.

Të tjera koincidenca të çuditshme"

Në finalen e Botërorit 2006, Trezege gabon një penallti decizive; i njëjti lojtar i kishte rrëmbyer Italisë titullin e kampionit të Evropës në 2002 falë një goli në minutat shtesë.

Në një vit të vetëm (2007), Milani është hakmarrë ndaj dy skuadrave (Liverpulit dhe Boka Xhunjors) të cilat, respektivisht, i kishin rrëmbyer Champions në 2005 dhe Kupën Interkontinentale në 2003.

Katër skuadra e kanë fituar titullin kampion të Italisë në vitin e 100-vjetorit të tyre: Juve 1997, Milan 1999, Lacio 2000, Inter 2008.


Dy periudha përballë njëra-tjetrës:

1978:

  • Vdes Papa

  • Juve fiton titullin

  • Liverpuli fiton Kupën e Kampioneve

  • Fiorentina shpëton në javën e fundit të kampionatit

  • Martohet Karli i Anglisë

  • Inter fiton Kupën e Italisë

  • Askoli ngjitet në Serinë A, duke e luajtur ndeshjen e fundit ndaj Modenës

Një vit më pas (1979) Milani përfundon në serinë B dhe presidenti i saj arrestohet.

Botërori që pason fitohet nga Italia (1982).

2005:

  • Vdes Papa

  • Juve fiton titullin

  • Liverpul fiton Champions

  • Fiorentina shpëton në javën e fundit të kampionatit

  • Martohet Karli i Anglisë

  • Interi është finalist i Kupës së Italisë

  • Askoli është në luftë për “Playoff” për ngjitjen në Serinë A dhe duhet të luajë ndeshjen e fundit kundër Modenës

Një vit më pas (2006) Juventus përfundon në Serinë B.

Botërori pasues fitohet nga Italia (2006).

Futboll mbi eksploziv

Luanin mbi një bombë të madhe të pashpërthyer dhe nuk e dinin! Gjatë punës për të ndërruar tapetin e fushës në stadiumin “Vestfalen Stadion” të Dortmundit, punëtorët kanë hasur në një objekt të fortë metalik. Pas një ekzaminimi të parë u zbulua se kishin të bënin me një bombë të madhe të pashpërthyer, e cila datonte nga Lufta e Dytë Botërore! Pra, për vite të tëra, Borusia e Dortmundit dhe kundërshtarët e saj kishin luajtur rreth një apo dy metra mbi eksploziv jashtëzakonisht të rrezikshëm. Pas zbulimit, bomba është çaktivizuar menjëherë dhe është dërguar në muzeun e zonës.

Gazeta-Shqip…