Dita Ndërkombëtare e Vajzave në Teknologji, edhe në Kosovë – më 28 Prill

Dita Ndërkombëtare e Vajzave në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) është iniciativë e Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) dhe shënohet në më shumë se 150 shtete të botës.

Kjo iniciativë është një përpjekje globale që synon vetëdijesimin dhe fuqizimin e vajzave dhe femrave të reja për të konsideruar studime dhe karrierë në TIK.

Iniciativa shënohet çdo vit në të enjten e katërt të Prillit duke grumbulluar në një vend aktorë të ndryshëm të sektorit të TIK-ut, dashamirë të TIK-ut në përgjithësi, si dhe vajza dhe femra të reja në mënyrë që të punohet shtesë në uljen e hendekut gjinor që ekziston në këtë profesion.

Bazuar në raportin e publikuar nga STIKK “Femrat në Teknologji” në vitin2014, në Kosovë vetëm 20% e fuqisë punëtore në sektorin e TIK-ut janë femra.

Situatë e ngjashme është edhe në Unionin Europian ku vetëm 30% e rreth 7 milionë të punësuarve në sektorin e TIK-ut Evropian janë femra.

Për të ndihmuar në promovimin e një paradigme të re në sektorin e TIK-ut, këtë vit, shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Vajzave në TIK do të bëhet edhe në Kosovë. Kjo do të jetë hera e dytë që një ngjarje e tillë është organizuar në Kosovë për të shënuar këtë ditë ndërkombëtare.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik në partneritet me A.U.K, USAID, Fondacionin Ipko, Vajzat në TIK dhe partnerë të tjerë kanë bashkuar forcat për të shënuar këtë ditë me qëllim të me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mundësitë e vajzave në sektorin e TIK-ut.

Gjatë ditës do të ketë aktivitete të shumta, duke filluar nga konferenca kryesore ku do të jenë prezent aktorë kyç të komunitetit ndërkombëtar dhe vendor, prezantime të CEO-ve të kompanive të suksesshme në sektorin e TIK-ut, panairi i punës si dhe punëtori të ndryshme të mbajtura nga partnerët e ngjarjes.

Dita Ndërkombëtare e Vajzave në TIK 2016 mbahet me 28 Prill 2016 në objektin e A.U.K. Për pjesëmarrje kandidatet duhet të regjistrohen përmes formave të caktuara.