Djali i deputetes së PS godet sërish, masakër me 4 të vrarë në Tiranë

Tiranë, 4 nëntor 2014, NOA.al/ Klodiana Kotorri & Alba Skëndaj

Djali i deputetes socialiste Luiza Xhuvani është përfshirë sërish në vrasje por këtë herë në një masakër me katër persona të vdekur në Tiranë, mes tyre një shtetas italian. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm. Policia tha zyrtarisht se në sallën operative është raportuar se ka pasur të shtëna me armë zjarri në zonën e Rrugës së Elbasanit. Policia konstatoi përfshirjen e 8 personave në një konflikt të armatosur në ambientet e një lokali me muzikë që ndodhet në kat të nëndheshëm në një pallat të ri pranë shkollës së Gjuhëve të Huaja. Nga të dhënat paraprake dyshohet se sherri ka nisur për motive banale dhe si pasojë e konfliktit të armatosur, kanë vdekur në vend tre persona, ndërsa një i katërt ka ndërruar jetë në ambientet e Spitalit të Traumës. Viktimat e ngjarjes janë: Edison Jaho, 36 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Enea Xhaj, 38 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Arber Demiraj, 19 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë si dhe Paolo Azzolo, 60 vjeç, me shtetësi dhe kombësi italiane. Drejtoria e Policisë Tiranë deklaroi zyrtarisht se janë identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje, të cilët janë Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç. Policia tha se një nga autorët e kësaj ngjarjeje është Konstandin Xhuvani, djali i deputetes të Partisë Socialiste, Luiza Xhuvani. Burime në vendngjarje të agjencisë NOA.al bëjnë me dije se autori i dyshuar është arrestuar teksa tentonte të arratisej. Në foton qendrore shikoni deputeten socialiste dhe ish aktore e njohur, Luiza Xhuvani me djalin e saj Konstandinin dy vjet pas vrasjes së parë.

Çfarë ndodhi -

Ditën e sotme rreth orës 04:00 të mëngjesit, shërbimet e policisë morën njoftim se në bar “Ante Grand” e ndodhur në rrugën e “Elbasanit” në Tiranë në një lokal nate, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes, kanë shkuar shërbimet e policisë duke bërë rrethimin e lokalit, të zonës përreth, shoqërimin e personave prezent në vendngjarjes. Nga hetimi paraprak ka rezultuar se në këtë lokal nate pas një konflikti të çastit midis disa shtetasve, konflikt i cili më pas ka denigruar me armë zjarri, ku për pasojë kanë gjetur vdekjen 4 personat. Viktimat kanë qenë në një tavolinë duke pirë në lokal dhe përballë tyre ndodheshin në një tavolinë tjetër autorët e dyshuar. Dyshimet janë se krimi i rëndë ka ardhur nën motive banale të llojit “pse më sheh”. Në masakër janë përdorur dy armë zjarri të llojit pistoletë.

Bëhet me dije se një nga viktimat është Arbër Demiraj, i moshës 19 vjeç, djali i ish prokurorit Skënder Demiraj. Ai është gjetur i pajetë në brendësi të një automjeti tip Mercedes Benz ML me targa TR 250 N. Më tej është konfirmuar viktima e dytë, 60-vjeçari italian Paolo Azzolo. Ende nuk është saktësuar lidhja e këtij personi me përfshirjen në konflikt. Më pas u konfirmua vdekja edhe e dy personave të tjerë, Edison Jaho, 36 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë, Enea Xhaj, 38 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Tiranë. Në vendngjarje ka mbërritur Drejtori i Policisë së shtetit, Artan Didi si dhe Prokurori i Përgjithshëm i Tiranës, Petrit Fusha. Policia ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në zonën nga shkolla e Gjuhëve të Huaja deri tek Liceu artistik “Jordan Misja”.

Nga veprimet e shpejta të policisë është bërë kapja në kohë reale e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje, të cilët janë shtetasit: Konstandin Xhuvani, 25 vjeç, Erald Sida 24 vjeç, si dhe Albano Ballcaj, 19 vjeç, si dhe janë shoqëruar shtetas të tjerë prezent në ngjarje. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy armë zjarri të llojit pistolete, 3 gëzhoja fishekësh luftarak si dhe dy automjete të markës Mercedes Benz më targa “TR0250N”. Aktualisht, nga strukturat e policisë po vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. /k.k/a.s/noa.al/

      • Updated - - -

//youtu.be/f7DS50eZWNs

Nuk ke se cfare shton me shume ketu.