Dosja “Hoxha”, Gjykata e Londrës liron Ilir Kumbaron

Gjykata e Apelit në Londër refuzon kërkesën e Drejtësisë shqiptare për ekstradimin e Ilir Kumbaros, ish-shikasi i akuzuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Lajmi konfirmohet nga dy avokatët e Kumbaros në Tiranë, Vojo Bregu dhe Bledar Fejzo.
Sipas tyre, gjatë një seance të zhvilluar ditën e premte, Gjykata e Apelit të Londrës ka vendosur të mos e sjellë Kumbaron në Shqipëri, për shkak se ndaj tij nuk ka asnjë masë sigurie dhe nuk rezulton person në kërkim.

Vendimi i Apelit të Londrës i jep të drejtë një prej të akuzuarve kryesorë për dosjen “Remzi Hoxha” të jetojë i lirë, dhe është në vullnetin e tij nëse do të paraqitet në gjykim. Në fakt, edhe dy të akuzuarit e tjerë, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi gjykohen në gjendje të lirë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Për Budion Meçen është pezulluar gjykimi, për shkak se ndodhet në gjendje kome në spital.

Në këtë mënyrë, ish-shikasi i akuzuar për të paktën gjashtë akuza do të vazhdojë të jetë i lirë dhe është në dëshirën e tij nëse do të paraqitet në procesin penal që po zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Masa e arrestit ndaj Kumbaros u shua në fillim të dhjetorit nga Gjykata e Lartë, me arsyetimin se paraburgimi i kishte humbur efektet. Pak ditë pas këtij vendimi, Ilir Kumbaro rifitoi lirinë.

Duket se vendimi i 15 dhjetorit 2009 i Gjykatës së Krimeve të Rënda, që caktoi ndaj Ilir Kumbaros masën e sigurisë “arrest me burg”, nuk i ka bindur aspak gjyqtarët londinezë, të cilët kanë firmosur për rrëzimin e kërkesës së Drejtësisë shqiptare.

Akuzat

Ilir Kumbaro akuzohet se, në bashkëpunim me Arben Sefgjinin dhe Avni Koldashin kanë rrëmbyer, torturuar dhe zhdukur shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Biznesmeni u mor peng me 21 tetor 1995, në punishten e tij në Tiranë. Ai dyshohet të jetë torturuar në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, dhe për fatin e tij nuk u mësua kurrë asgjë.

Gjithashtu, Kumbaro dhe dy të pandehurit e tjerë akuzohen për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt, të dy të mbijetuar.

Ish-oficeri i SHIK-ut, Kumbaro u prangos në Angli në vitin 2008, dhe një vit me radhë ai ka zhvilluar një proces gjyqësor maratonë për të mos u ekstraduar në Shqipëri. Madje, ai nuk pranoi as identitetin, duke u prezantuar si Shaqë Shatri, një i moshuar nga Kosova që kishte fituar azil politik.