Efekti i krizës: Milani ul rrogat

Nga pagat 120 milion euro në vit, klubi kuqezi, do të kalojë në 80-85 milion euro në sezon

Një limit për rrogat e Milanit, me një ulje deri në 30 përqind. Eshtë urdhri që ka ardhur gjatë javëve të kaluara në zyrat e klubit nga ana e drejtuesve. Eshtë një nga efektet e para të krizës ekonomike dhe të ndryshimeve, që pritet të ndodhin në shtëpinë e kuqezinjve. Po, sepse Silvio Berluskoni ia ka shprehur qartë mendimin e tij Adriano Galianit: “Të limitojmë shpenzimet, po harxhohet shumë”. Dhe ky urdhër mund të ndikojë edhe përsa i përket lojtarëve, që duhen blerë në merkaton e verës. Aq e vërtetë është kjo sa pas marrjes së Tiago Silvës në muajin janar, janë bllokuar edhe marrëveshjet për Daniel Ager të Liverpulit, që kushton 8 milion euro. Për zëvendësuesin e Maldinit, Milani do të kërkojë në merkaton më të lirë të mundshme të mbrojtësve, të cilët janë afër skadencës së kontratës: pra me parametra zero. Ose pothuajse.

LEVIZJET E ARDHSHME-Askush nuk do ta pranojë tek Milani. Në këto momente delikate administratori i deleguar Galiani po përpiqet të mbajë të bashkuar ambientin për të arritur vendin e tretë në kampionat dhe kualifikimin në Champions. Por zërat për uljen e rrogave kanë mbërritur deri në Milanelo. Lojtarët dhe agjentët e tyre janë informuar dhe kjo ka shkaktuar një lloj alarmi. Për herë të parë në historinë e Milanit berluskonian diskutohet çështja ekonomike dhe kjo do të përcaktojë seleksionime fatale.
DIFERENCA E MADHE- Tani Milani udhëheq klasifikimin e skuadrave që shpenzojnë më shumë për rrogat bashkë me Interin e Masimo Moratit. Një kosto prej 120 milion eurosh që, me përjashtim të Juventusit (në vend të tretë me 115 milion), shikon në vendin e katërt, shumë larg, Romën me një buxhet prej 65 milion eurosh. Por, në skenarin e ri, kuqezinjtë do të shkonin në një kuotë midis 80 dhe 85 milion eurove. Një hap mbrapa që rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda në të gjithë ambientin. Por cilat do të jenë kriteret e shkurtimit të shpenzimeve?
TE SAKRIFIKUARIT - Sot lojtari më i paguar është Rikardo Kakà me 9 milion në sezon. Dhe nuk është një mister fakti se Reali i Madridit mund të bëjë shumë shpejt një ofertë të rëndësishme për të. Në muajin janar kampioni brazilian ka arritur një pakt të rëndësishëm me klubin: nuk ka më rritje rroge. Duket se drejtuesit kuqezinj do ta mbanin me gjithë qejf Kakanë, në rast se nuk do të vinin oferta shumë të rëndësishme për të. Por klubi milanist duket se është i shqetësuar nga situata të tjera ekonomike në këtë moment. Në ekip janë 29 lojtarë. Dhe synohet që organika të thjeshtohet me të paktën tre lojtarë. Ose të zëvendësohen me lojtarë të rinj që kushtojnë më pak.
KUJDES SHKURTIMET - Sigurisht dikush nga lojtarët e mëdhenj duhet të heqë dorë nga diçka për të mos u vënë në dyshim. Shembulli konkret? Situata e Nelson Didës. Portieri fiton 4 milion euro në sezon dhe ka një kontratë deri në 2010-ën. Pak si shumë për një zëvendësues dhe është llogjike që Milani të përpiqet ta shesë. Ashtu si Emersoni: edhe ai më shumë në stol se në fushë, por me një rrogë të lartë. Kjo vlen edhe për rinovimin e kontratave të Ambrozinit dhe Favalit. Dhe për të gjithë të tjerët. Rikonstruktimi kalon edhe nga këto lëvizje.