Egoizmi...!

Tendencat e kundërvënies së egoizmit dhe altruizmit, sikur që bëjmë me natën e ditën apo me të mirën dhe të keqen qëndrojnë vetëm nëse flasim për një « përvetvetësi » të subjektit, i cili me çdo kusht i jepet dashurisë së plotë për veten.
Ai pa ndërpre mendon vetëm për vetveten. Dhe tani, përballë kësaj e definojmë altruizmin si koncept ekstrem i jetës për tjetrin. Por egoizmi i cili synon ekzistencën, dashurinë, afirmimin dhe mirëqenien duke pasur respektin ndaj rrethit është vlerë njerëzore sepse mbron integritetin e subjektit në natyrë dhe në shoqëri.
E altruizmi, a është kujdes për tjetrin apo një egoizëm i mëshehur që shpreson kthimin e mirësisë me mirësi ?
Për të kapur mirë kuptimin egoist dhe përcaktuar egoizmin si veti negative apo pozitive të moralit, duhet patjetër kthjelluar së pari nevojat urgjente të subjektit, nevojat e afërta dhe ata afatgjate pa të cilat nuk mund të bëhen lëvizjet e duhura për të shkuar përpara. Kufijtë e egoizmit pozitiv dhe negativ, ndërrojnë ne disa pikëpamje sipas zhvillimit ekonomik të shoqërive - mjediseve dhe etikës së kultivuar në gjiun e çdonjërës nga ta e që ndërlidhet me etnologjinë dhe historinë së cilës subjekti i takon.

Por ti kthehemi temës pa u zhytur në digresione të shumta që mund të prodhohen nëse kërkojmë zbërthimin etik të egoizmit nëpër shekuj. Përfundime më të përpikta do të nxjerim me krahasime dhe paradokse që ndërlidhen ngushtë e shpesh me altruizmin por unë, në këtë rast, do të ndalem vetëm me shtjellimin e temës në fjalë e për altruizmin dhe altruizmin e egoizmin në mes vete, do të bëjë fjalë në dy studime veçmas.

Të themi se egoizmi nënkupton mos-brengën dhe mos-mendimin për tjetrin. Tani shtrohet pyetja : Një vetlavdërues mendon shumë për të tjerët pasi që është i sëmurë nga meraku se ç’mendojnë të tjerët për të. Po ai që manipulon të tjerët, a nuk mendon për të tjerët dhe për metodën se si mund të ju luaj lojën më së miri… ?

Kjo na çon në një zbërthim të parë dhe në konkluzion se egoizmi nuk është objekt i mendimit por i asaj se për çka shërbejnë dëshirat dhe qëllimet. Egoizmi pra, nuk i merr parasysh, të themi aq sa duhet interesat e tjetrit. Po tani, ç’janë interesat e tjetrit, dëshirat dhe apetitet e tij ? Interesat e tjetrit nuk janë edhe interesa të një tjetri të tretë… Ndërlikimi vazhdon në pakufi nëse nuk bijmë përkufizimin se mosplotësimi i dëshirës së njërit apo tjetrit, nuk është egoizëm, sidomos nëse këto dëshira nuk përbëjnë një interes të përbashkët në kodin dhe etikën e një grupi më të gjerë shoqëror.
]
Por, kur flasim për interesa të përgjithshme, përsëri nuk mund ta konsiderojmë mosradhitjen me normat morale të ngritura pasi që subjekti mendon për të tjerët, për ata që tërheqin përfitimet nga rrethanat altruiste të krijuara…
Të thurim definicionin se egoizmi nuk merr parasysh interesat e tjetrit, nuk na kënaq pasi që « ai » është një botë e tërë dhe është tejet joprodhuese dhe ngecëse në ecurinë universale. Por a duhet të shërbehen vetëm interesat vetanake ? E pra, ai që ndjenë kënaqësi se bëri mirë në familje, në shoqëri, në rrugë e gjetiu, i bënë për vete dhe, të përsëris, i bënë se kjo i sjellë kënaqësi… Eh por vallë, ky është egoist ?!

Për të sjellur edhe një përfundim në mes të « përfundimeve » mbi egoizmin do të them se vrapimi pas interesave vetanake është veti e shkëlqyeshme dhe ecja pas tij është e pashmangshme, kjo çon para, me kusht që këto interesa të mos nëpërkëmbin tjetrin dhe etikën e sjellur në formë të edukatës universale të botës ku jetojmë.

Unë egoizëm të dëmshëm e quaj ndjekjen e qëllimeve që janë me të vërtetë burim i ndërlikimeve shoqërore dhe nismëtare të ngatërresave dhe konkurrencës së pangopshmërisë. Gllabërimi i çdo gjëje pa u kujdesur aspak për tjetrin dhe për normat më të vogla etike ekzistuese. Harxhimi i qindarkës së fundit për një luks si duhani pa u kujtuar se dikush pret kafshatë buke apo qumësht…

Dëshira e tepruar për ekskluzivitet, për një arritje pa patur parasysh dëmet e drejtpërdrejta dhe anësore që sjellë arritja e një qëllimi, shkelja e etikës dhe i ndërgjegjes kolektive të krijuar dhe edukuar në ambientin ku funksionon subjekti, apo ku bën ndërmarrjen e vet, merr përmasat e « bëj çka të dua ; marr çka të dua edhe pse nuk dij mirë se ç’dua ». Egoizëm negativ dhe dëmsjellës në një të ardhme të shpejtë.
Është kjo formë e të kërkuarit të gjithçkafit nëpërmjet një egoizmi të sëmurë, të ballafaquar me mungesë të taktit njerëzor, kulturës dhe moralit shoqëror.

Në anën tjetër ekziston edhe një lloj i egoizmit të lehtë që shfaqet në raste të pavolitshme të ekzistencës, që në të vërtetë, është egoizëm i lindur me vet natyrën e njeriut si element kyç i mbijetesës.
Është ky lloj i egoizmit, i botës së gjallë, që e gjejmë edhe tek bima që ngritet në lartësi drejtë rrezes së diellit dhe nuk mban aspak për botën që e rrethon. Forca e pakët e ngelur në eshtërta që mbahen vetëm në lëkurë të subjektit që shkel mbi të uriturin tjetër akoma më të gjymtuar nga uria për të kapur copën e bukës së hedhur nga egoizmi altruist, nuk mund të radhitet në mos interes për tjetrin.

Një egoizëm i lehtë është edhe dëshira dhe vrapi pas jetës më të mirë, shkollimit të lartë, luksit dhe sigurisë duke dëshiruar dhe synuar në të njëjtën kohë konkretizimin e një ecurie më fatlume edhe për tjetrin, nuk kalohen suazat e egoizmit pozitiv.
Te egoizëm i lehtë, do të them, më se i nevojshëm është kujdesi për vetveten :
Jeta kërkon t’i ofrohen gjërat e nevojshme për tu jetuar në harmoni, brenga për ushqim, për shëndet, për krijim dhe kënaqësitë shpirtërore e fizike që janë të pandashme nga njëra-tjetra, nuk janë detyrimisht egoizëm.

Frika është gjithashtu një komponentë e egoizmit të lehtë. Këtu bëhet fjalë për atë se çka do të ndodhë të nesërmen. Vrapi dhe lufta për ndihmë sociale është mendim vetëm për vete dhe aspak për të tjerët. Kjo dashuri për vetveten është egoizëm i forcuar, instinktiv dhe do ta quaja edhe egoizëm i dhimbshëm apo egoizëm i detyruar.

Egoizmi në shkollim dhe sport, është gjithashtu i rangut pozitiv dhe i lehtë pasi që, në këto raste, subjekti mendon ekskluzivisht për vete, por si që thash edhe më lartë, qëllimi është sublim dhe pse në sport arrihet me humbjen e tjetrit.
Këtu në të vërtetë kemi një kundërvënie të dy ose më tepër bartësve të egoizmit që luftojnë për fitore, për ngadhënjim të unit.
Çdo shkëputje nga egoizmi shkakton pasoja të rënda regresive si që shkakton pasoja shkatërruese egoizmi i tepruar dhe agresiv për arritje të qëllimeve vetanake.

Largimi nga egoizmi si edhe mishërimi me të janë joproduktiv dhe të rrezikshëm se sjellin pasoja të papëlqyera në të dy drejtimet. Një egoizëm i matur e pozitiv, arrihet vetëm me edukatë dhe norma etike të komponuara nga një religjion ose filozofi, nga se këta dy lami të ndërlidhura njëra me tjetrën, gjinden në krye të krijimit të personalitet human.

· Pa mbështetjen e egoizmit, shtaza humane nuk do të ishte zhvilluar asnjëherë. Egoizmi është bimë kacavjerrëse për të cilën u ngjitën njerëzit jashtë kënetave të qelbura për të dalur nga xhungla. Blaise Cendrars (nga Hors la loi - Jashtë ligjit)

· Egoizmi përbën lumturinë tonë nga fatkeqësia e të gjithëve. Henri Lacordaire

· Egoizmi inteligjent do të çonte njeriun në virtyte më të larta. Alfred Capus

· Nëse e përcaktoni egoizmin si dëshirë për të kënaqur nevojat, në këtë kuptim unë dhe çdo pjesëz e natyrës, jemi egoist. Maurice Barrès (nga Armiku i ligjeve)

· Lumturia ka lindur nga altruizmi kurse mjerimi nga egoizmi. Bud