Ela Tase, ylli shqiptar i volejbollit

Në vitet 80’ ajo ishte idhulli i shumë shqiptarëve. Volejbolli ishte një nga sportet më të ndjekur dhe Dinamo e madhe e atyre viteve simbolizohej me një emër: Ela Tase. Ish-volejbollistja e famshme është rishfaqur sërish përpara mediave, në ceremoninë e nënshkrimit të bashkëpunimit mes Komitetit Olimpik Shqiptar
dhe atij të Kosovës. Natyrisht, vitet kanë bërë punën e tyre, por Ela Tase ruan gjithsesi linjat dhe imazhin e një femre që dikur e kishin idhull shumë të rinj.

Ela Tase - Meshkujt vinin ne ndeshje per te na pare te zhveshura

[b]Edhe pse po mbërrin rreth të pesëdhjetave Ela Tasen është një kënaqësi ta kundrosh si fizik dhe pa dyshim të flasësh me të. Me sinqeritet ajo bën një retrospektivë të karrierës së saj dhe ndalet në shumë elemente femërore që i kanë karakterizuar volejbollistet e famshme shqiptare, pa harruar të rrëfejë edhe për rolin e saj si nënë dhe bashkëshorte. Prej 12 vjetësh punon në Akademinë e Policisë dhe duket se është ndarë nga volejbolli aktiv, por shpirtërisht nuk mund të ndahet dot. Gjithnjë e preokupuar për çështjen e sporteve në Shqipëri ajo ngre problemin e degradimit të volejbollit në veçanti dhe sporteve në përgjithësi, duke treguar se lavdia e sportit shqiptar ka mbetur si peshku pa ujë në këto kohëra tranzicioni.

Pse vetëm një fëmijë?
-Vendosëm vetëm për një fëmijë, sepse kur unë isha në moshën e duhur, isha një sportiste në kulmin e karrierës. Kur shpenzon kaq shumë vite për karrierën, është e vështirë të shkëputesh për 15 muaj nga sporti, aq sa kërkon periudha e lindjes së një fëmije. Duhej shumë kurajo për t’u shkëputur, sepse ishte e vështirë që të kthehesha në ato nivele ku unë doja të isha. Më pas kur e lashë sportin, ndoshta dhe do mund të arrija të bëja një fëmijë të dytë, por mu duk e vështirë. Por në ditët e sotme mendoj se kam bërë gabim. Do ishte shumë mirë për mua, të kisha një vajzë që do e kisha si ndihmë dhe pa dyshim duke qenë se me nënën merresh vesh mirë, do komunikoja më ndryshe.
Jeni nënë e lumtur?
-Sigurisht që po. Në gjithë jetën time mund të them se nuk kam patur probleme me djalin. Ka qenë një djalë i mbarë i cili nuk më ka sjellë probleme si me sjelljen dhe me rezultatet e arritura në jetë.
Si është jeta e Elës tani?
-Jeta ime aktuale duke patur një imagjinatë për atë që kam qenë dje, nuk është e njëllojtë. Tani jam një nënë e përkushtuar për familjen, ndoshta duke larë disi dhe borxhin që i kisha asaj, kur sporti ishte prioritet për mua. Një pjesë të kohës e harxhoj për punën që kam, dhe pa dyshim dhe shoqërisë i kushtoj vëmendje.
Si duket jeta tani pa volejbollin?
-Nuk diskutohet që pasi lashë sportin kalova në një jetë krejtësisht ndryshe. Ishte një situatë shumë e vështirë për t’u përshtatur, sepse jeta sportive të jep emocione të shumëfishta, përveç kohës së stërvitjes të jep kontakt me sportadashësit e tu, ku ke praninë e duartrokitjeve, të njerëzve që vazhdimisht të shohin me sy dashamirës. Nuk e fsheh që pata dhe një lloj depresioni. Shumë herë kam derdhur dhe lot, sepse nuk ishte e lehtë të shkëputeshe nga ajo kohë e mahnitshme. Mendoj se të gjithë njerëzit që arrijnë rezultate në karrierë në kohën e shkëputjes. Nga ajo duket se humbasin një pjesë të rëndësishme të vetvetes dhe pa dyshim që i ndryshojnë shumë pika referimi.
Mbas viteve ‘90 duket se ëndrra juaj e volejbollit u pre në mes?
-Tranzicioni solli një shpërbërje të sportit. Trajneri ynë u largua për të gjetur një jetesë më të favorshme të jetës personale. Pra kjo shpërbërje më solli dy situata: e para se mbeta e vetme në Shqipëri, shoqet u shpërndanë, por në të njëjtën kohë ishte një moment që mund ta kuptoje dhe në kahun tjetër që në atë moment nuk ishte mundësia për të gjetur vetveten. Pikërisht atëherë unë u thirra për t’u bërë trajnere në Tetovë ku kam punuar dy vjet me ekipin e “Shkëndisë”. Arritëm me skuadrën vendin e dytë në kampionatin e Maqedonisë. Por unë isha mësuar me nivele shumë të larta, ndaj dhe e lashë shpejt këtë punë. Më pas u ktheva për të luajtur dhe një vit të fundit me “Dinamon” ku trajner pata vëllain tim, Leonardin. Ka një fund të bukur, sepse u mblodhëm me Mimoza Ibrahimin dhe atë vit patëm kulmin tonë duke fituar kampionatin e Shqipërisë dhe të Kupës së Shqipërisë. Që të bëhesha trajnere duhej shumë investim, kohë dhe punë. Në atë moment unë desha dhe të relaksohesha dhe të merresha dhe me jetën time private, sepse kisha 23 vjet që isha marrë totalisht me sport. M’u duk normale të bëja një pauzë. U shkëputa nga volejbolli dhe fillova punë në Akademinë e Policisë, si mësuese e edukimit fizik.
Eshtë një punë e bukur?
-Eshtë një punë që më përshtatet. Gjatë jetës sime kam qenë e apasionuar pas filmave policorë dhe në punën time ka shumë elemente të tilla. Ka disa elementë si ndeshja trup me trup apo të teknikave të ndërhyrjes ku studentët përgatiten. Kam 12 vjet në akademi, dhe ndjehem shumë mirë. Ka studente që duan të marrin maksimumin nga ajo që ofron kjo disiplinë janë shumë komponentë të sportit që i ushtroj dhe i prek me dorë dhe aty.
Ju mungon volejbolli tani?
-Volejbolli më mungon gjithmonë. Dhe kur shoh takime apo ndeshje që bëhen në pallatin e sportit më rrëqethet trupi kur hyj në sallë, sepse unë kam lënë aty vitet më të bukura të jetës, vitet e rinisë sime. Gjatë gjithë jetës ka mbetur një pasion dhe përkushtim sepse me punën që kemi bërë jemi ngjitur në piedestalet më të larta të Evropës.
Keni qenë një nga gratë më të njohura në Shqipëri. E ruani akoma këtë popullaritet?
-Jo tek të gjithë. Mosha e djalit tim nuk i njeh kulmet që kemi arritur ne në volejboll. Por prindërit dhe moshatarët e mi akoma më njohin dhe më nderojnë. Shqiptarët më kanë respektuar shumë, por mendon se i takon shtetit që të na vërë në pidestalin që na takon.
Keni një formë të mrekullueshme. Besoj se për këtë formë ju ndihmon dhe puna?
-Sigurisht që po. Por mendoj se e kaluara sportive më ka ndihmuar për të ruajtur ekuilibrin. Kultura e të ushqyerit dhe e të mirëmbajturit të shëndetit më kanë ndihmuar shumë.
Më hollësisht si ushqeheni ju?
-Nuk ha shumë. Mundohem që në mëngjes të pi një gotë me qumësht, të shoqëruar me ndonjë biskotë. Nuk ha kurrë bukë të lyer me gjalp ose me marmelatë. Një herë në javë përdor ndonjë vezë. Më pas duke qenë se jetojmë në kolektiv më ndodh të pi disa kafe para mesditës. Në drekë ha normalisht. Që për sportistët do të thotë të hash të parë të dytë e të tretë. E ruaj këtë lloj të ushqyeri, duke mos konsumuar bukën, dhe mishin nuk e marr kurrë të dhjamosur. Në darkë pi ndonjë gotë kos ose qumësht. Gjatë mbasdites konsumoj ndonjë frut. Pastaj mendoj se më ndikon dhe gjatësia.
Si u njohët me bashkëshortin?
-Na lidhi sporti. Unë isha në volejboll dhe ai ishte trajner basketbolli me ekipin e të rinjve të Dinamos. Kuptohet që ai ka qenë i pari që më bëri propozimin. Deri në atë moment unë e njihja vetëm si profesor dhe nuk më shkonte mendja për ndonjë lidhje. Më pas u njohëm dhe patëm pjekurinë për t’u lidhur me njëri tjetrin. Kemi kaluar një jetë shumë të qetë. Ka qenë një njeri që më ka kuptuar shumë dhe më ka mbështetur në pasionin që kisha për sportin. Dhe në shtëpi jam shumë e kënaqur dhe shumë e lumtur.
Brenda kuadrit familjar besoj e keni gjetur veten mirë si amvisë?
-Unë jam me origjinë korçare dhe e kam patur në traditë pastërtinë dhe gatimin. Kur merresha me sport kam qenë indiferente ndaj shtëpisë ndërsa tani kujdesem më shumë. Ndoshta sepse kam kohë dhe më shumë. Jam goxha e përkushtuar, duke menduar që kam dhe dy meshkuj në familje. I kam plotësuar shumë detyrime, siç jemi në përgjithësi ne gratë shqiptare.
Ç’mendim keni në përgjithësi për bashkësinë femërore shqiptare?
-Shumë gjëra mund të thuhen, por nuk di se si mund të zgjidhen. Shumë organizma të gruas propagandojnë me të madhe se si gruaja shqiptare duhet të ndjehet më femër, të ndjehet e rrethuar nga xhentilesa dhe respekti, por mentaliteti dhe meshkujt shqiptarë e kanë të vështirë ta pranojnë dhe zbatojnë këtë gjë. Mendoj se femra shqiptare është shumë e emancipuar, por në të njëjtën kohë dhe e vetësakrifikuar. Ajo e ka në koncepte dhe në ide emancipimin, por në familje ajo dhunohet. Dhe shumë herë është e detyruar që të ulë kokën. Mendoj se janë meshkujt ato që duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e saj dhe pa dyshim dhe rolin e saj të pazëvendësueshëm në familje e kudo.
Bashkëshorti ka qenë ndonjëherë xheloz ndaj jush?
-Jo. Në familjen time nuk ka ekzistuar xhelozia. Sepse unë kam ndenjur gjatë në sport, dhe kemi jetuar kaq shumë me shoqërinë, sa kjo ndjenjë nuk ka ekzistuar kurrë.
Vëllai juaj me çfarë merret?
-Edhe ai ka qenë një volejbollist shumë i talentuar. Ka qenë një nga sportistët e “Dinamos” që ka dhënë një kontribut të padiskutueshëm në volejbollin shqiptar. Ai drejton me kompetenca federatën e volejbollit. Jemi shumë të lidhur, si gjithnjë, sepse kemi qenë të dy bashkudhëtarë në sport dhe në jetë. Jemi marrë vesh shumë. Kemi dhe mamanë. Kur bisedojmë ndonjëherë në familje dhe rikthejmë në mendje kohën e sportit kujtojmë që mamaja na lante dy çanta sporti. Ajo na ka favorizuar gjithnjë duke na lehtësuar, që ne të merreshim totalisht me sportin dhe me mësimet.
Jeni optimiste për të ardhmen?
-Njeriu duhet të jetë optimist, dhe unë mendoj se me fjalë jam, por me vepra nuk di a duhet të jem. Në kohën tonë në krijuam një sport që solli emocione të mëdha. Në këto nivele dua që ai të ngrihet përsëri. Por nëse do largohen njerëzit nga sporti nuk di se kush mund ta ngrejë atë lart. Njerëzit e biznesit duket se e kanë kthyer atë në një mënyrë për të fituar, por sporti duhet të kalojë në nivele të tjera para se të kthehet në biznes, siç bëhet dhe nga eksperienca jashtë vendit tonë.
Cilat janë momentet më të vështira të jeetës suaj?
-Një nga momentet e vështira ka qenë kur isha 20 vjeç dhe kam pësuar një traumë, duke këputur një ligament. M’u desh të shkëputesha nga sporti dhe të bëja një operacion relativisht të vështirë. Për një sportist të shkëputet 8 muaj është moment i vështirë. Momenti i dytë ka qenë kur humba babain tim, që e kam patur mbështetje dhe pikë të dobët. Dhe kjo ka qenë një traumë tjetër për mua. Mendoj se jeta është e mbushur me shqetësime, por e rëndësishme është të mos kesh shqetësime të mëdha.
Emri Ela Tase të ka hapur shumë dyer?
-Të vetmen gjë që mund të them se është pozitive për shoqërinë tonë, është se siç jemi mikpritës mes njerëzve, kudo që shkoj e ndjej respektin, mikpritjen dhe hapjen e dyerve. Mendoj se kjo gjë duhet të mbetet. Ne jemi njerëz që kemi sakrifikuar në jetë, dhe duhet të na duan dhe të na vlerësojnë për punën që kemi bërë. Sigurisht që ky vlerësim mbetet në nivel popullor më shumë se administrativ. Kur njeriu arrin një kulm në karrierën e tij mbetet shumë keq kur vlerat jo vetëm nuk ia respektojnë por dhe ia harrojnë.
Ju vjen keq që keni ushtruar sportin në një kohë të vështirë kur puna dhe talenti nuk konvertoheshin në para, por vetëm në stimuj materialë?

  • Kur unë bëra sportin në këtë shtet isha, në këtë shoqëri, dhe sportin nuk e kam filluar asnjëherë për lekë. Nuk mendoj që një njeri mund ta nisë një karrierë për para. Unë kam plotësuar një dëshirë, një pasion dhe pa dyshim një detyrë. Me thënë të drejtën jam argëtuar dhe krenuar shumë me punën time. Nuk kam menduar kurrë se ajo punë mund të më sillte vlera monetare. Normal që unë do pëlqeja që të kisha siguruar dhe vlera monetare, për të siguruar jetën e mëpasme. Por duke qenë se të gjithë shqiptarët që dhanë vlera në atë kohë nuk u shpërblyen, pa dyshim që s’më ka mbetur merak as mua. Ne jemi një brez që nuk e kam mësuar veten me lekë. Gjëja që shpresoj është që ato vlera që ne i kemi dhënë shoqërisë ajo të mos na i kthejnë duke na bërë robër të mbijetesës. Shteti duhet të na mbështesë.

Kur mund t’i aktivizojmëfëmijët tanë me volejbollin?
Ajo sjell eksperiencën e një koleges së saj, Eva Kavaja, e cila punon në Sardenja të Italisë dhe punon me shoqëritë e moshave të vogla për të dhënë elementë të rinj në fushën e volejbollit. Marrja me sport fillon që 6 vjeç. Sigurisht që nuk luhet që në këtë moshë volejboll, por fëmijët fillojnë me shprehitë e para lëvizore të volejbollit, dhe pa dyshim dhe me ushtrimet që rrisin fizikun. Nuk arrihen të kuptohet lartësia e fëmijëve, por fëmija mëson shprehitë lëvizore, ndikohet në rritjen e gjatësisë, duke bërë lëvizje që rrisin muskulaturën. E sjell këtë eksperiencë me pak trishtim, ndoshta dhe për faktin se në Shqipëri është këputur hallka zinxhir e sportit. Nuk ka më grupe përgatitore për fëmijët, në mënyrë që këto të fundit kur të rriten të kenë përgatitjen e duhur. Thotë se në Shqipëri mosha normale e angazhimit me sport ka qenë 11-12 vjeç dhe ka funksionuar shumë mirë.

I kam veshur shumë minifundet

Me kalimin e kohës të gjithë e kanë vërejtur që jeni bërë dhe më e pashme?
-Kur ishim në sport mënyra e veshjes sportive, lidhja e flokëve në maksimum me llastiqe dhe me kapse, muskujt ndoshta aludonin një pamje pakëz burrërore. Në përgjithësi të gjitha sportistet e mbanin shumë veten.
Si ka qenë raporti me veten?
-E kam vlerësuar goxha, sidomos nga fiziku. Ne e shihnim veten të bukur. Ne ishim nga ato femra që dilnim në atë kohë me këmbët jashtë. Nëse sot vajzat krenohen të dalin në një mis, ne atëherë kemi qenë të gjitha mise, sepse ekspozonim fizikun tonë më të bukur. Ne ishim pasqyrë e bukurisë femërore në fushë. Shumë meshkuj vinin dhe vetëm për të parë femrat në fushë. Ndërkohë që sot nuk përbën ndonjë kuriozitet se janë të zhveshura të gjitha.
Pra ishit miset e kohës?
-Normal, që po. Për shkak të konservatorizmit jo shumë vajza e ekspozonin fizikun. Në atë kohë nëpër shkolla kur dilnin vajzat me kilota vinin meshkujt për t’i kundruar.
Keni qenë shumë moderne?
-Duke qenë sportiste ne kemi qenë goxha moderne se dilnim jashtë. Në kohën tonë nuk lejoheshe të visheshe bluxhinse, ndërsa ne i vishnim. Në atë kohë për të tjerët quhej shfaqje e huaj. Të visheshe me ngjyrë të kuqe atëherë ishte problem sepse të gjithë visheshin me copa gri dhe me ngjyrë të zezë. Ne ishim të parët që dolëm jashtë dhe nisëm të merrnim bluze me ngjyra. Duke qenë sportiste na shihnin me sy tjetër. Kur shkoja unë tek gjimnazi “Partizani” vetëm unë vishja xhinse. Na e bënin ndonjë lëshim.
Po minifunde keni përdorur?
-Gjithë kohës. Duke patur këmbë të gjata më kanë shkuar minifundet. Dhe sot e kësaj dite që kam moshë të pjekur kur vesh ndonjë fund të gjatë më duket vetja e shëmtuar. Sigurisht, që tani me moshën mundohem t’i kem veshjet më të rregullta.
Kur u bëtë bjonde?
-Me lindjen e djalit nisa ta thyeja ngjyrën.
Duke qenë më të lirshme dhe më të favorizuara, keni bërë ndonjë aventurë?
-Jo, nuk kam qenë tip i aventurave. I përkas një brezi që e ka vlerësuar dhe respektuar shumë shoqërinë dhe që nuk e ka patur mendjen shumë tek aventurat. Ne çdo gjë e shihnim me frikën se mos i shkaktonim probleme prindërve, familjes. Kemi patur shumë shoqëri dhe me meshkujt, por kurrë me syrin e aventurave. Vazhdoj dhe tani të kem shoqëri me meshkujt, por shoqëri të sinqertë dhe normale. Brezi ynë është një brez tjetër, një brez idealist, që nuk i njihnim prapaskenat. Unë jam rritur në shoqërinë e vogël brenda ekipit dhe u mësuam me mendimin se ne ishim motra. Kur dola jashtë sportit unë pashë një lloj tjetër shoqërie, atë ku duhet të përballoje dhe fjalë nga prapa. Ka qenë kalim i vështirë.

Çfarë duan gratë?
Histori e marrë nga libri “women”i Raul Cremones

Një ditë mbreti Artur u kap rob nga një mbret tjetër gjatë një lufte. Duke e parë moshën e vogël të mbretit Artur mbreti tjetër vendos t’ia falë jetën me kusht që ti përgjigjej një pyetjeje shumë të vështirë: “Çfarë duan në të vërtetë gratë? Arturi kish një vit kohë për të gjetur përgjigjen dhe, nëse nuk jepte një përgjigje të kënaqshme, do ti pritej koka.

Një pyetje e tillë do linte pa fjalë edhe burrin më të mencur, prandaj Arturit iu duk një sfidë e humbur pa nisur akoma. Megjithatë, duke parë se alternativa ish vdekja, pranoi propozimin dhe u kthye në mbretërinë e tij. Sapo mbërriti aty, filloi të pyesë këdo: princeshën, prostitutat, priftërinjtë, pleqtë, shërbyeset …e kështu me rradhë. Por askush nuk dinte ti jepte një përgjigje të hajrit. Ajo që më së shumti i këshillonin ishte të shkonte tek një shtrigë e vjetër. Vetëm ajo mund t’ja gjente përgjigjen, edhe pse duhej paguar shtrenjtë sepse shtriga ish e njohur për gjërat e mëdha që kërkonte në shkëmbim.

Koha kalonte dhe erdhi dita e fundit e vitit, ndërkohë që mbreti nuk kish zgjedhje tjetër veçse të shkonte tek shtriga tashmë. Shtriga pranoi të përgjigjej në shkëmbim të dorës së Pirros, kavalierit më të mirë të mbretërisë, të cilin donte ta martonte. Mbreti e kish shok të ngushtë Pirron dhe i erdhi ndot nga ky propozim i fëlliqur… Shtriga kishte një gungë në kurriz, një grep në vend të dorës, një dhëmb të vetëm ne mes te gojes, dhe binte ere e qelbur. Mbreti nuk kish takuar ndonjehere nje krijese kaq të shpifur, prandaj nuk pranoi të fuste shokun në këtë mesele që do i shkatërronte jetën.

Me të marre vesh propozimin Pirro flet me mbretin për ta lejuar të martohej me shtrigën. Asnjë sakrificë nuk do ish shumë e madhe për ti shpëtuar jetën shokut dhe mbretit të tij.

Martesa u shpall dhe shtriga iu përgjigj pyetjes shumë thjesht:”Ajo që një grua do vërtet është të jetë e lirë të jetojë jetën e saj”.
Të gjithë e pranuan se nga goja e shtrigës doli një e vertetë e madhe dhe në fakt mbreti tjetër ia fali jetën Arturit.

Po martesa e Pirros me shtrigën si vajti ?
Pirro sillej si gjithmonë, xhentil dhe me mirësjellje. Shtriga ndërkohe tregoi anën e saj më të shëmtuar, hante me duar, bënte gogësima dhe pordha. Erdhi dita e martesës dhe natën e parë Pirro po mundohej të merrte kurajo për të kaluar atë natë të hidhur. Në fund i vendosur hyn në dhomën e gjumit dhe … ç’të shohë!!!

Në krevatin martesor qëndronte gruaja më e bukur që kish parë ndonjëherë. Pirro mbeti i shtangur dhe pasi mori veten për pak minuta e pyeti shtrigën se çfarë kish ndodhur. Shtriga iu përgjigj se ai kish qenë aq xhentil sa shtriga kish vendosur ti shfaqej në formën e saj të bukur, të cilën askush nuk e njihte. Në fakt shtriga gjysmën e ditës ishte e shëmtuar dhe gjysmën tjetër e bukur.

Duke qenë kështu shtriga pyet Pirron cilën pamje donte të kishte natën dhe cilën të mbante ditën.

Pirro filloi teëmendonte ç’të zgjidhte: Një grua të mrekullueshme gjate ditës, kur ai ishte me shokët, dhe një gjë të shëmtuar natën? Apo të kalonte ditën me shoqërine e shtrigës për të patur gjatë natës momentet e intimitetit me një femër të mrekullueshme.

Pirro i mirë ju përgjigj shtrigës se e linte zgjedhjen në dorën e saj. Sapo e dëgjoi shtriga qeshi dhe i tha se do të rrinte e bukur gjithmon, pikërisht sepse ai e kish lënë të lirë të zgjidhte për jetën e saj.

Libri ku është marrë kjo histori është për të qeshur. Prandaj po ju tregoj konkluzionin që nxjerr:
S’ka rendesi nëse gruaja që ke afër është e shëmtuar apo e bukur, inteligjente apo budallaçkë. Në fund të fundit brenda saj fshihet gjithmonë një shtrigë…[/b]

© Gazeta Panorama

O Kuklla! Po nga behet tani kjo re!

po ne shqiperi pra, qenka. :?

Une e kam pasur shume qejf Ela Tasen, me ka pelqyer volejbolli shume dhe akoma luaj.
Kur beheshin Olimpiadat me rrethet ne skuadren time kam qene kapitene.
Ah cna kujtove re kuklla.
Kur luante Shqiperia mblidheshim te gjithe neper shtepira dhe bertisnim si tifoza te cmendur, ndersa tani ja kemi varur fare.

e pashe ne foto Ela Tasen, ish plakur, ndoshta nuk e mbaja mend mire, se te gjithe shikonim sherbimet e saj fantastike, shikonim murin qe krijonte para rrjetes.

Ela Tase: Portreti i një mjeshtreje
ndër volejbollistet më të mira të viteve ’80

Nga Giovanni Armillotta

[b]Ela Tase ka qenë një prej volejbollisteve më të mëdha evropiane të viteve ’80, edhe pse nisi të tërhiqte vëmendjen ndërkombëtare që nga vjeshta e 1978, gjatë një çerekfinaleje të bujshme të Kupës së Kampioneve. Shorti kish vendosur përballë Dinamos së Tiranës skuadrën çeke të Sllavia Bratisllavës, që dy vjet më parë kish fituar Kupën e Kupave (sot Top Teams Cup).

Shqiptaret kryesuan 3-1 në Karpate, por në Tiranë, kur kalimi në gjysmëfinale dukej i sigurt, Sllavia hakmerret për humbjen në shtëpi dhe kalon turin vetëm me një pikë diferencë: 101-102. Në të dy takimet spikati mbi të gjitha vajzat Ela Tase, që, që në Spartakiadën e Tretë të 1974, vetëm 15 vjeç, zuri vendin e dytë së bashku me skuadrën e saj Dinamon, duke humbur me 17 Nëntorin e Tiranës (1-3).

Në 1979 Ela Tase shpallet volejbollistja më e mirë e Ballkanit dhe fiton me Kombëtaren shqiptare Medaljen e Bronxit në Kampionatin Ballkanik të Bukureshtit (titullin si më e mira në Ballkan e rimerr në 1986, dhe në 1988, në moshën “e nderuar” 29 vjeçare!). 1980 inagurohet me finalen e parë të Dinamos së femrave në një manifestim evropian: pasi eliminojnë skuadrën e Gjermanisë Federale të Shvertes (1-3, dhe 0-3 në Tiranë) dhe favoriten italiane të 2000Uno Barit (3-1, dhe 0-3 në Tiranë), shqiptaret e drejtuara nga Ela Tase mbërrijnë në finalen çeke të Jiçinit. Pas një humbjeje me zonjat e shtëpisë të Rúda Hvezda Bratisllavës (që fituan kupën), mundën me rezultat të pastër (3-0) Nimse Budapestin (Kampione e Europës në 1972-73). Vetëm një humbje e papritur kundër turkeve të Eczacibasi-t të Stambollit e privon Dinamon nga vendi i dyti apo i tretë: për diferencë pikësh rezultojnë të dytat, të tretat dhe të katërtat për barazim në klasifikim dhe diferencë setesh (4 pikë dhe sete 3-6).

Në gjysmën e parë të viteve ’80. Ela Tase fiton Medaljen e Bronxit në Kampionatin Ballkanik në Athinë (1980) dhe është gjysmefinaliste në Kupën e Kampioneve të 1980-81 dhe 1982-83. Martesa, në 1983, dhe sidomos Iindja e fëmijës, e shtrëngon të ndahet për 15 muaj nga stërvitja. Por trajneri i klubit tiranas, Kreshnik Tartari (lojtar finalist me Dinamon në Kupën e Kampioneve përmeshkujt, 1971-72), e bind të vazhdojë të luajë (ishte hera e dytë, pas një traume në këmbë në 1980).

Ç’mbeti nga vitet ’80 u mbush me kënaqësi të mëdha: përveç titujve ballkanikë, dhe Medaljes së Bronxit dhe Argjendit, respektivisht në Kampionatin Ballkanik të Artës (Greqi, 1986) dhe Tiranë (1988). Tase e drejton Dinamon në finalen e Kupës së Kupave (1986-87) duke i nxjerrë nga radha qipriotet e Olympiakos-it Nikosia (0-3 dhe 0-3), zviceranet e Uni-t të Lozanës (3-0 dhe 3-0) dhe jugosllavet e Mladost Zagabrias (0-3 dhe 1-3 në Tiranë). Porse Federata shqiptare heq dorë nga finalja për të mos u ndeshur me sovjetiket e Kommunalnik Minskut. Gjithmonë në 1987, Ela Tase quhej frymëzuesja e vërtetë e Medaljes së Artë shqiptare në Lojërat e X të Mesdheut të Latakias, duke triumfuar në të gjitha ndeshjet: Shqipëri-Itali 3-1, Shqipëri-Turqi 3-0, Shqipëri-Greqi 3-0 dhe Shqipëri-Siri 3-0.

Mbërrijnë vitet ’90. Ela Tase i kalon të tridhjetat, por jo vetëm e mban veten në formë, por shton edhe triumfet. Dhjetë vjet pas, Dinamo kthehet nëfinale në Kupën e Kampioneve të 1989-90, duke eliminuar polaket e Stal Bielsko-Bialas (1-3 dhe 2-3 në Tiranë), gjermano-lindoret e Dynamo-s së Berlinit (3-1 dhe 0-3 në Tiranë) dhe rumunet e Dinamo-s së Bukureshtit (3-1 dhe 1-3 në Tiranë, pika: 92-98). Në finalën e Ravenës, Ela Tase dhe Dinamo sjellin Medaljen e parë shqiptare në një garë volejbollistesh mes klubeve. duke u renditur të tretat falë fitores ndaj francezeve të Racing Parisit (3-1), pas kampioneve sovjetike lë Uralochka Sverdllovskit dhe italianeve të Teodora-s së Ravenës. Sërish në 1990, kapitenia e udhëheq Shqipërinë drej triumfit ne Kampionatin Ballkanik të Praveçit (Bullgari): Shqipëri-Jugosllavi 3-0, Shqipëri-Bullgari 3-0, Shqipëri-Rumani 3-0, Shqipëri-Greqi 3-0, Shqipëri-Turqi 3-0. Një Medalje e Artë e fituar për herë të parë duke u shquar në të gjitha kuptimet.

Por nuk mbaron me 1990! Një vit më pas Ela Tase, me Shqipërinë. është gjysmëfinaliste në Lojërat e XI të Mesdheut në Athinë, dhe – ç’është më e rëndësishme – pas kualifikimit historik në ndeshjet eliminatore të Salisburgut, del për herë të parë në fazën finale të Ravenës në Kampionatin e XVII Europian për Kombëtaren e femrave.

Ela Tase është një simbol, jo vetëm i volejbollit shqiptar dhe evropian, por e sportit në pergjithësi: kafituar 15 tituj në Shqipëri, 13 Kupa Republike dhe 3 Spartakiada, pa llogaritur trofetë e panumërta ndërkombëtare per përfaqësueset dhe klubet. Sot, zonja Ela Tase është zv. Presidente e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSh) dhe Presidente e Komisionit Femrat dhe Sporti.[/b]

sa qejf e kam volejbollin…por vetem per ta pare, se sjam e zonja te luaj. Kur luante Ela me pelqente shume, ishte me te vertete nje volejbolliste e shkelqyer. me vjen keq qe ishte ne ate kohe e me pas asnje nuk ia diti vlerat. me vjen keq qe personazhe te tille i mbulon pluhuri i harreses. Ela Tase nje nga sportistet me te mira shqiptare.