Fabula dhe Perralla per Femije te vegjel

Kujt nuk i kanë pëlqyer përrallat kur ishte i vogël?! Në këtë postim do të gjeni disa përralla për fëmijë të vegjël. Mase nuk do jenë shumë ‘moderne’, por gjithmonë ngelen më të bukurat.

Materialet ne vijim janë mbledhur nga burime te ndryshme! Nese kemi prekur çdo te drejte, na kontaktoni ti heqim! Faleminderit për mirëkuptimin!!!

Bariu dhe dhite

Një bari i çoi dhitë e veta për të kullotur. Atje vuri re se dhitë e tij
ishin përzier me dhi të egra, dhe kur erdhi mbrëmja i shtiu të gjitha
në shpellën e vet. Të nesërmen, bëri shumë ftohtë, dhe nuk mund t’i
nxjerrë në kullotë dhitë, prandaj i la në shpellë. Dhive të veta
u gjeti nga pak ushqim, sa të mos i marrë uria, kurse dhive të egra u
gjeti mjaft ushqim për t’i bërë krejtësisht për vehte. I ftohti mbaroi dhe
ai i nxori të tëra dhitë në kullotë. Dhitë e egra morën malin e ikën.
Kur ai filloi t’i qortojë se janë mosmirënjohëse që ikën dhe e lanë,
megjithse ai u kujdes shumë për to, ato u kthyen e i thanë:

  • Pikërisht për këtë ne frikësohemi dhe ikëm prej teje. Gjersa ti
    neve, që të erdhëm dje, na çmove e shikove më tepër se dhitë tua, është
    e qartë se edhe të tjerat që do të afrohen më vonë, to t’i çmosh e
    shikosh më tepër se ne.

Cironka e artë

Na ishte një herë një plak i varfër, por shumë i varfër ama. Ai jetonte në breg të lumit bashkë me plakën e tij grindavece. Jetonin të dy në skamje dhe në mjerim të plotë. Plaku zinte ndonjë cirua në lumë dhe plaka e gatuante.

Një ditë dimri plaku ndenji te lumi me orë të tëra, por nuk zuri gjë. Ishte ftohtë. Ai donte të kthehej në shtëpi, por kur kujtonte plakën rrinte aty me shpresë se mund të kapte diçka.
Dhe më në fund fija e vjetër e filldispanjës u lëkund dhe plaku nxitoi ta tërhiqte. Kur ç’të shihte? Një cirua i vogël, fare i vogël vazhdonte të përpëlitej në majën e grepit. Plaku e mori në dorë. Cironka kishte ca vezullime të arta. Plaku hapi torbën e tij të vjetër dhe…
-Të lutem, më hidh përsëri në lumë!

Plaku u habit.
-Kush foli?- Tha.
-Të lutem, më hidh në lumë,- tha cironka- dhe unë do të të realizoj çdo dëshirë që të kesh.
Plaku i shkretë ishte shumë zemërmirë. Ai e kuptoi se as ai e as plaka e tij s’ngopeshin dot me një cironkë aq të vogël dhe e hodhi në lumë. Në çast, cironka doli nga uji dhe i tha:
-Më thuaj një dëshirë!
-Të kisha një torbë me cironj…
Pa mbaruar plaku fjalën, torba me cironj i erdhi pranë. Plaku i mori dhe u nis në shtëpi. Në fillim plaka e shau, por pastaj natyrisht u kënaq.

Plaku se mbajti dot të fshehtën (Ah, këta pleqte e mirë!) dhe ja tregoi gjithë
historinë… Plaka lakmitare i tha:
-Pse nuk i the që cironjtë të ishin të tiganisur? Shko, thuaji!
Plaku i shkretë shkoi nëpër të ftohtë, e thirri cironkën dhe ja tha dëshirën.
Kur shkoi në shtepi, plaka kishte përfunduar gjysmen e cironkave…

Por kjo s’ishte asgjë…
Sa herë që plakes i kujtohej ndonjë gjë ajo dërgonte plakun t’ia thoshte këtë
dëshirë cironkës. Dhe plaku (Ah, i shkreti plak!..) shkonte në lumë dhe
thërriste cironkën. Dhe cironka bënte realitet dëshirën e plakës. Kështu
pleqtë u bënë zengjinë. Ata kishin shtëpi të mirë, kuaj, hyzmetqarë, …, çdo gjë,
çdo gjë.
Aq sa plaka s’kishte më çfarë të kërkonte dhe një ditë e urdhëroi plakun:

  • Shko merre cironkën tënde të qelbur dhe sille këtu!
    Plakut të shkretë i therri në zemër dhe çalë-çalë u nis e shkoi në anë të lumit dhe i thirri cironkës.
    Ajo doli në çast mbi ujë. Cironka ishte e artë. Edhe zemrën e kishte të artë.
    -Më thuaj një dëshirë!- i tha ajo plakut si gjithmonë.
    -Plaka më tha…- Plaku u gëlltit.- se ti duhet të vish me mua tani.
    Pra…plaka do që ti ta lesh lumin dhe të vish me mua…
    Cironka e vogël heshti. Heshti disa çaste dhe pa folur fare u krrodh thellë në
    ujrat e turbullta të lumit për të mos dalë më kurrë.

Plaku u kthye në shtëpi…shtëpia s’ishte më. Në vend të saj gjeti kasollen, plakën e tij dhe të njëjtën varfëri. Ndoshta kishte kërkuar shumë…

Maçoku dhe minjtë

Tregojnë se një maçok
ish i fortë sa s’kish shok,
kur dilte të gjatonte,
asnjë mi nuk’ i shpëtonte,

minjt’ e gjorë desh u shuan,
ca të pakët që shpëtuan,
në vrimë rrinë të tërë
nga frika se mos i zërë,

maçi përgjon nat’ e ditë,
po s’dalin nga vrima mintë,
rrinë ndënë prak.
Po për këtë shkak,

maçi, një mëngjes,
shtiret sikur vdes
dhe në një litar
nga këmbët u var,

as tundet, as flet,
mitë, me të parë,
pandejnë vërtet
se, maçokn’ e kanë vrarë,

Në dhomë, guxojnë
qasen mengadale,
nga gazi këndojnë
dhe kërcejnë valle,

i vdekuri qeshi,
(u ngjall si Lazari)
dhe ra nga litari,
zuri minj sa deshi,

ata që shpëtuan
me vrap u larguan.
"Tekdo që të vini,
thosh maçi me vete,

shpëtim nukë kini
se di marifete,
di të them të rreme,
di të bëj llagëme."-

Maçi një të diel.
U lye me miell.
Minjtë këtë dhunë,
Nuk’ e kupëtuan

dhe ju afruan,
një nga një u zunë.
Një mi plak me mënd,
i ditur, i vuar,

s’u qas n’atë vënd:
"Të kam kupëtuar,
dhe miell në ke
s’të bie në duar,

se të di kush je
sot s’më gënjen dot, s’më qesh
dhe thes me miell të jesh,
nuk qasem, mos ki shpresë."

Tha miu dhe iku.
Armikut, kush s’i vë besë,
shpëton nga rreziku.

Naim Frashëri

Dhelpra dhe cjapi

Na ishte seç na ishte…

Një ditë një dhelpër ra në pus. U mundua sa u mundua por nuk doli dot. Pastaj vendosi të presë, sepse nuk dinte si të dalte. Një cjap e kishte marrë etja, dhe erdhi tek pusi për të pirë ujë. Aty pa dhelprën brenda, dhe e pyeti:

  • O dhelpër, a është uji i mirë?
    Dhelpra filloi ta lavdojë e ta mburrë qartësinë dhe kthjelltësinë e ujit sa s’ka më. Pastaj i tha,
  • Hajde më mirë këtu poshtë, se këtu e shijon më mirë.
    Cjapi zbriti poshtë, pasi e kishte marrë etja pa se nuk dilte dot nga pusi.
  • Si t’ja bëjmë tani? - tha cjapi. Si do të dalim prej pusit?
    Dhelpra i tha:
  • Mos u bëj merak. Kam menduar unë për të dy. Shiko si do të dalim…

Çoji këmbët e para në murin e pusit dhe afroji brirët. Kur të
ngjitem unë lart mbi kurrizin tënd, do të të tërheq dhe do të të ndihmoj edhe
ty.
Cjapi pranoi. Dhelpra këceu në shpatullat e tij, qëndroi në brirë, doli prej pusit dhe filloi të largohet.

Cjapi i thirri: - O dhelpër, po mua më harrove?
Cjapi e qortoi që nuk e mbajti fjalën e dhënë. Dhelpra u kthye e i tha:

  • I dashuri cjap, sikur të kishe aq mend sa ke qime në mjekër, ti as
    që do të zbritje në pus para se të mendoje se s’do kishe për të dalë.

Morali: Njerzit e mençur së pari duhet ta mendojnë mbarimin e punëve, e mandej të fillojnë e ti kryejnë ato.

Tri gjërat e thjeshta të plakut

Njeriu një jetë ka dhe ajo nuk i kthehet kurrë më për së dyti. Edhe plaku i moçëm, një jetë pati, mbushi njëqind vjet dhe vdiq.
Po tregojnë se, para se t’i shuheshin qirinjtë në gropat e syve, u tha djemve aty pranë shtratit të lamtumirës:
-Bijtë e mi, njeriu është mysafir në këtë botë. Prandaj, po jua le me gojë që, kur të bujtni në shtëpinë e tjetrit për mik, mbani me vete tri gjëra të thjeshta: një metër, një gur kandari dhe një gjilpërë.

-Përse një meter, baba?! - foli djali i parë, ose gishti i madh i dorës, siç e quante plaku, pasi qe më i madhi në moshë se vëllezërit dhe donte vend të veçantë në qoshen e vatrës.
Plaku i hodhi një vështrim të zgjuar.
-Që të matësh vendin kur rri mes të tjerëve, biri im.

-Përse një gur kandari, baba?! - foli djali i dytë, ose gishti i gjatë i dorës, siç i thoshte i ati, pasi qe më i gjati në familje dhe bënte punët më të rënda.
Plaku i hodhi një vështrim të matur.
-Ta peshosh fjalën tënde para se ta thuash, biri im.

-Përse një gjipërë, baba?! - foli djali i tretë, ose gishti i vogël i dorës, siç e quante babai, pasi qe më i vogli në moshë dhe trajtohej gjithkund “pas të tjerëve”.
Plaku i hodhi nje vështrim të mençur.
-Para se te thumbosh tjetrin me fjalë, ta provosh në veten tënde më parë, në të dhemb apo të djeg, biri im.

Dhe për të fundit herë plaku foli gjuhën e mëmës:
-Dhe tani, bijtë e mi, trupin tim ia fal tokës dhe mendjen time jua le juve…

Fshatari dhe djemtë e tij

Na ishte seç na ishte,

Na ishte një herë një fshatar i varfër. Ai kishte tre djem. Djemtë nuk ju pëlqente që të punonin arën si babai. Ata loznin gjithë ditët. Babai vuante shumë që djemtë e tij nuk e donin punën. Një ditë prej ditësh ai u sëmur rëndë. Kur i erdhi koha për të vdekur i thirri pranë djemtë e tij.

– Fëmijët e mi,
unë tanimë po shkoj prej kësaj bote, e ju do të jeni të
lumtur e të pasur në qoftë se gjeni atë që është e fshehur në vreshtën
tonë. Punojeni arën bijtë e mi, se do ta gjeni.

Fëmijët e tij menduan se diku atje në arë do të jetë futur thesari.
Prandaj, pas vdekjes së të atit, rrëmihën tërë tokën rreth trungjve të
hardhive, por thesarin nuk e gjetën.

Mirëpo vreshta e punuar mirë, u solli atë vit fryt të mirë e të bollshëm.

Kur panë begatinë që ju pruri puna ata e kuptuan porosinë e atit të tyre.

Dreri dhe Luani

Një dre i etur erdhi tek një burim. Ndërsa ishte duke pirë ujë, vuri
re në ujë hijen e vet e filloi të mburret për brirët e vet, duke parë
madhësinë e bukurinë e tyre, kurse për këmbët e veta u hidhërua që i
kish aq të holla e të hajthme. Derisa ende ishte duke menduar për këtë
gjë, ia bëhu luani e filloi ta ndjekë. Dreri ia dha këmbëve dhe u
largua mjaft prej luanit. Për sa kohë vrapoi në fushë pa drurë, dreri vrapoi
mirë e i shpëtoi rrezikut, por kur mbërriti në pyll, në një vend me
drurë të dendur, brirët iu ngatërruan nëpër degët e drurëve. Dhe pasi
nuk mundi të vrapojë më, luani e kapi.

Para se të mbaronte në gojën e luanit, dreri tha me vete:

I shkreti unë! Këmbët më shpëtuan, megjithse mendova se ato do të
më lënë në baltë, kurse e gjeta belanë prej brirëve, tek të cilët kisha
plot besim.

Kali dhe Gomari

Një njeri kishte një kalë dhe një gomar. Kur njëherë ishin duke udhëtuar, gomari i tha kalit:

  • Merr pak prej barrës sime, të lutem, që të mbetem gjallë.
    Kali nuk e dëgjoi. Kështu gomari, nga lodhja e tepërt, u rrëzua dhe ngordhi.

I zoti, mandej, ja ngarkoi tërë barrën kalit, madje edhe lëkurën e gomarit të ngordhur. Kali filloi të ankohej:

  • Oh unë i mjeri, ç’ka më gjeti! Nuk dëgjova që të mbartja barrë të
    vogël, kurse tash, ja po i mbart të gjitha, madje edhe lëkurën e
    gomarit të ngordhur.