Facebook është vendi më i mirë për punë

Rrjeti më i madh social në botë, Facebook.com ka marrë edhe një njohje. Sipas rezultatit të kërkimit të faqes Glassdoor.com, e cila merret me hulumtimin e mundësive për punë, thuhet se Facebook është vendi më i mirë në të cilin mund të punësoheni.

Sipas të dhënave të këtij kërkimi, Facebook gjendet në vendin e parë, ndërsa kjo paraqet një befasi mjaft të madhe, pasi që ky rrjet social vitin e kaluar nuk ishte në mesin e kompanive të listuara për këtë çmim.

Kur bëhet fjalë për kompanitë e tjera të teknologjisë, Apple ka përparuar paksa në këtë listë, duke marrë parasysh se këtë vit gjendet në vendin e 20-të, krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte në vendin 22-të.

Në anën tjetër, Google ka pësuar një rënie mjaft të madhe, pasi që tani gjendet në vendin e 30-të, ose 14 vende më poshtë se vitin e kaluar. Edhe më poshtë ka rënë kompania Adobe, e cila tani radhitet si e 39-ta, ndërsa vitin e kaluar gjendej në vendin e 10-të.

Të punësuarit e Facebook me sa duket janë shumë të kënaqur me drejtorin e tyre Mark Zuckerberg, duke marrë parasysh që ai ka marrë një vlerësim mjaft të mirë nga punëtorët e tij, prej të cilëve 96 për qind i besojnë mënyrës se si ai menaxhon këtë biznes. / Telegrafi /