Facebook me “reklama të mençura” që lidhen me statusin

Duket se Facebook ka filluar testimin publik të reklamave të cilat bazohen dhe targetojnë statuset dhe postimet e murit nga përdoruesit.

Kjo është një risi e cila është pritur për më shumë se një vit, ndërsa tani duket se këtë metodë të re reklamimi do ta shohim së shpejti në Facebook.

Forma e re e reklamave do të reagojë në fjalët specifike të cilat përdoruesit e këtij rrjeti i vendosin në freskimet e tyre të statusit.
Kështu, në vend të paralajmërimit të reklamës në formë të tekstit të sponsoruar, të cilat deri më tani i kemi parë, Facebook është duke e testuar versionin e ri të reklamave të cilin do ta quaj, “Related Adverts”.

Edhe pse ende nuk dihet saktë se si do të funksionojë kjo metodë e re e reklamimit, Facebook thotë se reklamat do të jenë të lidhura me statuset dhe freskimet që përdoruesit i bëjnë në to.

Për më tepër, Facebook ka deklaruar se kjo mundësi e reklamave që lidhen me statusin e përdoruesit, për momentin është në fazë testuese, dhe se rrjeti social do të na njoftojë për implementimin final të këtij projekti.