Facebook prish martesat

Rrjeti i popullarizuar për shoqërim online, i cili ka mbi 250 milionë përdorues në mbarë botën, mund të jetë i rrezikshëm për stabilitetin e lidhjeve të dashurisë, kanë treguar hulumtimet e një grupi të shkencëtarëve nga universiteti në Guelph të Kanadasë.
Shkencëtarët kanë ardhur deri tek ky rezultat pasi që kanë analizuar sjelljen e 308 studentëve në mes moshave 17 e 24 vjeç, në mesin e të cilëve kanë qenë 231 të reja dhe 77 të rinj, të cilët kanë pasur profilet e tyre në rrjetin Facebook.

Në fillim të hulumtimit 50.5 për qind e pjesëmarrësve kanë qenë në lidhje serioze, një e treta nuk kanë qenë në lidhje, derisa 8.3 kanë pasur lidhje me një apo më shumë partnerë.

Megjithatë, hulumtimi ka dëshmuar se koha e kaluar në përcjelljen e “aktiviteteve” të partnerëve në këtë faqe shton xhelozinë dhe dyshimin, si dhe pjesëmarrëset në hulumtim, të cilat kanë kaluar më shumë kohë në këtë përcjellje, kanë qenë më xheloze sesa meshkujt.

Pra, nëse keni profil të hapur në këtë rrjet, keni parasysh kënd do ta shtoni në listën e miqve, çfarë fotografive do të publikoni, e më së shumti kushtoni vëmendje hapësirës që ka të bëj me statusin tuaj: në lidhje, i/e lirë, i/e martuar…