Falja e kufijve Greqisë, jep dorëheqjen shefi i Hartografisë Ushtarake

Shefi i Departamentit të Hartografisë në Institutin e Gjeografisë Ushtarake, nënkolonel Behar Malaj, ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga kjo detyrë.
Vendimi i tij vjen fill pasi “Gazeta Shqiptare” botoi pak ditë më parë procesverbalin e mbledhjes së “fshehtë” të komisionit parlamentar të Ligjeve, ku drejtoresha e IGJU-së, Miranda Zeka pohonte para deputetëve të mazhorancës se harta e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, e përcaktuar në bazë të marrëveshjes dypalëshe, nuk ekziston.

Në prononcimin e tij për “G.SH”, Malaj bëri të ditur se “lajmi i përcjellë nga “Gazeta Shqiptare” ka qenë tronditës.

“Dhashë dorëheqjen e parevokueshme në shenjë proteste për mungesën e hartës së ndarjes së kufirit detar. Nuk mund të qëndroj më në një institut që nuk mund të masë pronat e shtetit të tij dhe që nuk e ka hartën përkatëse”, - sqaroi nënkoloneli.

Shefi i Departamentit të Hartografisë në Institutin e Gjeografisë Ushtarake bëri mandej të ditur se ka pasur edhe një sërë arsyesh të tjera që e detyruan në marrjen e këtij vendimi. “Publikimin e tyre do ta bëj në një kohë më të vonë, pasi jam në pritje të përgjigjes që do të marr nga eprorët e mi lidhur me dorëheqjen që iu kam paraqitur”, përfundon ai.

“Gazeta Shqiptare “ duke iu referuar burimeve zyrtare nga IGJU shkruan se akti i nënkolonelit Malaj do të shoqërohet nga një valë dorëheqjesh të funksionarëve të lartë të këtij Instituti, që gjithashtu nuk kanë qenë në dijeni për mungesën e hartës detare.

Vetëm pak ditë më parë ushtarakët i bënë apel presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të njihen thellësisht me këtë marrëveshje për të kuptuar qartë cenimin e rëndë që ajo i bën sovranitetit dhe integritetit territorial të Shqipërisë”.

Komisioni parlamentar i Ligjeve, pa asnjë votë kundër miratoi në datën 25.09.2009 marrëveshjen e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufirit detar mes dy vendeve. Tani pritet që fjalën e fundit për këtë çështje ta thotë seanca plenare e 19 tetorit.

354.4 km2 është sipërfaqja ujore në detin Jon, që ka përfituar Greqia nga marrëveshja për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë. Konkretisht, vetëm nga Kepi i Stillos, përballë gjirit të Kërkyrës, në hyrje të ngushtesës veriore të Korfuzit, pala greke ka përfituar 2.9 km2; nga shkëmbi Barketa, 1.5 km2.

Sot në orën 11:00 përfaqësuesit e 72 shoqatave që mbrojnë interesat e kombit shqiptar, do të mblidhen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar për t’u drejtuar së bashku një apel publik institucioneve të shtetit shqiptar, për të penguar ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë për përcaktimin e kufirit detar.