Femrat me pijanece se meshkujt

Statistikat e reja: Ne Shqiperi rreth 5 për qind e femrave konsumojnë alkool rregullisht gjatë ditës. Ministria e Shëndetësisë ngre alarmin. Në rritje edhe numri i burrave alkoolistë

Mëse 40 për qind e meshkujve të rritur në Shqipëri konsumojnë alkool në mënyrë të rregullt. Nga këta, 7 për qind e kalojnë masën normale të konsumit ditor, ndërsa 2.1 për qind janë të lidhur pazgjidhshmërisht me alkoolin dhe klasifikohen në kategorinë e personave që paraqesin rrezik serioz jo vetëm për jetën e tyre, por edhe për familjen dhe shoqërinë. Të gjitha statistikat e lartpërmendura u referohen studimeve të kryera nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili publikon se mosha më e prekur nga alkooli është ajo nga 20 deri në 49 vjeç. Rritjen e numrit të personave që përdorin pije alkoolike e pranon edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila shikon këtë fenomen si një shqetësim të ditës, i cili nuk duhet neglizhuar. Fenomen shqetësues në vendin tonë paraqet edhe numri i femrave përdoruese. Nga studimet e kryera, rezulton se në Shqipëri pothuajse 5 për qind e femrave janë përdoruese të rregullta të alkoolit. Sipas statistikave, kjo është shifra më e lartë e femrave alkooliste e shënuar gjatë viteve të fundit. Ashtu si edhe për duhanpirjen, vërehet një rritje e prevalencës së konsumit të shtuar të alkoolit midis femrave të qyteteve, të Tiranës dhe atyre që i përkasin një klase më të lartë social-ekonomike. Duke u bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, aktualisht rreth 2.1 për qind e popullsisë në rrethet kryesore të vendit bëjnë pjesë në kategorinë e alkoolpirësve të rëndë. Konsumi i pijeve alkoolike mendohet se është përgjegjëse për afro 9 për qind të të gjithë peshës së sëmundjeve, duke rritur ndër të tjera rrezikun për cirrozë hepatike, tension të lartë të gjakut, sëmundje të zemrës, hemorragji cerebrale, të pankreasit dhe kancer të gojës, faringut, ezofagut, stomakut, mëlçisë dhe rektumit. Studimi “Mbi përdorimin e alkoolit në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Elbasan”, ka evidentuar se përdoruesit e alkoolit në këto rrethe janë kategorizuar nga studimi në katër tipa të nivelit të riskut, të cilët shoqërohen edhe me rekomandimet dhe ndërhyrjet përkatëse. Kështu, në kategorinë e parë të alkoolistëve bëjnë pjesë 73 për qind e qytetarëve. Studimi thotë se kjo kategori e qytetarëve, rezulton se e përdor alkoolin brenda normave të lejuara ose nuk e përdor fare atë. Për këtë kategori, ISHP-ja rekomandon mënyrat ndërgjegjësuese të edukimit. Në kategorinë e dytë janë renditur 9.5 për qind e popullsisë që përdor alkool jashtë normave të lejuara, për të cilët ISHP-ja rekomandon ndërhyrjet e shkurtra nga mjeku i familjes me këshilla të thjeshta. Kategoria e tretë e riskut dhe më e prekura përfaqëson 5.4 për qind të qytetarëve që përdorin alkool jashtë normave të lejuara dhe përdorimi është kthyer shqetësues për shëndetin e për personalitetin e tyre. Për këtë pjesë të riskuar, Instituti i Shëndetit Publik rekomandon këshilla të thjeshta shtesë dhe monitorim të vazhdueshëm nga mjeku i familjes. Kategoria e fundit dhe më e rrezikuara nga konsumi i alkoolit përfaqëson 2.1 për qind të popullsisë, që përfshihet në alkoolpirësit e rëndë. Për këta përdorues, ISHP-ja këshillon referimin tek mjeku specialist për diagnostikim dhe trajtim të specializuar. Për të parandaluar shtimin e personave të alkoolizuar, Ministria e Shëndetësisë do të vendosë në zbatim edhe disa nisma për kategorinë e konsumuesve të alkoolit. Nisma e parë që po merr ky dikaster është trajnimi i mjekëve të familjes në disa rrethe, të cilët do të kenë për detyrë të diagnostifikojnë dhe të këshillojnë këto grupe të popullatës. Po kështu, ky dikaster po mendon t’i vijë në ndihmë edhe grupit të personave të varur nga alkooli. Aktualisht, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, është në punë e sipër ngritja e klinikës për trajtimin e mëtejshëm të specializuar të personave të varur nga alkooli.

Gjithashtu, MSH po përfundon një strategji kombëtare për politikat e kontrollit të alkoolit në vend në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetit, ku palë në këtë strategji do të jenë edhe grupet rinore.

Material nga gazeta korrieri

kjo nuk nevoje per verifikime se po shohim cdo dite ,vajzat qe gdhihen ne lokal e i ze gjumi po aty .