Fillon Euro 2008

Ja favoritet e kampionatit

Pritjet kanë marrë fund dhe gjithçka është gati. Sot në orën 18.00 do të nisë kampionati Europian që do të zhvillohet në Austri dhe Zvicër për të 13-ën herë në historinë e futbollit. Ndeshja hapëse do të jetë ajo mes Zvicrës dhe Çekisë. Festa është gati, por kush janë pretendentet e vërteta. Italia (kampione e botës) dhe Franca (nënkampione e botës) sigurisht që do të jenë dy skuadrat për t’u mundur. Por pa dyshim nuk duhen nënvlerësuar as Gjermania (skuadra më e kuotuar nga të gjitha kompanite e basteve për të fituar Euro 2008), Holanda, Spanja dhe Portugalia. Le t’i marrim me radhë dhe të shohim një nga një të gjashta pretendentet.

ITALIA – Vetëm një miqësore e luajtur gjatë përgatitjeve. “Të kaltërit” kanë mundur 3-1 Belgjikën lehtësisht dhe tashmë janë në pritje të sfidës së parë me Holandën. Shtylla kryesore e ekipit është ajo e Botërorit 2006. Natyrisht humbja më e madhe është ajo e kapitenit Fabio Kanavaro i cili u dëmtua. Donadoni shpreson se treshja Kamoranezi-Di Natale-Toni do të funksionojë. Një ndihmë më shumë për kampionët e botës do të jenë dhe Del Piero e Kamoranezi.

FRANCA – Kombëtarja e “gjelave” është ende në ankth për aktivizimin e Patrik Vierasë dhe ndaj Rumanisë mesfushori i Interit mund të zëvëndësohet nga Tulalan. Në miqësoret e zhvilluara skuadra e Domenek ka treguar një formë jote mirë por vetë trajneri francez ka deklaruar se të hënën ndaj Rumanisë gjithçka do të jetë ndryshe. Të gjitha shpresat janë tek Riberi, por në një grup të fortë me Holandën e Italinë asgjë nuk është e sigurtë.

HOLANDA – Në miqësoret e zhvilluara ndaj Ukrainës dhe Danimarkës, skuadra e Van Basten ka arritur të marrë një fitore dhe një barazim. Të gjitha shpresat e “tulipanëve” janë tek Van der Sar, Shnajder dhe Van Nistelroi. Van Persi në ndeshjen ndaj Italisë do të mungojë. Një kombëtare me shumë vlera që mund të shkaktojë edhe ndonjë surprizë.

GJERMANIA – Për shumë nga bookmakersat është favoritja e Euro 2008. Është rritur shumë në krahasim me botërorin e 2006-ës. Balak është në një formë të shkëlqyer dhe të mendosh se në sulm janë dy lojtarë si Mario Gomez e Miroslav Klose gjërat bëhen edhe më të lehta. Grupi dhe shorti për më tej janë shumë favorizues për kombëtaren e Joakim Lëv. Finalja është më e mundshme se kurrë.

PORTUGALIA – Skuadra e Luis Felipe Skolarit është më e karikuar se kurrë. Luzitanët kanë në skuadër lojtarin më të mirë të momentit, Kristiano Ronaldon. Ylli i Mançester Junajtid edhe pse ka disa probleme dëmtimesh do të jetë në fushë. Portugalia do të debutojë sot në orën 20.45 ndaj Turqisë. Në sulm me Ronaldon do të jenë dhe Kuarezma e Simao. Objektivi? Të kthejnë ëndrrën në realitet.

SPANJA – Me yjet si Fernando Torres, Serhio Ramos e Sesk Fabregas Spanja prezantohet më së miri në këtë Europian. Ndaj Perusë e SHBA-së (dy miqësoret e fundit) “demat” kanë vuajtur disi por një fakt shumë i rëndësishëm është se nuk pësojnë gol. Mungon vetëm personaliteti për skuadrën e Luis Aragones, e cila ka mundësinë më të mirë duke parë dhe lojtarët për të triumfuar në Austri dhe Zvicër.

[align=right:2wx0z4ha]Gazeta Korrieri[/align:2wx0z4ha]