Formula për një familje të lumtur

Në shoqërinë e sotme, divorcet dhe mungesa e harmonisë nëpër familje është kthyer në një të vërtetë të pamohueshme. Pse merr fund një martesë? Nga vështirësitë ekonomike? Nga mungesa e komunikimit në çift? Nga Xhelozia? Nga mungesa e arsimit? Apo nga ndonjë problem psikologjik që mund të ketë secili prej tyre?

Në fakt, të gjitha këta janë thjesht tregues. Shkaku i vërtetë i këtij fenomeni, është dobësimi i besimit, dashurisë dhe respektit. Dashuria, respekti dhe besimi ndaj njëri tjetrit, janë tre faktorë që mbajnë të bashkuar një çift e që garantojnë vazhdimësinë e martesës.

Martesa, është një “institucion” mjaft i rëndësishëm. Të sapomartuarit, apo edhe ata që prej vitesh kanë bërë si kanë bërë dhe kanë duruar njëri tjetrin pavarësisht problemeve të shumta që mund të kenë patur, nëse do të kenë parasysh disa pika, mund të rregullojnë dhe forcojnë lidhjen e tyre. Lumturia nuk zbret nga qielli, ata që dinë ta meritojnë, me përpjekje mund ta fitojnë atë.

  1. Tregojini bashkëshortit tuaj dashurinë:

Dashuria i ngjan një zjarri. Nëse ky zjarr nuk ushqehet vazhdimisht më lëndën djegëse, atëherë ai shuhet. Nëse nuk i hidhet dru një zjarri, shumë shpejt ai kthehet në hi. Për këtë gjë, edhe zjarri i dashurisë kërkon përkushtim të vazhdueshëm. Nëse nuk e bën këtë, atëherë ai shuhet. Bashkëshortët duhet të tregojnë përkushtim në mënyrën se si e shprehin dashurinë. Ata duhet të ndihmojnë njëri tjetrin për të mbuluar gabimet që kanë.

  1. Shtëpia nuk është hotel

Përkushtimi dhe vëmendja që nuk tregohet në kohën e duhur, nuk mund të quhet e tillë. Në përgjithësi, ka disa meshkuj që e përdorin shtëpinë e tyre si hotel apo si restorant, gjë kjo që ndikon në mënyrë të drejpërdrejtë në jetën bashkëshortore. Një biznesmen i mirë, nuk mjafton të jetë vetëm një administrator i mirë. Atij i duhet të jetë edhe një baba dhe një bashkëshort i mirë.

  1. Ka nga ata që përtojnë të thonë edhe “Mirë se erdhe”

Ka edhe nga ato gra të cilat përtojnë të përshëndesin bashkëshortët e tyre edhe me një “Mirë se erdhe” pas gjithë ditës së lodhshme që ai mund të ketë kaluar në punë. Përveç kësaj, një buzëqeshje ndaj burrave të tyre mund tu duket e tepërt. Për të synuar lumturinë në çift apo familje, nuk mjafton të jesh një nënë një nikoqire e mirë. Duhet patjetër që të jesh edhe një bashkëshorte e mirë dhe e kujdesshme.

  1. Xhelozia e tepruar, dëmton martesën

Xhelozia mund të ketë të mirat e veta deri në një kufi të caktuar. Por kur ky kufi kalohet, xhelozia kthehet në një faktor negativ në ruajtjen lidhjes brenda çiftit. Madje, ka edhe nga ato raste kur disa persona, zgjohen në mëngjes dhe pyesin bashkëshortin/bashkëshorten se kë kanë parë në ëndërr. Këta persona, nisin të gërmojnë në shkaqet që mund të çojnë në përgjigjen e vonuar të telefonit dhe mendojnë keq për bashkëshortin/bashkëshorten. Kjo përbën edhe një situatë mjaft kritike në jetën në çift.

  1. Nëse i besoni bashkëshortit/bashkëshortes, atëherë behni të lumtur

Nëse bashkëshortët nuk i besojnë njëri tjetrit dhe këtë gjë e shprehin vazhdimisht, atëherë në çdo moment në jetën e tyre ekziston një tension që ska të sosur. Askujt nuk i pëlqen që në syrin e tjetrit të jetë i pabesueshëm. Dhurata më e mirë në çifti, është të treguarit se i besoni njëri tjetrit. Nëse bashkëshortit i flisni me fjalë të ëmbla e të bukura, të njëjtën përgjigje do të merrni edhe prej tij.

Testoni qëndrueshmërinë familjes tuaj

Tre janë veçoritë kryesore që përcaktojnë qëndrueshmërinë e një familjeje. Sipas një studimi të bërë në Universitetin e Nebraskës, këto veçori janë:

  1. Të qenit fetar
    Shumica e atyre personave që flasin për një jetë të lumtur bashkëhsortore, shprehen se kanë shkuar rregullisht në kishë apo xhami.

  2. Komplimentet
    Ata që shprehen se janë të lumtur, theksojnë se kjo vjen nga komplimentet dhe fjalët e bukura që i thonë njëri tjetrit në familje.

  3. Të kaluarit e kohës së bashku
    Këto familje kanë kaluar më shumë kohë së bashku në shtëpi, shëtitje, piknik, dreka e darka etj.