Futbollistët më të mirë të planetit në timonin “e artë”

Ja cilat janë makinat e futbollistëve më të mirë të planetit. Ferrari, Bantley, Porcshe, etj…

Indiferent në se ata aktivizohen në klubet e tyre apo jashtë shtetit, futbollistët që së shumti lindën me këmishë, demonstruan se dinë mirë të luajnë me topin, përkrah femrave që kanë afër dhe që i mbështjellin ngrohtësisht. Ata ngasin vetura prej dhjetëra mijëra eurosh. Në se rumuni Mutu, i lejon vetes një Ferrari F430, çfarë veturash ngasin futbollistët më të famshëm botërorë?
Veturat e futbollistëve përfaqësojnë përkrah femrave të shoqërimit, imazhin e tyre në botën e VIP ave. Por ashtu si edhe femrat që ata i ndërrojë gjatë gjithë kohës dhe ne pretendojmë paksa se, ata i kushtojnë rëndësi të madhe veturave. Ndoshta, ngase janë të rinj dhe ende të famshëm! Por natyrshëm, një mashkull kur ka parà, investon në blerjen e një makine luksi… Një shembull të mirë në këtë drejtim japin futbollistët David Bekham, Tierri Henri apo Kristiano Ronaldo, garazhet e të cilëve strehojnë koleksione të shumta të veturave të luksit, duke filluar nga Porsche dhe deri te Lamborghini, Aston Martin apo Bentley. Më së shumti veturat në garazhe, nënkuptojnë nivelin e karrierës së tyre në të cilën ndodhen. Si shembull, Uejn Runi (Mançester Junajted) filloi nga një “Ford Ka” me vleftë 20.000 dollarë, duke koleksionuar aktualisht thesare të rralla, vlera në total e të cilëve arrin në më shumë se 1.5 milionë dollarë, duke përfshirë madje edhe një Bentley Continental GT.
BEKHAM - Kur David u largua nga Los Angeles Galaxy, ai pasuroi koleksionin e tij me një Porsche 911 Turbo Cabriolet, për të cilën pagoi 140.000 dollarë. Duke mos iu mërzitur ky model, Davidi e mori me vete te Milan, ku edhe ndodhet në këtë formacion në formën e një huamarrjeje. Në ekipin LA Galaxy, Bekham arriti të merrte 140.000 dollarë, në më pak se një javë, pa marrë në konsideratë shumat e përftuara nga publiciteti (së bashku me gruan e tij Viktoria). Vetura me peshë prej 1420 kg, arrin në 3596 kuaj fuqi, ndërsa shpejtësia e saj nga 0 100 km/orë, arrin për 3.5 sekonda. Shpejtësia e kësaj veture sportive shkon deri në 310 km/orë. Porsche 911 Turbo Cabriolet është një veturë aerodinamike, ku gjashtë cilindrat e saj i japin motorit një fuqi më të madhe, duke u bazuar në sistemin Turbochargers. Konsumi i karburantit shkon në 12.9 litra për 100 kilometra, një sasi tejet e vogël, për një veturë “bishë”.
RUNI - U ambientua shumë shpejt “nën rrjetën” e djajve të kuq… ndonëse jashtë terrenit të fushës mbetet ende po ai “fëmija” i tmerrshëm 22 vjeçar, që nuk ka limite në pije dhe shpejtësi. Runi bleu fillimisht një Lamborghini Gallardo për 200.000 dollarë, e cila i është neveritur shumë shpejt. Ndonëse futbollisti i Mançesterit nget këtë tip Lambo, ai mezi pret të marrë komandën e makinës së tij më të re, LP640 Murcielago, e cila kushton rreth 340.000 dollarë. Mish i freskët Runi, mish i freskët… Lamborghini Gallardo ka qenë një nga modelet që arriti prodhimin e 5000 njësive vetëm në tre vitet e para (duke nisur nga 2003). Çdo njësi e tillë kushton nga 180.000 dollarë deri në 210.000 dollarë. Vetura ka marrë emrin e saj nga demat e mbarështimit spanjoll, të quajtur Gallardo (Guximtar). Deri më 2007, janë prodhuar gjithsej 6.801 njësi si ky tip, në Bolonja të Italisë. Vetura me peshë 1569 kilogram është me gjashtë marshe dhe ka motor V10.

HENRI- U largua me këmbët zvarrë nga Arsenali për te Barça dhe shumë shpejt u pendua për veprimin e ndërmarrë në këtë transfertë. Tierri Henri arriti në Spanjë, por nuk ra pre e veturave autoktone të përfaqësuara nga modelet më të reja Seat, por u hodh në timonin e një Aston Martin Vanquish, një makinë e ngarë nga agjenti Xhejms Bond në filmin Die Another Day (Vdis një ditë tjetë). Një Vanquish të tillë ka pasur edhe lojtari rumun Mutu, për aq kohë sa ishte në ekipin londinez të Çelsit. Aston Martin Vanquish, futet në rangun e veturave Grand Tourer, e dizenjuar nga Ian Callum dhe e prodhuar nga Aston Martin. Që nga viti i parë i prodhimit më 2001 dhe deri në mbylljen e saj më 2007, ky tip ishte njësia më e shitur. Mori famë të jashtëzakonshme në publik, fill pas shfaqjes së saj zyrtare, në filmin me agjentin Bond: Die Another Day. Nga të dhënat zyrtare flitet se vetëm modeli Aston Martin DBS V12, do të vijojë të prodhohet deri në vitin 2010.

K.RONALDO - Fenomenali ka para që s’di as vetë se ku t’i çojë. Ndonëse banon në Britaninë e Madhe, midis Aston Martin eve dhe Bentley t luksoze, Ronaldo ka preferuar një Audi R8, për të cilën nxorri nga xhepi 200.000 dollarë. Mëkat që nuk priti për versionin më të ri me motor V10 nga Gallardo… Futbollisti më i mirë në botë ka ende në garazh edhe një Bugatti Veyron, për të cilën ka dhënë rreth 830.000 stërlina. Mediat tabloide angleze bënë të ditur pak kohë më parë se ylli i Mançester Junajtedit shkatërroi totalisht makinën e tij Ferrari, me vlerën e 200.000 stërlinave. “Futbollisti hyri në një trafik ndarës rrugor të një tuneli më datë 8 janar 2009 rreth orës 10:20 të mëngjesit. Aksidenti ndodhi pranë aeroportit të Mançesterit, në rrugën A538 Wilmslow. Ndonëse Ferrari 599 GTB u shpërbë në copa të vogla, Kristiano Ronaldo shpëtoi pa gërvishtjen më të vogël. Aksidenti ndodhi pikërisht dy ditë pasi Ronaldo e kishte blerë këtë makinë me të cilën udhëtoi nga Portugalia për në Angli. Një dëshmitar në vendngjarje, kishte deklaruar për BBC në se: “Ferrari u ngul direkt në mur, ndërsa rrota e parë nga ana e majtë, u ngrit në ajër. Pas disa çastesh është vënë re se Ronaldo ka dalë nga vetura qetë qetë dhe ka lajmëruar policinë për ekspertizën…”.
DEL PIERO - Nuk para i intereson shumë se çfarë makine nget. Familja Anjeli, e cila ka aksionet mbi grupin Fiat dhe që është pronare legjitime e ekipit të Juventusit, i dhuroi më së fundmi modelin me numrin 10 të veturës, Fiat 500. Pse pikërisht numrin 10? Pasi atë numër mban në shpinën e tij Del Piero, në cilësinë e kapitenit të Juves… Fiat 500 (apo i njohur nga italianët si “Cinquecento”) është një veturë e prodhuar nga kompania me të njëjtin emër, midis viteve 1957 dhe 1975 (Fiat 500 K, ishte i vetmi model i prodhuar deri më 1977). Ajo u dizenjua nga Dante Giacosa, si një makinë qytetase dhe tejet praktike. E gjatë vetëm 3 metra dhe me 479 kuaj fuqi, e dalë nga dy cilindrat e saj, Fiat 500 u emërtua “makinë e vogël” dhe si e para veturë qytetase italiane. Në vitin 2007, kompania Fiat nxorri në treg një Fiat të ngjashëm për gjithë nostalgjikët e asaj periudhe si dhe për adhuruesit e klasikes Fiat Nuova 500, bazuar së shumti mbi konfigurimin teknik dhe aerodinamik të modelit Panda.

TERRI - Kapiteni i Çelsit nget një Bentley Continental GT, të cilën e bleu me një sasi të vogël të milionave të dhëna nga rusi Abramoviç. Pra veçse, një pjesëz tejet të vogël të tyre, apo që të jemi më të saktë, plot 180.000 dollarë. Dihet se ka në garazhin e tij edhe një Ferrari F430, ngjyrë të verdhë, por edhe një Porsche 911 Turbo. Bentley Continental GT, vetura që ai përdor më shumë i përket kategorisë Grand Tourer Coupé me dy dyer, e prodhuar në vitin 2003, e cila zëvendësoi Rolls Rojsin, por mbi bazat e prodhimeve të mëparshme, Continental R dhe T. Eshtë e pajisur me një motor me sistemin Turbocharged W12, duke arritur shpejtësinë maksimale prej 319km/orë. Vetura është e dizenjuar nga belgu Dirk van Braeckel. Continental GT prodhohet në uzinën Volkswagen Group, në platformën D1.

DROGBA - Sulmuesi ka futur dorën deri sa nuk ka nxjerrë edhe shpatullën në “thesin” e Abramoviçit. Rrëmbeu fiks 200.000 dollarë, për të blerë një Mercedes SL65. Ky tip Mercedesi ka një motor V12 dhe prodhon 604 kuaj fuqi, ndërsa arrin nga starti 0 në 100 km/orë për 4.2 sekonda. Shko, shko, Drogba! Mercedes SL65 AMG, është tipi më i fundmi i klasës Super Coupe dhe tejet i ngjashëm me legjendaren Mercedes CLK GTR, veturën e garave të viteve ‘90. Modeli Mercedes SL65, të jep përshtypjen e një veture muskulore, e cila është 14 cm. më e gjerë në pjesën e kofanos se sa tipi standard Mercedes SL. Pjesë të shumta të dy modeleve SL65 dhe SL65 AMG janë të punuara prej fibrash karboni, por AMG së i është ulur pesha me 250 kilogramë më pak.

FERDINAND - Ferdinand nget një Bentley Arnage me motor prej 6.8 litrash. Kur bleu këtë veturë në 2005, kolegëve të tij të Mançester Junajited, iu duk e këndshme ta pagëzonin atë me kos luleshtrydhesh. Evident, Rio Ferdinandit nuk i shijoi së tepërmi gëzimi për veturën e re. Bentley Arnage është një veturë luksoze e prodhuar nga Bentley Motors në Crewe të Anglisë. Arnage i prodhuar nga kjo kompani, u fut në treg në pranverën e vitit 1998. Motori i kësaj veture është i tipit V8, me dy turbo instalime. Arnage është më tepër se 5 metër e gjatë, 1.9 metër e gjërë dhe ka një peshë prej 2.5 tonë. Për një kohë të shkurtër kjo veturë ishte më e fuqishmja dhe më e shpejta makinë me katër dyer e Salloneve të Veturave. Në Shtator 2008, Bentley bëri të ditur se ndërpreu prodhimin e këtij modeli.

Bllokohet makina e Tevezit
Sulmuesit të Mançester Junajtedit, Karlos Tevez, i është sekuestruar makina e tij që kushton 205,300 dollarë pasi ai nuk qe në gjendje t’u paraqiste autoriteteve policore një patentë të vlefshme për në Britaninë e Madhe. Lojtari 25 vjeçar nga Argjentina u ndalua pranë stadiumit “Old Trafford” të Junajtedit pasi policia mendoi se xhamat e lyer të makinës së tij e markës Bentley, mund të ishin ilegale. “Pas orës 9 e 20 të mëngjesit të së premtes policia ndaloi një Bentley”, ka thënë një zëdhënës i policisë së Mançesterit dje. Oficerët e policisë menduan se xhamat e makinës së tij mund të ishin lyer ilegalisht. Pas testimit, u dëshmua se ishin tepër të zinj dhe për këtë drejtuesi u paralajmërua për ndalimin e përdorimit të tyre. Kur drejtuesit iu kërkua patenta, u zbulua se nuk kishte një patentë të vlefshme në Britaninë e Madhe. Më pas, atij iu kërkua ta largonte mjetin, por duke qenë se nuk mund ta bënte atë, policia e largoi mjetin nga qarkullimi në bazë të ligjit.? Tevez është lojtari i dytë i Junajtedit që ka pasur probleme me makinat, pasi në muajin janar ishte Kristiano Ronaldo ai që përplasi Ferrarin e tij pas një incidenti në dalje të një tuneli të Mançesterit.

Burimi:Sporti Shqiptare