Greqia kthen objektet e vjedhura

Më 31 dhjetor në Akropol të Athinës, ministrit shqiptar të Kulturës i dorëzohen dy shtatore mermeri të grabitura në vitet 91-97 në Muzeun e Butrintit

Në vitin 2005 ktheheshin nga Greqia në Sarandë, kokat prej mermeri të Agribës, Herkulianës dhe koka e një fëmije. Të tri skulpturat ishin vjedhur nga muzeu i Butrintit gjatë bastisjes së ndodhur më 1991. Portreti i Herkulianës dhe ai i fëmijës janë gjetur në Muzeun Nacional Arkeologjik të Athinës, ndërsa ai i Agribës në Muzeun Arkeologjik të Janinës. Rikthimi i tre objekteve të para të muzeut arkeologjik të Butrintit në vendin e origjinës u bë në kohën kur ish- ministrja esë Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Arta Dade, finalizoi përpjekjet që kish nisur në vitin 1997, kur ajo bëri vizitën e parë zyrtare në Greqi.

Më 31 janar 2008 në Athinë, në Akropol, ministrit shqiptar të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango i dorëzohen, ka mundësi nga homologu i tij Michael Liapis, dy shtate mermeri që kanë qenë deri dje në Muzeun e Pireut në Greqi. Janë shtati i Artemisit dhe i Apollonit.

Drejtoresha e Drejtorisë së Turizimit dhe e Kulturës Kombëtare në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, prof. assoc. Iris Pojani, dha me këtë rast intervistën e mëposhtme ku lëshon SOS për Durrësin arkeologjik.

Më 31 janar ministrit të Kulturës i dorëzohen në Athinë, dy vepra, dy shtate mermeri, të grabitura në vitin 1997. Cila është historia e tyre.

Le ta fillojmë me origjinën e vjedhjeve. Janë bërë dy vjedhje shumë të mëdha në historinë e muzeumeve shqiptare. Njëra është e vitit 1991 dhe tjetra më 1997. Këto janë rastet flagrante të hapjes së dyerve të dy muzeve kyesorë të vendit, njëri në Butrint dhe tjetri në Apolloni, dhe kyesisht këto janë të lidhura me ngjarjet historike dhe me momentet e vështira që kalonte Shqipëria dikur.

Për të gjitha këto objekte që në vitin 91 dhe në vitin 97 janë mbushur dokumentacionet përkatëse dhe i janë çuar Interpolit. Në momentin që vidhet një muze, rreziku i parë që kanoset është kalimi i objekteve jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe nëse arrihet të bllokohet kjo gjë dhe të njihet pasaporta e këtij objekti atëherë e gjurmon atë.

Në kohën kur Neritan Ceka ishte drejtor i Muzeut Arkeologjik në Tiranë, më 1991, të gjitha objektet e lëvizshme edhe të Butrintit edhe të Apollonisë, erdhën në fondet themeltare të muzeut arkeologjik në Tiranë. Kështu që kjo ishte një masë. Një masë tjetër ishte hartimi i të gjitha skedave tip me bibliografinë, por edhe identifikimi me imazh i objekteve që ishin vjedhur nga këto dy muze kryesorë, dhe nga ai i Durrësit po ashtu. Gjithmonë prapa kthimit të një objekti ka edhe një histori të vogël. Rasti i gjetjes së kokës së Livias (gruaja e perandorit August) në Nju Jork është identifikuar nga një studiuese, Elisabeth Burtman e cila studionte një tipologji të kokës së perandoreshës dhe e sheh atë në një nga ato katalogët e shitjes, në një vitrinë në Nju Jork. Profesori me të cilin ajo mbronte tezën e doktoraturës njofton një arkeolog në Shqipëri. E kështu vihet në lëvizje një rrjet. E njëjta gjë ndodhi me objektet e Butrintit. Kapen dy vjedhës, objektet botohen në gazetë, i identifikon një specialiste greke e cila asokohe punonte në Butrint.

Atëherë kjo është pjesa tjetër e objekteve që u kthyen në atdhe në korrik 2005, në kohën e ministres së Kulturës Arta Dade?

Po, objektet kanë qenë në Muzeun e Butrintit, bashkë me tre portrete mermeri. Një pjesë e tyre vinin nga Finiqi, por mbaheshin në Butrint. Pra janë dy trupa dhe tre portrete. Katër kokat janë kthyer nga muzetë e Athinës dhe të Pireut, megjithëse u gjetën në duart e trafikantëve. Tani po kthehen një shtat i Artemisit i zbuluar në Finiq, (në fakt është një Demetër), një torso femëror i veshur me një hiton, me një veshje tipike të periudhës klasike, në ecje, e cila ka qenë e ekspozuar në muze; dhe një tjetër është edhe trupi i Apollonit i gjetur në Nymfeun e shek. II të erës sonë në Butrint, i cili është i punuar veçmas kokës. Kokën e kemi, ndërsa trupin e zhveshur të perëndisë Apollon që ndodhet në Greqi po e presim.

Dy shtate na kthehen më 31 janar në një ceremoni në Akropol dhe një tjetër në Butrint. Do të jetë i pranishëm ministri Pango. Veprat do të vendosen në vendin e nderit, aty ku iu takon të jenë.

Mësuam se jeni në përpjekje për të kthyer edhe kokën e Asklepit nga Italia.

Koka e Asklepit, hyut të Mjekësisë po ashtu ka ikur nga vjedhjet e vitit 1991. U gjet në Itali nga karabinierët italianë të cilët ndërsa sekuestronin shtëpinë e një gruaje, gjetënkokën e Asklepit që aktualisht ndodhet në dorën e Prokurorisë Italiane.

Megjithëse qeveria jonë ka bërë kërkesë për ta kthyer, në bazë të procedurave do të duhet edhe pak kohë pasi prokuroria e mban si provë këtë vepër dhe që ta japë provën duhet të kalojë pak kohë. Megjithatë nëpërmjet rrugëve diplomatike ne po mundohemi ta kthejmë.

Për objektet e gjetura në Greqi, pse u vonua shteti shqiptar t’i riatdhesojë?

Gjithnjë na kanë thënë ejani t’i merri. Por duke qenë se Muzeu i Butrintit është hapur së fundmi dhe qëllimi ishte që të ktheheshin në vendin e duhur.

Gjithë zotësia e kësaj pune është që objektet janë të kataloguara në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit, në çdo moment ku ti i kërkon si të vjedhura, edhe në një shtet tjetër, ti në fakt i merr ato. Një nga punët e para që unë kam bërë kur isha në Institut në vitin 1991, ishte hartimi i skedave për Interpolin.

Të gjitha objektet e vjedhura unë i kam të listuara portrete, skulptura, dhe objekte të vogla, objekte metalike të cilat është edhe më e vështirë të gjurmohen. Trashëgimia kulturore shqiptare është e ndarë edhe në muze të tjerë në botë si në Paris, në Londër ku kemi një pjesë të objekteve të cilat janë marrë që para Luftës së Parë Botërore nga studiues, udhëtarë, koleksionistë dhe janë çuar në këto muze. Pra trashëgimia kulturore shqiptare me të drejtë ose pa të drejtë ndodhet atje. Në muzeun e Luvrit kemi 10-12 objekte, ndër të cilat janë rreth katër relieve nga Durrësi, relieve funerare, të cilat janë çuar aty nga arkeologu Leon Hezey i ka shkruar dhe një monografi të udhëtimit të tij në Ballkan. Hezey i ka marrë këto objekte nga Apollonia dhe Durrësi për t’i shpëtuar në atë kohë, siç thotë ai nga dëmtimi apo shkatërrimi.

Meqë jeni marrë gjatë me punën e trafikimit të objekteve kulturore, a është Shqipëria një vend problematik në hartën ndërkombëtare të trafikimit të këtyre vlerave?

Shqipëria nuk është një nga njollat e zeza të hartës së vjedhjeve. Trafikime dhe gërmime klandestine ka kudo. Muzetë e Zvicrës kanë pritur një pjesë të madhe të vjedhjeve evropiane të cilat kryesisht vijnë nga Italia e jugut. Ky vend ka ligjin që nëse veprat publikohen dhe nëse për dy vjet iu nuk del i zoti ose një muze që thotë se u përkasin, atëherë menjëherë sekuestrohen dhe shiten në ankand. Kam përshtypjen se ky ligj është ndryshuar ose pritet të ndryshohet kohët e fundit. Do të thoshja që më shumë se vjedhja, në Shqipëri shqetësimi kryesor është shkatërrimi, siç është rasti i Durrësit prej të cilit kemi pasur dëmet më të mëdha në pasurinë kulturore. Nga ndërtimet dhe zhvillimet e padisiplinuara në Durrës për hapjen e gropave për ndërtime, janë shkatërruar mrrekullira. Durrësi mund të radhitet vërtet ndër plagët e kulturës sonë kombëtare.

E theksoj se Shqipëria nuk është vendi i njollës së zezë në hartën e trafikimit të objekteve arkeologjike. Problemi kryesor mbeten, vjedhjet e reja, ruajtja, çka i përket komunave. Ne po bëjmë një studim që ato që janë trashëgimi kulturore e pambrojtur dhe shumë e rëndësishme, unikale, të mundemi që të gjejmë një mekanizëm, me fondet që kemi, për të caktuar disa kujdestarë, megjithëse sot e kësaj dite përgjegjësia do duhej t’u jepej rojeve të vërtetë që janë në të njëjtën kohë specialistë të fushës. Megjithatë duhet menduar më thellë sepse është një gjë që humbet dhe që nuk rikuperohet dot kurrë më. Dua të ripërsëris se ne vuajmë shkatërrimin e atyre që zbulohen nga planifikimet territoriale, në ndërtimin e rrugëve, sidomos në Durrës, ne humbim në sasi të paimagjinueshme objekte kulturore, duke humbur njëherësh dhe gjurmë të historisë. Për mua krimi duhet ndaluar aty ku është, në Durrës, sidomos.