Gripi A/H1N1, Shqipëria numëron 121 raste

Shqipëria numëron 121 raste me virusin A/H1N1. Tashmë autoritetet e shëndetësisë thonë se nuk do të raportojnë shifrat e të prekurve, por vetëm situatën, komplikacionet që mund të sjellë në popullate, gripi pandemik.
Autoritetet thonë se nuk ka vend për panik, dhe se situata është nën kontroll. Ndërkohë që, drejtuesit e shëndetësisë raportojnë dhe shifra në rritje nga gripi sezonal.

“Numri i rasteve të konfirmuara ka kaluar shifrën 100 e cila përgjithësisht përdoret si kriter në këto raste. Unë mund t’u konfirmoj juve sot, numri i rasteve të konfirmuara me gripin H1N1, është 121, ndërkohë që dy ditët e fundit, numri i rasteve me influence stinore është rritur”, thotë Pellumb Pipero, drejtor i politikave shëndetësore në MSH.

Mostrat që po merren në qendrat shëndetësore, tashmë, po verifikohen në laboratorin e virologjisë në ISHP. Ky laborator çdo dite verifikon rreth 20 mostra, të pacientëve që kanë shfaqur shenjat klinike të gripit.