Hani i shqetësuar, në kërkim të zëvendësuesve

Trajneri kuqezi vjen sot, bashkë me ndihmësin e tij, Vim Surbier. Do të vëzhgojë lojtarë nga kampionati shqiptar

Ndeshja eliminatore me Maltën duket se ka nisur për stafin teknik të kombëtares. Problemet me dëmtimet e dy titullarëve, Altin Lala dhe Lorik Cana, jo vetëm e kanë shqetësuar trajnerin Ari Han, por tani ka ardhur momenti që ky i fundit, bashkë me ndihmësin e tij, Vim Surbier, të bëjë zgjidhjen përfundimtare për ata që do të grumbullojë në ndeshjen e 11 shkurtit. Sot, në orët e vona të mbrëmjes, holandezët e kuqezinjve mbërrijnë në aeroportin “Nënë Tereza”, për t’u sistemuar më pas në hotelin “Rogner”. Ashtu siç ishte planifikuar më parë, dyshja Han-Surbier do të vëzhgojë tri ndeshje të kampionatit shqiptar. Synimi është i qartë: duhen gjetur lojtarë për të zëvendësuar mungesat e mundshme. Burime të sigurta në FSHF bëjnë të ditur për “Sportin shqiptar” se të mërkurën trajneri Han do të ndjekë në Shkodër ndeshjen Vllaznia Besa. Ndërkohë, në të njëjtën kohë, ndihmësi i tij, Surbier, pritet të jetë në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku Lushnja luan me Elbasanin, madje pa spektatorë.

Kandidatët: Por pse është ndarë kështu axhenda e holandezëve të pankinës kuqezi dhe kush nga lojtarët do të vëzhgohet? Objektivi i Hanit është të thërrasë një mbrojtës të ri për anti-Maltën dhe gjithashtu të shikojë gjendjen e atyre lojtarëve që janë pjesë e kombëtares. Reparti i prapavijës me shumë mundësi do të ketë ndryshime, pasi me boshllëkun që do të krijohet në mesfushë, nga mungesa e Canës dhe Lalës, pritet që një vend aty t’i rezervohet Currit, i cili me kombëtaren ka luajtur më shumë në qendër të mbrojtjes. Dhe jo më kot zëvendëstrajneri Surbier do të shkojë për të ndjekur ndeshjen e Elbasanit. Përveç vëzhgimit të formës së mbrojtësit Endri Vrapi, mësohet se te verdheblutë holandezi do të ndjekë lojën e Nevil Dedes. Ish-qendërmbrojtësi kuqezi është një nga emrat më të përfolur për të qenë pjesë e lojtarëve që do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Maltën. Madje, burime pranë FSHF-së pohojnë se “veterani” Dede është lajmëruar për të qenë gati, teksa i është marrë edhe pasaporta, siç ndodh në këto raste. Nga ana tjetër, te Vllaznia njëshi i pankinës, Ari Han, do të shikojë mbrojtësin Elvin Beqiri dhe sulmuesin Xhevahir Sukaj. I pari është pjesë e padiskutueshme e kombëtares, ndërsa Sukaj debutoi në miqësoren me Azerbajxhanin. Ndërkohë, misioni i trajnerëve kuqezinj nuk përfundon me këto dy ndeshje. Të enjten, Han dhe Surbier do të jenë në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, për të ndjekur përballjen Tirana-Shkumbini, e shtyrë nga sektori i garave në FSHF, posaçërisht për ta. Te bardheblutë kanë se çfarë të shikojnë, pasi përveç futbollistëve pjesë e kombëtares, Andi Lila dhe Ansi Agolli, pritet të ndiqet me interes edhe forma e sulmuesit Migen Memelli, që aktualisht është golashënuesi më i mirë i kampionatit. Dyshja e pankinës do të qëndrojë në kryeqytetin shqiptar deri të shtunën, dita kur dhe do të bëhet nisja direkt për në Valeta, bashkë me një pjesë të lojtarëve të thirrur nga klubet shqiptare dhe delegacionin që do të shoqërojë kombëtaren.
Pikëpyetjet: Tashmë dihet që shanset e riaftësimit të kapitenit Altin Lala dhe Lorik Cana janë thuajse minimale. Trajneri Han është i ndërgjegjshëm për këtë dhe mësohet se ka kontaktuar me të dy lojtarët. Këta të fundit nuk duan kurrsesi ta pranojnë që do të mungojnë, por deri më 11 shkurt do të ishte një mrekulli sikur të ishin të gatshëm. Përveç tyre, një tjetër problem për trajnerin kuqezi është edhe gjendja e portierit Arjan Beqaj, i cili ka që prej muajit nëntor që nuk aktivizohet me Anorthosisin. Lajmet e fundit që vijnë për titullarin e portës së kombëtares janë të mira. Kështu, sipas mediave qipriote, dje Beqaj ka kryer stërvitje normalisht, por ende nuk mund të flitet për aktivizimin e tij. Pritet e shtuna për të verifikuar gjendjen e tij, kur Anorthosis luan për kampionat me Enosis. Ndërkohë, për sa i përket listës së lojtarëve që do të grumbullohen për eliminatoren me Maltën, trajneri Han pritet të ftojë jo më shumë se 20 kuqezinj. Burime pranë tij bëjnë të ditur se enigmë për të, përveç gjetjes së një mbrojtësi, është edhe sulmi. Në këtë të fundit, deri më tani një ftesë nuk i ka shkuar ende sulmuesit Edmond Kapllani, por gjërat mund të ndryshojnë.

Ilion Lika i pafat, dëmtohet në stërvitje
Portieri Ilion Lika, që aktivizohet te Tereku i Groznit në kampionatin rus, është dëmtuar në tendinë gjatë një seance stërvitore me ekipin e tij. 28-vjeçari që ka qenë pjesë e kombëtares dhe mjaft i rëndësishëm

Burimi:Sporti Shqiptar