Haradinaj: Xhihadistët rrezikojnë identitetin shqiptar

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, flet për kërcënimet nga forcat radikale të ndikuara nga zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Sipas Haradinajt, gjendja e sigurisë është përkeqësuar dhe është rritur rreziku nga këto elemente, ose nga terrori ndërkombëtarë, ose nga luftëtarët islamik.

“Dikur ka qenë ideja e tyre vetëm të krijojnë një vend ku banorët lokal kanë ndoshta një ndjenjë simpatie për këto procese, por ata kanë evoluuar më shumë duke rekrutuar njerëz dhe duke i kthyer në aleatë, ose duke provuar t’i kthejnë në aleatë për verimet e tyre. Kosova e ka kuptuar këtë, institucionet e Kosovës e kanë kuptuar këtë”, shprehet Haradinaj.

Ai shton se rreziku është real, jo vetëm nga simpatia ose ndjenjat e caktuara, por edhe nga mundësitë e veprimit direkt të luftëtarëve islamistë edhe ne territorin tonë.

“Për ne kjo i paraqet dy rreziqe për Kosovën. Një është se ata në një mënyrë sulmojnë identitetin tonë shqiptar, historinë, traditën, atë kush jemi, vlerat tona shqiptare dhe të besimit. Dhe në anën tjetër ata rrezikojnë edhe sigurinë. Pra, ne kemi motive të fuqishme që ta luftojmë pa kompromis ndikimin e tyre, apo edhe çdo lloj veprimtarie në territorin tonë”, deklaron Haradinaj.

Zëri i Amerikës: Kriza politike në vend shpesh ka pasur edhe përmasa tjera edhe me ashpërsimin e gjuhës. A keni pasur shqetësim se kjo mund të krijojë terren të volitshëm edhe për veprime nga jashtë?

Ramush Haradinaj: Kualiteti qeverisës, ose mënyra se si qeveriset vendi ynë, në rast se kemi një qeveri që nuk është e aftë t’u përgjigjet shqetësimeve të qytetarëve, e humbë besimin e qytetarëve, vlerësohet si jo kredibile, atëherë ai vakuum shfrytëzohet nga të gjithë të tjerët.

Por, edhe kur opozita kundërshton një qeveri sado të keqe, prapë se prapë, në ato diskutime, në atë kontest mund të gjejnë hapësirë të gjithë. Megjithatë, ne e kemi një situatë që s’është e ndërlidhur me një veprim konkret, të një momenti politik. Por, është një etapë bukur e gjatë kohore që rrymat islamiste, ose ata “muslim brotherhood” që thonë, kanë filluar këtu që nga 1999 aktivisht me ato OJQ-të.

Mendojmë se duhet të jemi të kujdesshëm edhe në afat të gjatë. Ata po përgatisin edhe etapa tjera, po punojnë edhe në plane 10 e 20 vjeçare. Pra edhe Kosova duhet të ketë një strategji të veten që është e qëndrueshme, e përhershme.