Ibrahimovic - Loja e Messit si ne Videogames

Rikthimi fenomenal i Leo Messit pas dëmtimit ka mahnitur edhe Zlatan Ibrahimovic, i cili nuk i kurseu elozhet për ish shokun e skuadrës, duke patur parasysh dygolëshin e argjentinasit kundër Getafes në Kupën e Mbretit.

“Messi është i jashtëzakonshëm. Në fushë ai bën gjëra që mund të realizohen vetëm në videolojëra. Pashë golat që shënoi ndaj Getafes, i dyti ishte magjik. Eshtë rikthyer në formë dhe ka ende uri për të shënuar. Eshtë bukur ta ndjekësh lojën e tij”.

Sulmuesi suedez i Paris Saint Germain nënvizoi rëndësinë që ka numri 10 për Barcelonën, teksa shpjegoi edhe vendimin për ta mbajtur këtë numër te parizienët.

“Numri 10 është një simbol në futboll. Gjithçka filloi me Maradonën dhe pas tij të gjithë donin ta kishin atë numër në fanellë. Për mua ka qënë një ëndërr, por sa herë që kam dashur ta mbaj, më pas kam ndërruar ekip. Tani për herë të parë, në fanellën time kam 10-ën dhe jam shumë i lumtur”.

Akoma i dëshpëruar për mungesën në Botërorin e Brazilit, Ibrahimoviç shprehu në të njëjtën kohë adhurimin për një tjetër ish blaugrana.

“Jam ende i zhgënjyer sepse donim me çdo kusht të luanim në Kupën e Botës. Mbi të gjitha për faktin që do të luhet në Brazil, në vendin nga vjen futbolli më i bukur dhe futbollisti im i preferuar që është Ronaldo. Por jam i gëzuar që në Botëror do të shkojnë disa nga shokët e mi të klubit, disa prej tyre do të shpallen kampionë dhe për këtë jam shumë i lumtur”.

Nga Armando Husa SuperSport