Inva Mula, sukses me Violetën në Kinë

Sopranoja me famë botërore Inva Mula ka korrur përsëri duartrokitjet dhe admirimin e artdashësve kinezë, këtë herë me interpretimin e shkëlqyer në rolin e Violetës, në operën “Traviata” të Xhuzepe Verdit. Vënë në skenë nga Teatri Nacional i Artit në Pekin, në një version krejt të ri, nga Henning Brokhaus, regjisor dhe dramaturg i famshëm gjerman, opera e njohur e Verdit ka qenë një surprizë e bukur për sopranon shqiptare, e cila përveç një skene moderne dhe origjinale, ka gjetur si pjesë të ekipit edhe mjeshtrin e madh të këngës lirike, baritonin spanjoll Huan Pons, me të cilin ka pasur disa bashkëpunime. Inva Mula ka performuar në rolin e Violetës në dy shfaqje, ku natën e parë ka pasur si partner në rolin e Alfredos, tenorin e ri, por të spikatur italian, Leonardo Caimi dhe Huan Pons në rolin e babait të Alfredos. Ndërsa në natën e dytë, përkrah Inva Mulës kanë interpretuar dy nga artistët më të shquar kinezë të Teatrit të Operës, Ding Yi dhe Liao Chaoyong. Siç është shprehur vetë Inva për shtypin e këtushëm, produksioni i “Traviatës” nga Teatri Nacional i Pekinit ka qenë një ndër më të mirët që janë vënë në skenat botërore. Një ndër risitë e tij ka qenë efekti i veçantë vizual, me skenën që ndryshohej si në një prodhim kinematografik, ndërsa një pasqyrë 246 m2 në sfond, siç thotë Inva, për herë të parë i ka dhënë mundësinë që njëkohësisht me spektatorët, të shikojë edhe interpretimin e saj, duke krijuar një kontakt më të afërt me publikun. Por Inva Mula flet me admirim edhe për nivelin e lartë të interpretimit të korit të Teatrit të Operës kineze, për ekzekutimin perfekt të orkestrës dhe dirigjentin e saj, bashkëpunimi me të cilët bëri të mundur triumfin e padiskutueshëm si protagoniste kryesore në këtë eveniment të rrallë artistik. Në fund të dy shfaqjeve, sopranoja jonë është duartrokitur gjatë nga publiku jo vetëm për vokalin e shkëlqyer, por edhe interpretimin dramatik dhe plot ndjenjë të Violetës.
Media kineze e ka vlerësuar si surprizën më të madhe dhe më të bukur pjesëmarrjen e sopranos shqiptare në rolin e Violetës në operën “Tranviata” dhe është ndalur gjatë në karrierën e saj artistike, duke theksuar faktin se Inva Mula ka lindur dhe është formuar si artiste në Shqipëri, në një familje artistësh, ndërsa sot, në gati 30 vjet të jetës artistike, ajo ka arritur majat më të larta të operës botërore, duke interpretuar përkrah artistëve më të mëdhenj në skenat më të famshme të botës. Por artistja shqiptare gjatë ditëve të qëndrimit në Pekin ka treguar edhe për ndjenjat e miqësisë që ushqen për popullin kinez, aq sa gjatë një konference shtypi i ka habitur gazetarët e pranishëm kur ka filluar të këndojë një këngë kineze të viteve ‘60, të cilën e kishte mësuar nga babai i saj, Avni Mula. Për më tepër, ajo tregoi se sot ka një mik kinez, babai i të cilit gjithashtu dikur kishte qenë mik me babanë e saj dhe që ajo e mësoi rastësisht nga një fotografi që i tregoi miku i saj kinez. Një miqësi, që siç u tha Inva gazetarëve, ka vazhduar nga njëri brez tek tjetri. Kjo është hera e tretë që artistja shqiptare Inva Mula vjen në Pekin dhe performon për publikun kinez. Për herë të parë, në vitin 2003, ka marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të muzikës dhe një vit më vonë po në një tjetër festival ka qenë protagoniste kryesore në operën “Romeo dhe Zhuljeta”, me rolin e Zhuljetës. Inva Mula ka vendosur tashmë një bashkëpunim konstant me institucionet artistike në Kinë, duke prezantuar tek artdashësit kinezë, jo vetëm një artiste shqiptare të përmasave ndërkombëtare, por edhe duke ringjallur traditën e shkëmbimeve artistike mes dy vendeve.