Jo në emrin tim! Flet Albatros Rexhaj për ngjarjet në Paris

Secili që bën krime - qoftë në emër të fesë, kombit apo një ideologjie tjetër - nuk mund të fshihet prapa asnjë kauze, sepse krimineli është vetëm kriminel dhe nuk përfaqëson as atdheun dhe as fenë e tij.

Pas asaj që ndodhi në Paris, në mos për asgjë tjetër, së paku për kulturën tonë shekullore të tolerancës fetare, shqiptarët kanë shumë të drejtë të solidarizohen me thirrjet e atyre që kërkojnë mirëkuptim dhe paqe në mes të civilizimeve dhe kulturave të ndryshme. Duartrokitja në mes të Parisit duhet të jetë një motiv më shumë për të ruajtur këtë kulturë të tolerancës, që sot rrezikohet nga të gjithë ata që dallimet fetare i promovojnë si hendeqe ndarëse. Kur them “dallimet fetare”, nuk mendoj vetëm në eksponentët e një komuniteti të caktuar, por mendoj në të gjithë ata që pretendojnë se besimi i tyre është më superior se i tjetrit, por edhe ata eksponentë të laicizmit dhe ateizmit që kauzën e tyre e mbrojnë duke fyer të tjerët.

Dinamika e ngjarjeve në Paris duhet të shërbejë si një shembull i ndërtimit të urave, sepse terroristët dështuan në thelb: Franca nuk u nda, por u bashkua edhe më shumë. Një mysliman francez, duke shërbyer si polic, dha jetën në përballje me terroristët, një mysliman emigrant, që tani vlerësohet si hero, rrezikoi jetën duke shpëtuar pengjet. Pavarësisht verbërisë së motivit të deklaruar, kauza e sulmuesve mbi Charlie Hedbo u shkërmoq që në fillim – në vend se të përfshihen në urrejtje ndaj njëri-tjetrit, në çastin e dhimbjes së tyre më madhe, francezët u bashkuan rreth idealit francez të jetës civile dhe mbrojtjes së lirisë. Të njëjten duhet të bëjnë edhe intelektualët shqiptarë, qofshin mysliman, të krishterë, laik apo ateist. Të ndalim spiralen e fyerjeve të kota dhe të kapemi fort për parimet e fisnikërisë tonë autoktone, të bashkohemi përreth idealit të vëllazërisë dhe mirëkuptimit ndaj njëri-tjetrit, sepse vetëm kështu mund të mbrohemi nga çfarëdo rryme e urrejtjes dhe ndarjes që vjen nga jashtë.

Tani dua të them diçka tjetër, që mbase shumëkujt mund edhe të mos i pëlqejë.

#Je_suis_Charlie – Kjo parullë, që u shfaq gjithandej botës virtuale, u përqafua me të madhe edhe nga intelektualë, gazetarë, artistë dhe politikanë shqiptarë, por, këta të njëjtit, sa vërtet janë bartës të mendimit të lirë dhe kritik? Apo thënë ndryshe, ne si shoqëri, sa jemi tolerantë ndaj mendimit të lirë dhe kritik dhe sa i vlerësojmë ata që promovojnë një qasje të lirë – sidomos ajo ndryshe, përtej tabuve dhe skemave. Përgjigja është goxha e sikletshme dhe, në mendimin tim, kjo është arsyeja pse Shqipëria dhe Kosova janë të renditura shumë keq në indeksin e vendeve të lira.

Dhe ky është një rast i mirë t’i heq kapelën disa njerëzve që ndër vite nuk kanë hequr dorë nga parimet e tyre, edhe pse një pjesë e mirë e publikut (përfshirë edhe mua) nuk janë pajtuar me ta: Fatos Lubonja, një ish i burgosur që në demokraci fitoi më shumë etiketa se në diktaturë, Arben Idrizi, një poet i guximshëm deri në ekstrem, Yll Rugova, mikun tim ateist me të cilin ndaj mendime të kundërta, por që fuqishëm mbron parimet e tij dhe asnjëherë nuk fyen askënd, Halil Matoshi, që asnjëherë nuk heziton të shkojë kundër valës, Leonard Dedej, aktivistin radikal të shoqërisë civile në Tiranë që proteston për çdo gjë, Rasim Thaçi – Cima, humoristin tonë që ndër të parët ra viktimë e dogmatikëve dhe shumë e shumë të tjerë - që për arsye të hapësirës nuk mund t’i përmend të gjithë, por që nuk do të thotë se janë më pak të rëndësishëm.

Në fund, si shkrimtar shqiptar, artist që është i vetëdijshëm për kontekstin ngulfatës të shoqërisë ku jetojmë, nuk mund të them #Je_suis_Charlie – fatkeqësisht liria te ne nuk është ideal i palëkundur – por mund të them #JO_NË_EMRIN_TIM.

Secili që bën krime - qoftë në emër të fesë, kombit apo një ideologjie tjetër - nuk mund të fshihet prapa asnjë kauze, sepse krimineli është vetëm kriminel dhe nuk përfaqëson as atdheun dhe as fenë e tij.

Burimi: Gazeta Express