Jonida, vajza që u rrit në skenën e këngës

E ideuar që në gjenezë nga prindërit e saj për t’u bërë e tillë, admiruese e grupit “Spice Girls” në adoleshencë me hitin “Viva Forever”, e sigurt për atë që ka arritur në këngë dhe jetën private, në këtë ditë feste e gjejmë të lëvizë me makinën e saj rrugëve të Tiranës, duke ndjekur ritualin e ditës. Bëhet fjalë për këngëtaren Jonida Maliqi.
Mësojmë së prej pak kohësh ka hapur biznesin e saj privat, i cili i rrëmben një pjesë të mirë të ditës, por pjesë e hobeve të saj janë teatri dhe letërsia, pasione këto në funksion të këngës. Ka dalë në skenë që në moshën 9- vjeçare në festivalet për fëmijë, ndërsa skenën e madhe të aktiviteteve të rëndësishme e ngjiti 4 vjet më vonë për të njohur vetëm suksese.

Alfred Kaçinari, njëri prej kompozitorëve të saj dhe mik i familjes, e kujton në këtë mënyre Jonidën e vogël. “Gjithmonë ka qenë një fëmijë i kujdesur që shoqërohej nga mamaja, pastaj nxënëse e liceut artistik”. E destinuar për të mos u prezantuar gjithmonë njësoj, me profile që gjithmonë befasojnë publikun, i gjithë ky sharmë për Kaçinarin buron nga një ‘veti’ që Jonida tashmë e gëzon. “Tendenca e saj për të ndryshuar shihet, por gjithmonë ajo kërkon të respektojë formimin e saj, mënyrën e jetesës, vendin ku është rritur”, shton Alfredi.

Nesër pritet të jetë e ftuar në njërin nga aktivitetet më të rëndësishme të fundvitit në kryeqytet, i duhet një dukje e veçantë dhe për këtë e ndihmon ajo që rri pas “iniciativave provokuese” në dukjen e Jonides, Ema. Tashmë është e martuar, por Jonida gjen pak kohë për shoqen e saj Xheni.

Një kafe me të, për Joniden, është relaksuese. “Është shumë e ndjeshme pavarësisht se duket natyrë tjetër. Preket edhe nga fjalët apo thashethemet. Flasim për shumë gjëra bashkë”, pohon Xheni. Thotë se në momentin që u martua mendoi për të dy. Për të, koha e dashurisë dhe pavarësisë nuk ekziston më, për të tani e rëndësishme është familja dhe unifikimi në çift.