Kadareja mbush sot 79 vjet‏

Shkrimtari shqiptar me përmasa botërore Ismail Kadare sot mbush 79 vjet.Kadare, ka lindur më 28 janar të vitit 1936 në Gjirokastër. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë nëUniversitetin e Tiranës. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960. Detyrohet t’i braktisë studimet për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Kthehet në Shqipëri dhe më pas punon ne gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les letres albanaises”.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e diktaturës komuniste e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua.
Nga viti 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare, brenda dhe jashtë vendit. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar – shtuar lirinë e autorit për të trajtuar tema që më parë nuk mund të trajtoheshin lirshëm.
Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja), ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe kulturën e saj shekullore.
Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.
Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Prince of Asturias, për Artet - që është një nga çmimet letrare më prestigjioze në botë.
Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me çmimin Lerici Pea.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.