Kikboks: Tahir Menxhiqi kampion i botës

Prishtinë, 26 korrik - Kik-boksieri nga Kosova, Tahir Menxhiqi, të shtunën në mbrëmje në Prishtinë e ka mposhtur me ndërprerje në rundin e dytë boshnjakun Vedad Mulaomeroviq, për ta marrë titullin e kampionit të botës në versionin WKA për kategorinë 70 kilogramë.
Menxhiqi ishte shumë më i mirë se rivali, duke i kënaqur mbi 1000 adhurues të tubuar në Qendrën e Sportit dhe të Rinisë në Prishtinë. “Isha më i mirë se rivali në çdo aspekt dhe me meritë u bëra kampion bote”, tha Menxhiqi, të cilit brezin e kampionit botëror ia dorëzoi Klaus Nonemaher, kryetar i Federatës Botërore të Kik-Boksit, dhe Fatmir Makolli, kryetar i Federatës së Kik-Boksit të Kosovës.
Para duelit të Menxhiqit, u ballafaquan kikboksierët e përfaqësueses së Kosovës me ata të Hungarisë. Në kategorinë 60 kg, Ilir Menxhiqi e mundi 3:0 Roland Doshkosin, ndërsa në atë 65 kg Egzon Ahmeti ngadhënjeu 2:1 ndaj Molnar Zoltit, kurse Armend Shala (75 kg) e mposhti në rundin e parë Gjimant Gabolin, ndërkaq Faton Xhakli në rundin e tretë e detyroi rivalin e tij, Janosh Bonifert, ta ndërpriste meçin.