Kombëtarja pa Lorik Canën në ndeshjen me Maltën

Kombëtarja shqiptare pa Lorik Canën në ndeshjen me Maltën

Kapiteni i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, nuk është rikuperuar nga dëmtimi që ka pësuar në fund të vitit të kaluar. Cana e ka problemin në gju, ku ka ndier dhimbje gjatë ndeshjes së humbur në”Velodrom” kundër Nanci. Prej javësh, Cana, që ka zhvilluar 16 ndeshje në Ligën Franceze këtë sezon, ka qëndruar jashtë fushës. Këtë të premte, kosovari e ka ndjekur nga jashtë miqësoren me Kasis-Karnu, e fituar 3-0 nga Marseja. Cana ka shpjeguar pse duhet të presë akoma. “Duhet të tregohem shumë i kujdesshëm, sepse nuk kam ndërmend të dëmtohem sërish dhe të qëndroj më gjatë jashtë fushave. Është e papranueshme për mua që në këtë pikë ku ndodhet skuadra të mungoj përsëri. Për momentin po stërvitem në pishinë, për të ruajtur formën fizike. Nuk mund të them një datë fikse për rikthimin tim,” – është shprehur Cana për mediat franceze. Edhe stafi mjekësor është shprehur për dëmtimin e kapitenit: “Para se të aktivizohet, duhet patjetër të stërvitet për një javë, për të parë nëse gjuri i tij do të enjtet përsëri. Në shpresojmë të rikthehet pas 20 ditësh.” Pra, kosovari nuk do të jetë për takimin e rëndësishëm me Bordonë, më datë 8 shkurt. Sipas informacioneve që vijnë nga Franca, gjendja e Canës nuk është shpresëdhënëse për ndeshjen që kombëtarja jonë do të luajë më 11 shkurt me Maltën. Trajneri Han nuk duhet të llogarisë Canën, por të shpresojë vetëm te ndonjë mrekulli për riaftësimin e parakohshëm të tij.
Gazeta Sporti