Komunikimi ne cift

Mos u ngrys kur partneri nuk e vë re mënyrën tënde të të thënit “faleminderit”, “më fal” dhe “të dua”, sepse ndoshta nuk ke zgjedhur gjuhën e përshtatshme. Bëj zgjedhjet e duhura duke nisur nga leximi i këtij manuali

Mjaft me zënkat pa fund se kush e ka fajin. E dëgjon dhe në ëndërr atë gërr-mërr-in e pedantizmit tek si molë gërryen kohën që kaloni bashkë? Çikërrimat fryhen dhe i marrin frymën një lidhjeje të paqtë. Kujtoni rastet kur dallgët uleshin me një rreze buzëqeshjeje që hapte pastaj tërë qiellin me gazin që ju kapte. Mbetet aq e lehtë, mjafton të mësosh ndonjë sekret më shumë, të duash t’i zbatosh dhe ndryshimin do ta ndieni në çdo dimension të lidhjes. Të mos ndërpresësh betejën sa të arrihet rezultati i barazimit, nuk është aspak taktikë e menduar mirë. Aq më tepër kur secili kujton se ai ka të drejtë t’i bjerë bilbilit përfundimtar. Nuk do të thotë se kur ngre flamurin e bardhë ke humbur, marrëdhënia nuk është luftë. Ama duhet edhe pak grintë. Rëndësi ka mos të të verbojë inati. Mund t’ia dalësh. Pa provo njëherë këto këshilla:

Dëgjo më shumë, fol më pak!

Komunikimi është 85 për qind dëgjim dhe 15 për qind e folur. Sa më pak përpiqesh për të folur pa dëgjuar, aq më shumë e ndihmon komunikimin. Përpiquni të dilni nga shtëpia për të ecur, mos merrni telefonat me vete dhe thjesht shih në sy partnerin tek të flet. Është shumë bukur në një lidhje të kuptosh se partneri të dëgjon.

Seks, thjesht mos e refuzo!

Shko me partnerin edhe kur nuk do. Shpesh dëshira ngjallet më vonë. Kur ti e lë të vazhdojë, do ta gjesh veten duke e shijuar. Sa më shumë e provon seksin, aq më shumë trupi yt do ta dojë atë. Do të ndiesh më shumë energji dhe sensualitet dhe partneri do ta vërë re këtë ndryshim seksual.

Injoroi problemet e vogla!

Bën mirë që ca çështjeve të mos iu kthehesh. Nuk shmangen çështjet kyçe por kur bëhet fjalë për vogëlsi të së përditshmes, çiftet e suksesshme kanë pranuar t’i injorojnë problemet e vogla. Nuk ia vlen t’i rëndosh gjërat duke këmbëngulur për të fituar çdo kauzë.

Trajtoje dashurinë si një miqësi dhe ndihu e lirë!

Çiftet më të lumtura e trajtojnë njëri-tjetrin me respekt, afeksion dhe empati. Ata i zgjedhin fjalët me kujdes duke shmangur sjelljet helmuese për jetën në çift: kritikat, pozicionin mbrojtës, mospërfilljet, mburojat dhe ndihen të lidhur emocionalisht. Jepe dashurinë që ti dëshiron të marrësh. Nxirr jashtë shumë dashuri dhe vlerësim dhe do të të kthehet. Mënjano ankesat dhe llogaritë e tepërta dhe kështu do të jetë dhe për ty.

Për të ndryshuar lidhjen, ndrysho veten!

Shumicën e herëve ne mendojmë: unë kam të drejtë dhe ai po gabon. Duhet ta bind të ndryshojë. Po e vërteta është që po të ndryshojë njëri nga ju, edhe lidhja me shqetësimet e saj do të ndryshojë. Ti pyet pse duhet të ndryshoj unë? Por kur të mbushet mendja të bësh lëshimin e parë, gjithmonë thua: “Pse prita kaq gjatë?”

Mos e tepro me komente të ashpra!

Kur je e lodhur ose e frustruar, është e lehtë të rrëshqasësh në të qenit kritike me partnerin. Kujtohu: shprehjet apo sjelljet negative mbajnë shumë peshë. Sigurohu që për çdo veprim “të ashpër” të kryesh pesë veprime “të ëmbla” për ta balancuar: një prekje, një e qeshur, një puthje, një gjest dashurie, një kompliment.

Lufto për dashurinë!

Thënë hapur, nuk ekziston ndonjë martesë e mirë që nuk ka pasur konflikt. Shumë njerëz përpiqen të mos nisin konfliktin, por dy njerëz që jetojnë bashkë diku do të përplasen. Po ta menaxhosh me kujdes dhe zgjuarsi, konflikti do t’i japë martesës një goditje energjike. Ti mund të kesh një marrëdhënie më të plotë dhe interesante.

Seksi ka rëndësi, koha e kaluar bashkë ka edhe më shumë

Shpesh përqendroheni në programimin e seksit, e zhvendosni në majën e prioriteteve dhe nuk dilni gjëkundi. Por, po të fokusoheni në kohën e kaluar bashkë, duke shkuar në kinema, duke punuar për një projekt bashkë, atëherë një jetë e mirë seksuale nuk do mungojë.

Mos kërko medoemos dikë që e ka gabim dhe dikë që e ka mirë!

Është e lehtë të gjendesh në një betejë se kush ka të drejtë dhe kush gabim, por kjo ju pengon për të zgjidhur problemin. Askush nuk do të ndëshkohet po ta ketë gabim dhe as do të marrë medalje po të ketë të drejtë, kështu që mos kërko të gjesh fajtorin. Thjesht përpiquni të zgjidhni problemin.

Fjalët janë si ushqimet, ushqeni njëri-tjetrin me më të mirat!

Shprehja e ndjenjave të buta dhe mirëkuptimi i njëri-tjetrit do të komunikonte respekt dhe do ta bënte partnerin të ndihej i dashuruar. Mund ta mohosh se ndodh kështu? Sigurisht që jo, prandaj investo në ushqimin e lidhjes.

Mos e ki mendjen te barazia, përqendrohu te ndershmëria!

Nuk ka pse të jetë gjithçka 50 me 50. Të kesh ndjenjën që çdokush po bën atë që është e drejtë, dhe pse jo gjithmonë është e barabartë, e bën të lumtur një martesë. Kjo nuk aplikohet vetëm në punët e shtëpisë, por në vetë lidhjen tuaj.

Mos harroni se keni qenë partnerë para se të ishit prindër! Po të keni fëmijë, mos lini mënjanë lidhjen dhe marrëdhënien tuaj dhe të përqendroheni vetëm te fëmijët. Bëjeni lidhjen me njëri-tjetrin jo vetëm si prindër, por dhe si të dashur një prioritet.

Shpërbleje me monedhën që ai njeh!

Secila prej nesh dëshiron që partneri ta shpërblejë për diçka që kemi bërë. Po kjo pagesë duhet bërë në monedhën që njohim. E njëjta vlen edhe për partnerin, sepse kur ti bën për ta falënderuar diçka që ai s’e vë re, atëherë nuk ia ka vlejtur. Mundohu të zbulosh çfarë kërkon partneri dhe fol në gjuhën e tij.

Mos harroni sukseset e lidhjes suaj!

Për të sjellë më të mirën në lidhjen tuaj, duhet të fokusoheni te çfarë keni bërë si duhet në të kaluarën. Për shembull, në rast se po përpiqeni të ndryshoni zakonin e të grindurit shpesh, kujtoni rastet kur grindjet i keni përfunduar me humor ose në një mënyrë miqësore. Çdo çift ka një listë me përvoja kur kanë menaxhuar si duhet situatën dhe është e rëndësishme t’i mbash mend, sesa të përqendroheni në rastet kur zënkat kanë shkuar keq.

Shihni situatat me sytë e njëri-tjetrit!

Shpesh konflikti lind duke e ngarkuar negativisht atë që bën partneri. Në vend që t’i thuash vetes se partneri është treguar kokëbosh dhe acarues, përpiqu që ta mendosh situatën sipas pikëvështrimit të tij. Pyet veten: Ç’ka menduar? Veprimi nuk ndryshohet por duke kuptuar arsyet, ndryshon këndvështrimi për problemin dhe e bën më të lehtë komunikimin rreth tij.

Mbill besim dhe korr intimitet!

Çështjet e besimit janë si shkëndijat në një pyll të thatë. Ti duhet të merresh me to sa më shpejt të jetë e mundur, sikur është diçka e madhe si një flirt apo diçka e vogël si ndarja e sekreteve martesore me mikeshën e ngushtë. Ju duhet t’i zhdukni arsyet për mungesën e besimit që të ndiheni të sigurt për t’i besuar njëri-tjetrit thellësisht.

Une jam shume komunikues ne cift! :smiley: :smiley: :smiley:

Me pelqen ky fakt!..eshte mire qe te mes nje femre dhe nje mashkulli te harrohet barazia…sepse eshte gati e pa mundur…nuk mund dhe nuk duhet te kete barazi…

ti dhith komunikimmet ne cift duhen te jene “kundershtime” me baza te forta argumenti dhe bindje te partnerit.