Kosovë, nis protesta pa flamuj shtetërorë e opozitës (foto/video LIVE)

//youtu.be/IWBP_eKn34E

Ashtu siç ishte paralajmëruar, 17 Shkurti i këtij viti, që në Kosovë shënon edhe 8-vjetorin e Pavarësisë së vendit, është shoqëruar edhe me protestë përveç festës.

Opozita e bashkuar kosovare, e përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ka thirrur prej ditësh mbështetësit e saj në një protestë madhështorë në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës, kundër qeverisë që - sipas tyre, - është antikushtetuese.

Protesta e ditës së sotme ka nisur me marshimin nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, marshim që e prijnë udhëheqësit e opozitës. Mes tyre janë dhe disa anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të kërkuar nga policia në lidhje me procesin për dëmtimin e makinave të EULEX-it, si Xhelal Svecla dhe sekretari organizativ Dardan Molliqaj, i cili kërkohet që prej protestave të fundvitit të kaluar. Ata do të mblidhen në njërin prej 3 shesheve shumë pranë godinës së Qeverisë së Kosovës.

Protestuesit e shumtë në numër mbajnë flamuj kombëtare kuqezi, flamuj të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Suedisë, Zvicrës, por jo flamuj shtetërorë të Kosovës. Nuk kuptohet pse është bërë kjo përzgjedhje, ndoshta si shenjë proteste ndaj qeverisë kosovare, që ka detyruar shtetasit e Kosovës të emigrojnë pikërisht në këto shtete, në pamundësi për të siguruar një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

E pavarësisht pjesëmarrjes së madhe të mbështetësve të opozitës, krerët politikë kanë bërë thirrje që protesta të vijojë e qetë dhe pa tensione. Megjithatë, policia e Kosovës ka marrë të gjitha masat e sigurisë, për mbarëvajtjen e protestës. Ndërkohë raportohet edhe për shtetas të ndaluar në kufirin Shqipëri-Kosovë, të cilët thuhet se donin të merrnin pjesë në protestë.

/ Top Channel